Shenasi Rama, themelues i parë i Partisë Demokratike dhe pjesë aktive e Lëvizjes së Dhjetorit, në përfundim të turit nëpër qytetet kryesore në Shqipëri, gjatë një interviste për gazetën SOT, ka sqaruar edhe një herë raportin e Partisë Demokratike me Sigurimin e Shtetit. Rama shprehet se Partinë Demokratike e themeluan studentët, por më pas e kapi, pajisi, e udhëzoi dhe e drejtoi Sigurimi i Shtetit. Rama ka rrëfyer edhe një detaj, ku në 12 Dhjetor ’90, mbledhja është zhvilluar në një bodrum nën kujdesin dhe duke u filmuar nga Sigurimi i Shtetit. Ai u përgjigjet edhe sulmeve të fundit të Sali Berishës dhe Aleksandër Meksit. Sipas tij, Sali Berisha tashmë është në panik, pasi pas 25 vitesh po i del rrena e madhe, ndërsa po humbet edhe kontrollin mbi Partinë Demokratike. Ai ka folur edhe për një personazh, i cili ka rrëmbyer Medaljen “Nderi i Kombit”, që i është dhënë Lëvizjes Studentore nga ish-presidenti Bamir Topi. Shenasi Rama ka shuar edhe kureshtjen sa i takon turit nëpër Shqipëri, duke mos përjashtuar mundësinë e një lëvizje politike.
Prof. Rama, sapo keni përfunduar një tur nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë, për të thënë disa të vërteta për Lëvizjen Studentore, tranzicionit dhe gjendjen aktuale…..
Në fakt kishte dy organizime: Njëri organizim që drejtohej nga drejtues të spikatur të Lëvizjes Studentore Shqiptare, kishte organizuar një seri veprimtarish të shkëputura nga partitë politike për të përkujtuar Lëvizjen Studentore dhe kontributin e saj. Arben Sulo, Akli Fundo, Myftar Gjana dhe Edvin Shvarc kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe që na ka bërë nder të gjithëve neve. Nën drejtimin e tyre dhe me kontributin e tyre, u organizua Takimi Përkujtimor për 25 vjetorin e Lëvizjes Studentore në të cilin morën pjesë disa dhjetëra ish-studentë të spikatur. U nderuan me Mirënjohje për kontributin e tyre studentë që nuk janë nderuar më parë nga shteti. Pal Serreqi, student i cili në vitin 1992 refuzoi medaljen “Pishtar i Demokracisë” që i dha Sali Berisha, e pranoi me respekt nderimin që i bënë shokët dhe shoqet e tij. Po ashtu, Ardi Stefa, Mimoza Zhamo Tosku, Alban Pici, Vullnet Spahiu, Artan Asllani, Arian Nika, Arian Manahasa dhe shokët e shoqet e tjera e pranuan me respekt e krenari nderimin e shokëve të tyre. Po ashtu, Komisioni Organizues promovoi me shumë sukses studimin e shkëlqyer të Dr. Llukman Halili për Lëvizjen Studentore “Lëvizja Studentore dhe Tranzicioni në Shqipëri, 1990-1992”, që së shpejti del edhe në gjuhën shqipe, si dhe librin tim, “Për Lëvizjen Studentore Shqiptare, 1990-1991” botuar nga Shtëpia Botuese Princi. Po ashtu, Komisioni organizoi, mbështeti dhe drejtoi një nga konferencat më profesionale që mund të organizohen në nivel akademik për Lëvizjen Studentore në të cilën referuan disa nga studiuesit më të njohur në botë të tranzicionit shqiptar si Miranda Vickers, James Pettifer, Fred Abrahams, Llukman Halili, Luisa Chiodi, Mirela Bogdani, Afrim Krasniqi, por edhe Grid Rroji, Valbona Karanxha dhe unë. Ishte shumë domethënëse që Komisioni kishte organizuar një Tryezë të Rrumbullakët për Lëvizjet Studentore Shqiptare në të cilën ishin të ftuar Dr. Sami Repishti që do të fliste për Lëvizjet Studentore të viteve 1942-1944, Mr. Adil Pireva që do të fliste për Lëvizjen Studentore të vitit 1968, Prof. Dr. Bajram Kosumi, që foli për Lëvizjen Studentore të vitit 1981 në Kosovë, Prof. Dr. Bujar Dugolli, drejtues i Unionit Studentor të viteve 1997-1998 po në Kosovë dhe unë që fola për Lëvizjen Studentore Shqiptare të viteve 1990-1991. Nën drejtimin shumë të aftë të Prof. Dr. Afrim Krasniqit, kjo Tryezë e Rrumbullakët ishte një kontribut i veçantë dhe unik në lidhje me vlerësimin që iu bëhet Lëvizjeve Studentore Shqiptare në një nivel krahasues dhe akademik. Po ashtu pati një ekspozitë fotografike të fotografit mjeshtër dhe të talentuar Roland Tasho, e cila tërhoqi vëmendjen e shumë të pranishme dhe që bëri shumë përshtypje, sidomos tek pjesëtarët e pranishëm të trupit diplomatik.
Lëvizja Studentore u nderua me dekoratën më të lartë që jepet nga shteti shqiptar, me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Po ashtu edhe Berisha u dekorua me atë dekoratë. Cili është opinioni i juaj?
