Të bashkohen me formulën nga lart poshtë apo nga poshtë lart, ky ka qenë debati që zgjati mbi 8 orë dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ku ishte i pranishëm Berisha, por mungonte Basha.
Gazeta “Panorama” ka zbardhur debatin mes deputetëve, ku mësohet se shumica e deputetëve, të cilët pas 9 shtatorit qëndruan në selinë blu, kërkonin që të zhbëheshin vendimet e 9 shtatorit, të përjashtimeve, por në të njëjtën kohë, kërkuan edhe pezullimin dhe anulimin e procesit zgjedhor në degët e PD-së, pasi sipas tyre, është i njëanshëm dhe nuk i shërben bashkimit, por përçarjes.
Por megjithatë, debate të forta ka pasur mes ish-kryeministrit Berisha, i cili akuzoi Alibeajn për padinë ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës që njohu 11 prillin. Ndërkohë Alibeaj dhe Gazment Bardhi i qëndrojnë mendimit që Berisha nuk mund të kthehet në Grupin e PD-së, për shkak se është person “non grata”. Kjo ndarje pengoi arritjen e një konsensusi për përbashkimin e demokratëve. Pas disa formulave të propozuara, Alibeaj kërkoi që secili deputet t’i paraqesë propozimet me shkrim dhe të diskutohen sërish.
DEBATI ME DYER TE MBYLLURA NE PD
Enkelejd Alibeaj: Pas kërkesës së kolegëve, u mblodh sot grupi. Së pari, rendi i ditës së enjte, aktet normative dhe çmimet e karburanteve duhet të përcaktojnë qëndrimin politik për të enjten. Nesër është konferenca e kryetarëve. Mirë do ishte që, sipas komisioneve, të përcaktojmë qëndrimet.
Sali Berisha: Përbashkimi i PD-së ka pasur vështirësi, por ekziston një vullnet i gjerë si në bazë, si te deputetë për të zhbërë një periudhë të shkurtër përçarjeje, por po ju them në këtë kontekst u shprehëm publikisht, se ne e pranojmë si kryetar grupi, edhe pse në 11 dhjetor është i shkarkuar nga detyra. Duheshin bërë hapa në këtë drejtim. Por një njeri dha dorëheqjen, iku që pasoi një zinxhir ngjarjesh. Ai mbart me vete të vërteta të hidhura, si dosjen ruse p.sh. Unë e kam mohuar vetë, por dolën gabim të dhënat që kisha unë. Por ka edhe një gjë tjetër. Pa asnjë tagër, Alibeaj padit PD-në në gjykatë. Padit një proces që demokratët e kanë pranuar. Yuri Kim ka bërë presion në gjykatë.
Enkelejd Alibeaj: Unë jam Enkelejd Alibeaj dhe s’i bej hije askujt. E kam bërë padinë dhe do ta mbroj deri në fund. S’jam vasal i askujt.
Ferdinant Xhaferraj: Vlerësoj që Berisha iu drejtua ambasadores si zonja Kim. Kjo është pozitive, që në dallim nga mbledhjet e shkuara, Berisha nuk përdori epitetin guvernatore. Për Grupin Parlamentar të PD-së, Znj. Kim është ambasadorja e nderuar e Shteteve të Bashkuara, aleatit tonë strategjik. Lidhur me procesin e bashkimit, kështu si po vijohet, është një mashtrim që po çon në rrënim.
Helidon Bushati: Flasim gjatë gjithë kohës për bashkim, por në fakt, në bazë po ndodh krejt e kundërta. Kam vërejtur me shqetësim se ky proces i nisur nga Komisioni i Rithemelimit, me të vërtetë po zgjedh një kryetar të ri dege, por po e thellon përçarjen. Pavarësisht se Rithemelimi mund të gëzoje mbështetjen e shumicës, procesi nuk është gjithëpërfshirës. Që të gjejmë zgjidhje dhe të japim sinjale pozitive, unë sugjeroi: Të ndalohet procesi i zgjedhjeve në degë. Të shtyhet për një periudhe jo më shumë se 1-mujore derisa të ndërmerren hapa te integrimit të të gjitha grupimeve në këtë proces. Gjatë kësaj periudhe, mund të vendosim të mbledhim një Kuvend gjithëpërfshirës, le ta quajmë “Kuvend pajtimi”, nga ku të dalim me mesazhe të qarta për të ardhmen tonë dhe rikthimin si alternativë qeverisëse.
