Intervistë me Rok Rozman, kajakist dhe producent i dokumentarit të fundit kushtuar Vjosës, për mbrojtjen ndaj digave, që propozohen të ndërtohen mbi të. Mbrojtja e Vjosës, si lumi i fundit i egër në Evropë, shtuar me fushatat mediatizuese dhe sensibilizuese që planifikohen të bëhen në të gjithë kontinentin në bashkëpunim të ngushtë me ECOAlbania-n, promovuesen kryesore shqiptare të kësaj përpjekje, janë në qendër të kësaj interviste
Intervistoi Ben Andoni
Rok Rozman është pjesëtar i Leeway Collective, një grup kajakistësh sllovenë dhe tashmë një nga ambasadorët e fushatës së mbrojtjes së Vjosës, e cila ka nisur prej muajsh nga Eco Albania. Kjo e fundit ka bërë deri tani një përpjekje të jashtëzakonshme për lumin Vjosa. Sensibilizimi ka filluar me takime të shumta në terren dhe në vende ku komuniteti preket direkt nga ndërtimet e digave mbi Vjosë, por është derdhur dhe shumë energji në takime me zyrtarë, duke shpjeguar rëndësinë e ngritjes së një Parku. Eco Albania dhe partnerët e saj të huaj mbrojnë idenë e Parkut Kombëtar përgjatë luginës së lumit dhe për këtë fushata e tyre është asistuar nga “River Watch”, pasi shkon edhe me fushatën evropiane “Save the Blue Heart”. JAVAnews i ka kushtuar një seri shkrimesh mbrojtjes së Vjosës, kurse intervista e fundit e Rozman, synon të tregojë se fushata jo vetëm nuk është fashitur por ka kaluar në një stad të ri, ku janë futur dhe aktorë të tjerë.
“Për këtë vit, jemi duke planifikuar një gjë të madhe për Vjosën. Ajo do të jetë pjesë e projektit të madh të quajtur “Balkan Rivers Tour”. Ekuipazhi ynë Leeway do të nisë aktivitetin qysh nga mesi i prillit në Slloveni dhe pastaj do të vozisë drejt shumë lumenjve të rrezikuar në të gjithë Ballkanin. Pas vozitjes, planifikojmë të organizojnë aktivitete, projeksione filmash, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp dhe takime – të gjitha me një qëllim: informimin e njerëzve dhe botës se çfarë lloj i padrejtësisë po ndodh këtu dhe në këtë mënyrë rekrutimin shumë njerëz për t’u bashkuar në luftën për Vjosën. Së bashku jemi shumë më të fortë për ta ndaluar këtë marrëzi!”, ka thënë për JAVAnews Rozman.
Nga e morët shtytjen për realizimin e këtij dokumentari dedikuar lumit Vjosa?
“Mua dhe Zanit (i cili është gjithashtu duke vozitur në filmin dokumentar) na ndodhi që kjo ide të na lindte sapo ishim kthyer nga Kili, ku kishim bërë kajak (kajakuar-folje) për 2 muaj gjatë dimrit të tyre. Atje pamë realisht se çfarë do të thotë me të vërtetë mania e ndërtimit të digave dhe po ashtu u bëmë pjesë e disa aktiviteteve kundër ndërtimit të digave mbi lumenjtë e tyre vërtetë të bukur. Kështu, që unë kuptova se duhej të bëja shumë më tepër kur të ktheheshim në shtëpinë tonë në Evropën Juglindore, pikërisht në Ballkan. Kështu, kemi vendosur për të përshkruar me kajak në maj një itinerar 4-ditor dhe ndaj jam vënë menjëherë në kërkim për një destinacion ku prania jonë dhe ekspozimi i mediave tona do të ishin vërtetë më të dobishme. Kisha dëgjuar për fushatën e “Save the Blue Heart” të Evropës, kontrollova faqen e tyre dhe i kontaktova ata, madje edhe duke ua shpjeguar situatën, kurse menjëherë të nesërmen patëm një grup-Skype, që të njohim më afër njëri-tjetrin dhe të fillonim rrahjen e ideve. Sugjerimi