Sipas statistikave të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një tjetër rekord gjatë vitit 2025.
TIA shënoi 11.6 milionë pasagjerë, duke regjistruar një rritje prej 8.7 për qind krahasuar me vitin 2024.
Me këtë performancë, aeroporti i Tiranës renditet i pari në rajon për nga fluksi i udhëtarëve.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe, përmes rrjeteve sociale bëri të ditur se rritja e vazhdueshme e trafikut ajror është një tregues i qartë i zhvillimit të turizmit dhe besimit në destinacionin tonë.
Gjatë vitit që lamë pas, rrjeti ajror u zgjerua ndjeshëm me 15 destinacione të reja. Po ashtu, bashkëpunimi është forcuar me shtimin e 7 linjave ajrore partnere.
Autoritetet vlerësojnë se ky zhvillim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e turizmit dhe forcimin e lidhjeve ajrore të vendit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës konfirmon kështu rolin e tij si një nga pikat kryesore të transportit ajror në rajon.