Nëse ky hap merr dakordësi, automatikisht duhet të tërhiqet padia e bërë në Gjykatën e Apelit dhe të mos fokusohemi në debate juridike. Të ndalohet që sot dalja ne televizione e kolegeve tanë të këtij grupi, duke mbajtur qëndrime apo duke mbrojtur qëndrime kontradiktore me njëri-tjetrin, që evidentojnë dhe japin mesazhin se përçarja vazhdon. Sot vetëm bashkimi e shpëton Partinë Demokratike, çdo proces tjetër vetëm sa e zvogëlon atë dhe nuk e bën kurrë fituese.
Dashnor Sula: Ju (u drejtohet deputetëve që mbështesin ish-Kryeministrin Berisha) kërkoni t’i merrni të gjitha, por të gjitha nuk mund t’i merrni dot. Duhet të ketë kompromis mes palëve. Ne kemi dalë nga një “luftë civile” dhe për këtë duhet marrëveshje. Propozimi im është ky: Grupi Parlamentar të shprehet me votë për të rikthyer deputetët e përjashtuar, sepse jemi në një situatë të re politike. Nëse Grupi Parlamentar vendos që deputetët e përjashtuar do të rikthehen, këtu s’ka më diskutim pastaj. Në të njëjtën kohë, propozoj që Kuvendi Kombëtar i thirrur në 30 prill të shtyhet për pas 90 ditësh. Gjatë këtyre 90 ditëve të bëhen zgjedhje gjithëpërfshirëse në seksione, grupseksione dhe degë. Pasi të ketë mbaruar votimi në këto struktura, të thirret Kuvendi për të zgjedhur strukturat drejtuese të PD-së. Ju thoni që Basha iku dhe i mori të gjitha me vete. Pra, meqë ishin gabimet e tij, jemi në një situatë të re politike e, për këtë, duhet një marrëveshje. Propozoj gjithashtu që PD-ja të tërhiqet nga apelimi që ka bërë në gjykatë për vendimin për njohjen e 11 dhjetorit, për t’i hapur pikërisht rrugë kësaj marrëveshjeje.
Luçiano Boçi: Dëgjova me vëmendje të gjithë kolegët. Bashkohem me shqetësimet e tyre dhe thirrjet për bashkim janë dëshira të sinqerta. Por bashkimi arrihet nëpërmjet akteve dhe proceseve. Po flasim këtu për dy procese bashkimi: Atë të grupit dhe atë të bazës. Unë dua të ndërtoj një qasje tjetër. Është një proces, por njëri është shkaku, tjetri është pasoja. Kuvendi i 11 dhjetorit, referendumi i 18 dhjetorit, proceset e tjera janë pasoja. Pasoja të vendimeve të gabuara të lidershipit, përfshirë ne si grup. Që të arrijmë bashkimin, duhet të shërojmë shkakun. Te bashkojmë grupin. Nëpërmjet zbatimit të rregullave të funksionimit të kryerjes së akteve politike.
Çdo vendim politik dhe i qëndrimit politik duhet të kalojë nëpërmjet konsultimit të kryesisë dhe të merret si vendim në grup. Edhe mbledhja e tij. Aktet duhet të vazhdojnë me pranimin e vendimit të gjykatës dhe tërheqjen e ankimimeve që s’prodhojnë gjë. Sikurse me pranimin e çdo anëtari grupi si të tillë, duke rrëzuar çdo përjashtim e pezullim. Procesi i bashkimit në bazë, e cila na vëzhgon dhe mban qëndrime sipas pozicioneve tona, nëse ne bashkohemi, natyrshëm na ndjek në këtë proces bashkimi. Bashkimi i bazës nuk përfundon as në 30, as një jave me pas. Ai është i vazhdueshme. Nëse vërtet bashkohemi, do të arrijmë të jemi forcë politike e besueshme dhe alternative qeverisëse!
Ervin Salianji: Është një mbledhje që duhej zhvilluar 2 javë më parë! Gjendja dhe prania e çdo deputeti këtu ka bërë fakt një gjendje të re, sot gjendja faktike po tregohet nga të gjithë koleget që folën. Po i kërkohet Komisionit të Rithemelimit të bëjë pjesë të procesit deputetët dhe nuk po i kërkohet askujt tjetër. Problemi themelor që ka partia sot janë plagët në bazë, ne duhet t’i japim mundësi çdo demokrati të garojë në një proces të besueshëm dhe ku janë gjithë palët!