i tyre ishte për të shkuar dhe të vozisnim në Vjosë në Shqipëri. Për të qenë i sinqertë, kurrë nuk kisha dëgjuar më parë për këtë lum. Ata na thanë se ky ishte i fundit lum i egër në Evropë dhe se ka plane për të ndërtuar gati 33 diga të reja mbi të. Kjo ishte një arsye e mjaftueshme që të filloja të kërkoja për çdo informacion të mundshëm mbi lumin dhe shpejt i bëra ftesë pjesës tjetër të grupit tonë Leeway të më bashkohej. Me disa informacione por edhe me paketimet e mundshme të duhura mbi furgon lamë Slloveninë me shumë dëshirë dhe kureshtje për atë që na priste – dhe vërtetë s’jemi gabuar. Në Greqi, Aoos-i (Vjosa quhet e tillë atje) është një lum i mahnitshëm mes kanioneve super të larta dhe Whitewater (udhë të ngushta uji) interesante, ku lumi e ndryshonte karakterin e tij në mënyrë drastike sapo hyn në Shqipëri. E theksoj është jashtëzakonisht shumë bukur atje, por në aspekte të tjera – këtu tek ju, Vjosa është bartëse e vërtetë e jetës, çdo gjë rreth saj është e lulëzuar dhe për mua si një biolog kjo mbetet e mrekullueshme!”
Pse zgjodhët kajakun si element kyç për të zbuluar mrekullinë e Vjosës dhe kërcënimin e lumit?
“Kajakimi është një mënyrë që ju mundëson tregimin e lumit në një perspektivë krejtësisht të ndryshme. Nëse e shikoni lumin nga brigjet, jeni thjesht një soditës, por nëse jeni duke lundruar në lum, duke vozitur bëheni edhe vetë pjesë përbërëse e lumit. Në mënyrë të veçantë, pjesa e sipërme e Aoos-it në Greqi nuk mund të arrihet në asnjë lloj mënyre tjetër përveç se me kajak, që do të thotë se është privilegj i veçantë të jesh brenda kësaj barkëse të vogël. Në të njëjtën kohë, kajakimi është një aktivitet që nuk e dëmton lumin dhe po ashtu edhe banorët e tij për as edhe një gjë, e ky është një fakt shumë i rëndësishëm”.
Filmi është bërë shumë i thjeshtë, por me të vërtetë në mënyrë profesionale. A është kjo thjeshtësi, në një farë mënyre, edhe qëllimi i vërtetë për të treguar shumë të qartë rrezikun e ndërtimit të digave mbi lumin Vjosa?
“Gjërat në jetë duhet të jenë të thjeshta. Gjëja më e vështirë në jetë ndoshta është për të mos e bërë atë të komplikuar. E njëjta gjë është edhe me qëllimin dhe përpjekjet në film- kur ju mund ta bëni angazhimin të thjeshtë qysh në fillim dhe pastaj të arrish ta ndërtosh skenat nga kjo gjetje, kështu me siguri që gjëra të mira do të përshfaqen në ekran. Në Natyrë çdo gjë është e lidhur fort dhe duket e komplikuar, por në qoftë se ju do e shikoni atë thjesht e vetëm për pak kohë, e nëse do shpenzosh pak më shumë kohë me natyrën, atëherë do shihni se çdo gjë është tejet e thjeshtë. Dhe të jetosh me një lum, nuk bën përjashtim prej kësaj, kuptohet se mund të ndodhë që shumë gjëra mund edhe të shkojnë keq, ashtu si në të njëjtën kohë shumë gjëra mund të shkojnë në drejtimin e mirë. Qëllimi ynë ishte tejet i thjeshtë; të shkonim aty, të gëzonim në eksplorimin e një lumi të mahnitshëm dhe të përpiqeshim për t’i marrë këto pamje në kamera dhe t’ia përcillnim pjesës tjetër të botës me mesazhin se kjo bukuri mund të jetë e humbur vetëm nëse ne nuk do të bashkohemi së bashku dhe të bëjmë diçka për ta ndaluar këtë lakmi. Ne bëmë vozitjen, kurse Anze dhe Nejc bënë pjesën e kamerës dhe unë mendoj se kjo ishte e mrekullueshme”.