Bashkimi vjen duke u bërë proces i përbashkët! Po ju kërkoj edhe diçka si kolegë, secili prej jush është në të drejtën e vet për sa kohë flet në cilësi personale dhe jo në emër të grupit, por zoti Berisha, duhet të ndalen sulmet ndaj ambasadores amerikane dhe çdo përfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara. Problemet ia kemi shkaktuar njëri-tjetrit, nuk mund të shpallim fajtorë ambasadorët për gabimet e dikujt! Na ka ndarë jo mbështetja ndaj një personi, por mbështetja që i kemi dhënë siglës dhe puna për demokratët!
Saimir Korreshi: Grupi duhet të ketë një hap pas nga të gjitha palët. Së pari, nuk duhet të ketë më të përjashtuar. Së dyti, të gjitha degët duhet të bëhet një proces i rregullt dhe gjithëpërfshirës. Në të gjitha degët në Lushnjë nuk janë bërë zgjedhje në seksionet dhe grupseksionet. Ndaj, që demokratët të bashkohen, duhet që si nga grupi i deputetëve të PD-së, që nuk bëjnë pjesë në atë të Rithemelimit dhe një pjesë e atyre të Komisionit të Rithemelimit, të bëhen bashkë për një proces të rregullt dhe statutor. Ndryshe s’mund të ketë zgjedhje për kryetar. PD duhet të kalojë sa më shpejt për kryetar të PD-së. Demokratët duhet ta dinë se kë figurë do mbështesin. Sot jemi në një dilemë ekzistenciale. Grupi duhet të ketë kurajën që, përpos zgjidhjes së gjendjes aktuale që ndodhet vetë, t’i japë zgjidhje edhe PD-së.
Lefter Gështenja: Duke parë dhe pranuar realitetin ku ndodhemi sot si PD, ne duhet të ndërmarrim një proces gjithëpërfshirës, ku secili nga ne duhet të kontribuojë jo për të përfituar, por duke dhënë maksimumin në funksion të bashkimit dhe organizimit real të PD-së. Në thelb të këtij procesi, mendoj se duhet të qëndrojë “armëpushimi” mes demokratëve, vota e fshehtë, e lirë dhe e barabartë. Çfarë kuptimi ka hapja apo bashkimi i partisë nëse NE vazhdojmë të bëjmë zgjedhjet përpara se të hapet apo të bashkohet Partia? Mendoj që në PD nuk duhet të ekzistojë termi shumicë-pakicë, pasi ne duhet të jemi NJE, të jemi të gjithë bashkë kundër Edi Ramës, ndarja në maxhorance e minorancë në Parti, na çon në ndarje dhe përçarje të strukturës në të gjitha nivelet.
Nuk është aspak normale që në procesin e zgjedhjeve brenda në Parti të mos përfshihen kryetarët/drejtuesit/ishdrejtuesit e strukturës së degëve që kanë shpenzuar për 30 vjet kohë, mund dhe para, janë njerëz me vlera dhe kontribute, janë njerëz që kanë së paku 9 vjet në një opozitë të vështirë. Ata nuk përfshihen thjesht për faktin se mendojnë ndryshe apo nuk kanë firmosur formularin, ndërkohë nuk janë larguar për asnjë moment nga PD. Unë them qe kjo nuk është normale, kjo nuk është demokraci, kjo nuk është hapje e partisë, ky nuk është bashkimi, por është e kundërta.
Për zgjidhjen e kësaj krize propozoj: Ngritjen e grupeve te përbashkëta pune në nivel qendror dhe lokal për organizimin dhe drejtimin e procesit të bashkimit dhe zgjedhjeve në PDSH në nivel qendror (5 deputetë) dhe lokal (5 veta drejtues strukture) (deri më 15.04.2022). Të drejtën për të kandiduar e ka çdo demokrat që plotëson kriteret e përcaktuara më parë. Ndërkohë duhet të fillojmë me urgjencë punën në terren, duke dalë të gjithë bashkë për të dhënë mesazhin e bashkimit, sepse pas 1 viti kemi zgjedhjet lokale, të japim mesazh të qartë për çdo demokrat që Grupi Parlamentar është i bashkuar dhe i unifikuar.
Bledion Nallbati: Ne duhet të kapërcejmë veten dhe të bashkojmë demokratët. Duhet që të gjithë bashkë të ndërtojmë një proces të drejtuar nga një grup i përbashkët dhe të fillojë me zgjedhjen me vite që nga seksionet e deri te kryetari, duke i lënë mundësinë gjithsecilit të garojë. Deri tani në Devoll nuk ka pasur proces zgjedhjesh dhe as votim, por emërime apo rikonfirmime të strukturave. Pa proces votimi dhe pa thirrur anëtarësinë.
Albana Vokshi: Bashkimi të jetë real, jo i sforcuar, bashkim edhe në bazë.
Edmond Spaho: Të konfirmohet grupi në Kuvend me të gjithë anëtarët e tij, përfshirë z. Berisha.
2. Nuk ka kryetar të ngarkuar. Kryetar është Komisioni i Rithemelimit.
3. Nuk ka bashkim me ankimim. Të tërhiqet ankimimi nga Alibej.
4. Të mbyllim riorganizimin sa më shpejt, pa shtyrje të procesit pasi po vijnë zgjedhjet vendore
Flamur Noka: Neve na keni përjashtuar për jetë. Pa zhbërë atë vendim, si pretendoni juve bashkim? Me zhbërjen e atij vendimi, fillon bashkimi, se ai që mori vendimin individual iku. Bashkimi fillon nga lart poshtë. Ju flisni për bashkim kur edhe sot neve nuk na quani anëtarë të grupit. Kush i qëndron vendimit anti-statutor të Bashës për 9 shatorin, domethënë ka axhendë përçarëse e jo bashkimi…
Gazment Bardhi: Shpallja “non grata” e Berishës nuk varej nga PD. Fakti që ne kemi bërë një fushatë në Elbasan, kemi votuar. Ne duhet të presim vendimin e gjyqit, sepse vendimi i Zhukrit ishte vendim në konflikt interesi. Mjafton t’ju them që delegatët nga Shqipëria janë caktuar me firmën e kryetarit të degës numër 3.
Flamur Noka: Listat e delegatëve e anëtarëve i kam marrë te zyra jote. I kam marrë unë.
Gazment Bardhi: Unë jam në partinë time.
Flamur Noka: Juve ju ndihmon Rama.
Gazment Bardhi: Te Edi Rama merr tjetër kush tender dhe koncesione. Është dëshpërim që në dy partitë kryesore nuk ka asnjë reagim për “non grata”-t. E kuptueshme në PS, por është e pakuptueshme nga PD. Berisha ka qenë kundër Tom Doshit dhe Vangjush Dakos. Kjo është e papranueshme.
Flamur Noka: Ke reaguar ti. Apo nuk e quan veten të PD ti?
Gazment Bardhi: Unë kam reaguar që mbrëmë.
Flamur Noka: Ti zakonisht gënjen e as skuqesh e zverdhesh. I the brandim blindimit të partisë pa t’u dridh qerpiku. Ti mos fol për rregulla, se je rast unik qe ti i ke dhënë kompetenca vetes duke emëruar pa pyetur asnjë institucion Enkelejdin kryetar. Edhe Zhvejku do të të kishte zili.
Gazment Bardhi: Enkelejdi është zgjedhur kryetar partie nga Këshilli Kombëtar.
Flamur Noka: Gënjeshtar.
Edmond Spaho: Nëse shteti amerikan do ta kishte seriozisht, nuk bënte deklaratë pro-zgjedhjeve. Sali Berisha kërkon fjalën!
Enkelejd Alibeaj: Prisni, nuk është radha juaj. Ju jeni deputet si gjithë të tjerët.
Sali Berisha: Ti je kryetar i vetëshpallur, të ka shpallur Gazment Bardhi.
Enkelejd Alibeaj: Ndërpritet mbledhja, bëjmë 10 minuta pushim.
(Alibeaj çohet dhe largohet në daljen e sallës së mbledhjes, ndërkohë që Berisha mori fjalën dhe deputetët qëndruan për ta dëgjuar. Pasi mbaroi fjalën Berisha, Alibeaj rikthehet në karrige: Rifillojmë mbledhjen)./m.j