Çfarë lidhje ka grupimi juaj me institutin në Slloveni që do merret me analizën e kampioneve të lumit, që solli ekipi juaj?
“Instituti, i cili është përmendur në film, është me të vërtetë pjesë e Universitetit të Lubjanës, Departamentit për Shkencat e Botës së Egër, që është në zhvillimet e tij më moderne sa i përket troftës si edhe hulumtimeve gjenetike, kushtuar peshqve të familjes së salmonideve. Duket e natyrshme, në këtë rast, edhe për t’u përpjekur që të lidhemi me ta. Të gjitha gjërat e mëdha janë bërë gjithmonë të vërteta, kur bashkohen forcat e mendjes. Kështu sportet e natyrës, ndërthurur me artin dhe shkencën kanë provuar të jenë një kombinim i përshtatshëm. Kjo është bërë shumë rrallë më parë dhe kjo vetëm sa tregon se sa shumë mund të bëjmë së bashku – për mua, që të sjellësh disa mostra nga një kanion i largët është një kënaqësi, kurse për ata, në të njëjtën kohë, është një ndihmë e tillë kaq e madhe – pasi kurrë nuk do munden ndoshta të gjejnë mostrat, apo do t’u duhet një sasi e madhe parash për të organizuar një ekspeditë në këto kanione kaq të largëta. Pra, dorë për dorë zbulimet e reja janë bërë …”.
Filmi ka edhe element poetik, por mbi të gjitha turizmit, përveç transmetimin e mesazhit për Vjosën që kërcënohet. A jeni të kënaqur me zbatimin e tij?
“Filmi kishte për qëllim të përbënte një mjet me të cilin ne mund të tregojmë këtë margaritar natyror për njerëzit që s’kanë ndonjë mundësi për ta parë vetë apo që nuk duan ta fusin veten në situata të tilla, por që ende kanë ndërgjegjen për ta ndryshuar. Ne donim për të trandur njerëzit dhe thjesht t’u tregonim: Vjosa është atje dhe do të prishet në qoftë se ne nuk bëjmë diçka. Por në mënyrë që të ketë vëmendjen e publikut, ju duhet të lini këtë mesazh në histori, për të treguar se ekziston një vijë e kuqe që s’duhet të kalohet. E kam shkruar tekstin në mënyrën që njerëzit të ndjenim atë që kam ndjerë edhe unë , kur kam vozitur në këtë lum të jashtëzakonshëm. Ashtu si Jeff Johnson tha dikur: “Nëse e doni një vend atëherë e keni për detyrë ta mbroni atë!” Unë, por më mirë për të thënë ne, jemi duke punuar në elementin e parë- për të ndihmuar njerëzit për të dashur një vend kaq të bukur”.
Një kuriozitet për publikun: A ishte me të vërtetë e vështirë situata kur keni qenë të kërcënuar nga vendasit? Si e gjetët zgjidhjen?
“Për fat të keq, ishte vërtetë vështirë (qesh). Ne ishim me makinë deri në vend-ndërtimin e digës së Kalivaçit, duke parë andej-këndej por edhe kërkuar për një kënd të përshtatshëm për të filmuar teksa do të vozisnim me kajak pas shesh-ndërtimit të digës. Djemtë e kamerës ishin të mrekulluar teksa kanë gjetur disa vende vërtetë të bukura nga ku mund të na filmonin, por pastaj papritur një djalë i madh u shfaq dhe filloi të bëjë pyetje duke përfunduar se nuk duhet të ishim atje. Ai thërriti 2 djem të tjerë dhe kërkonte me insistim pasaportat tona dhe i ka bërë thirrje madje edhe policisë. Ne ishim mjaft të qetë dhe u munduam të argumentojnë, por pastaj më shkoj ndërmend diçka dhe u tregova se jemi vetëm zogj-vështrues. Ata insistonin dhe na thanë se duhet të shkonim dhe pastaj shtoi se nuk ishim të lejuar aty, duke përfunduar se do të na ruanin me kujdes kudo që të shkonim. Por neve na duhej xhirimi në atë ditë! Kështuqë, jemi kthyer pas në ujërat që ishin sipër , kurse djemtë e kamerave ikën në të majtë të lumit ku ishin bllokuar prej furgonit, që rojet se lejonin. I gjithë ky aksion na mori shumicën e natës, shtuar edhe me faktin sa të gjenim njëri-tjetrin, pastaj të nxirrnim furgonin jashtë këtij rrethimi dhe më vonë edhe të lëviznim”.
Ju keni preku disi në dokumentarin tuaj edhe popullsinë që jeton pranë lumit Vjosa? Çfarë përshtypje keni nga shqiptarët? A ju dukën ata të vetëdijshëm për kërcënimin ndaj Vjosës, në këndvështrimin tuaj?
“Sigurisht, unë gjithmonë e them se janë pikërisht njerëzit që jetojnë përreth lumit, për të cilët dikush duhet të shpenzojë kohën. Lumi i përcakton banorët dhe duke parë sesa ata e duan atë është thjesht e mahnitshme dhe kjo marrëdhënie i bën ata të ndjehen mirë. Të gjithë ata me të cilët u takuam ishin shumë të sjellshëm dhe pse ne s’kuptuam as edhe një fjalë prej bisedave … shpesh duke bërë thjesht gjeste me dorë, që i ndihmonte edhe rakia (Qesh). Më pëlqejnë shqiptarët, veçanërisht në fshat sepse janë njerëzit që vërtetë ende e dinë se çfarë është të jetuarit, jetojnë thjeshtë në një sintoni të plotë me natyrën. Dhe kjo mikpritje që tregon aq shumë, shqiptarët janë zemër-hapur dhe u pëlqen të sorollaten dhe të tregojnë histori, kjo është mbi të gjitha për ta! Gjithsesi unë nuk jam i sigurt nëse shumica e tyre i kuptojnë kërcënimet ndaj Vjosës, por kur ne u përpoqëm t’u shpjegojmë atyre, ata ishin të gjithë të tronditur dhe treguan se ky është lumi i tyre, e se ata mbështeten në të. Duke e pranuar këtë duket një gjë e madhe kurse vendimmarrësit duken të paaftë për një mendim të tillë, ose vetëm për të qenë thjesht të sinqertë për veten e tyre”.
A keni menduar një tjetër temë për Shqipërinë në të ardhmen?
“Po! Për këtë vit, jemi duke planifikuar një gjë të madhe për Vjosën. Ajo do të jetë pjesë e projektit të madh të quajtur ‘Balkan Rivers Tour’. Ekuipazhi ynë Leeway do të nisë që nga mesi i prillit në Slloveni aktivitetin dhe do të vozisë drejt shumë lumenjve të rrezikuar në të gjithë Ballkanin. Pas vozitjes ballkanike, planifikojmë të organizojmë aktivitete, projeksione filmash, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp dhe takime, të gjitha me një qëllim: informimin e njerëzve në Ballkan por edhe botës se çfarë lloj i padrejtësisë po ndodh këtu dhe në këtë mënyrë rekrutimin e më shumë njerëzve për t’u bashkuar në luftën për Vjosën. Së bashku, jemi shumë më të fortë për ta ndaluar këtë marrëzi! Pra 5 ditët e fundit nga turi i lumenjve ballkanikë do të kalohen në Vjosë. Atje do të vozisim kah degëve të saj dhe vetë Vjosës dhe pastaj edhe do të organizojmë një konferencë të madhe për shtyp për mediat globale dhe lokale, kurse të nesërmen një flotilje e tërë mbi Vjosë me një të ashtuquajtur Grupimi Wild do përpiqemi të bëjmë një demonstrim me kajak për Vjosën natyrale, kurse ditën e fundit një peticion me nënshkrime do të dorëzohet në Tiranë. Në qoftë se unë mund të shfrytëzoj rastin, prej kësaj interviste do të doja t’i ftoja të gjithë të bashkohen me ne për ato veprime – pasi së shpejti do të ketë një webpage dhe me shumë informacion në lidhje me projektin që do t’ua bëj të njohur sa më shpejt të jetë e mundur!
Ju Shqiptarët keni kaq shumë lumenj të mahnitshëm me Vjosën si mbretëreshë e tyre. Le ta ndihmojmë atë në këtë betejë?”
One For The River: The Vjosa Story from Leeway Collective on Vimeo.