Gjithkujt duhet t’i japim hakun që meriton. Një dekoratë e pamerituar është një copë teneqe. Ne e kemi traditë politike të sillemi si Osman Gazepi që i vuri gradat vetes dhe kështu ndodhi edhe në këtë rastin e Saliut. Por, në rastin e Lëvizjes Studentore, kjo dekoratë ishte e merituar sepse iu dha një Lëvizjeje historike, ku morën pjesë me mijëra studentë, dhe që e morën disa nga përfaqësuesit e saj më të spikatur. Në Tiranë ka gjithfarë organizatash që sillen sikur janë trashëgimtarë të Lëvizjes Studentore ose bartëse të traditave të saj. Dhe kështu na rastisi që të shohim një shoqatë të ashtuquajtur “Lëvizja Studentore”, që dekoronte drejtuesit e organeve fetare, apo një grupim të ish-studentëve të Kamzës, shumica tropojanë të Grupimit “Dhjetori 90” që janë vegla të pastra të Sali Berishës dhe që shiten sikur ata janë Lëvizja Studentore. Studentët që e tërhoqën në emër të të gjithë shokëve ishin Komisioni Organizues për Përkujtimin e 25 vjetorit të Lëvizjes Studentore. Akli Fundo është njëri nga studentët që formuloi kërkesat. Arben Sulo është një nga heronjtë që kanë lënë gjurmën e vet në çdo veprimtari e arritje, që nga 8 Dhjetori e deri në Mars të 1991. Myftar Gjanaj ka qenë drejtues i spikatur nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe një nga studentët më të pjekur në Lëvizje. Edvin Shvarc, është i pari që solli e ngriti flamurin pa yll në Qytetin Studenti. Dhe këta e morën sepse këta mund të flasin me autoritet për Lëvizjen. Ajo që ka më shumë rëndësi, këta figura të spikatura të Lëvizjes e dorëzuan Dekoratën në Muzeumin Kombëtar ku duhet të ruhet, sepse ajo nuk i përket asnjë shoqate apo grupimi, siç po insinuojnë ca batakçinj të Tiranës. Është mirë që edhe Grupimi “Dhjetori 90” të dorëzojë Medaljen “Nderi i Kombit” që i është dhënë Lëvizjes Studentore dhe që këta tipi si Bislim Ahmetaj e mbajnë në dhomën e tyre të gjumit. Ajo medalje i është dhënë Lëvizjes Studentore, në 20-vjetorin e saj, siç e thotë qartë edhe motivacioni dhe fjala e Presidentit të atëhershëm Bamir Topi, e jo Grupimit “Dhjetori 90” e aq më pak Bislimit nga Kamza. Le të ndjekin shembullin e shokëve dhe të dorëzojnë edhe atë dekoratë që ata e mbajnë padrejtësisht në Muzeumin Kombëtar. Nuk janë ata Lëvizja; Lëvizja Studentore janë kontributet e saj, dhe në ato arritje, këta nuk kanë pasur ndonjë rol, përveçse si pjesë e turmës. Lë të sillen me dinjitet dhe të bëjnë atë që duhet. Medaljen “Nderi i Kombit” dhe Dekoratën e “Flamurit Kombëtar” e ka marrë çdo pjesëmarrës, kudo ku ka qenë, dhe pavarësisht se në cilën parti politike është sot. Ajo që ka ndodhur i përket historisë dhe historia e nderimet e Lëvizjes Studentore dhe për Lëvizjen Studentore e kanë vendin në Muzeumin Kombëtar e jo në raftin ku mban të brendshmet një familje e caktuar. Nderimi që iu bëhet institucioneve dhe nderimeve që vijnë prej tyre është shenjë e qytetërimit që na duhet.
Ju ishit edhe në një tur në të gjithë Shqipërinë. Çfarë konstatuat ju gjatë takimit me njerëzit dhe përballjen me realitetin shqiptar?
E vërtetë. Së bashku me kolegët e mi të Forumit Intelektual “Rrethi i Ferrit” Dr. Valbona Karanxha dhe doktorantin Grid Rroji ishin një rrugëtim në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë. Qëllimi jonë ishte diskutimi i analizave që ne kemi bërë dhe që më parë ishin botuar në blogun “Rrethi i Ferrit”. Tashmë, të përmbledhura si tre vëllime të ndryshme, secili nga ne analizonte në librin e vet, atë që ka ndodhur në Shqipëri. Po ju kujtoj se këto analiza janë përgatitur në vitin 2013, kur në një periudhë tre mujore, ne drejtuam një blog në të cilin u hodhën rreth 300 shkrime dhe analiza dhe në të cilin kontribuuan mbi 30 e ca shkollarë, analistë, studiues, gazetarë etj. Blogu dhe analizat tona patën një impakt të fuqishëm në ligjërimin publik në Tiranë. Për më tepër, ne parashikuam me shumë saktësi atë që do ndodhte si në ekonomi, në shtet-drejtim dhe në fushat e tjera. Kur ne bëmë thirrje që të mos mbështetet asnjëra palë e parisë sepse të gjithë janë pjesë e krimit që po luhet mbi ne, na sulmuan shumë. E megjithatë e vërteta është e vërtetë. Ajo që konstatuam gjatë rrugëtimit bashkëbisedimor në Shqipëri ishte pikërisht ajo që ne kemi nxjerrë si përfundim në librat tanë. Vendi është në prag të një katastrofe apo të një 1997-te të re. Shteti është i kapur nga një oligarki e parisë, ku një grusht individësh kontrollojnë me dorë të hekurt shtetin dhe ekonominë, mediat dhe vlerat shoqërore dhe ku nuk ka më shpresë. Ajo që na goditi më së shumti ishte humbja e shpresës së njerëzve dhe në veçanti e brezit të ri. Zhgënjimi me parinë e Tiranës, të të gjitha llojeve ishte i prekshëm gjithkund. Ajo që na godit më së shumti, është përpjekja e kësaj parie për t’i përçarë shqiptarët dhe me i ndërsyer për t’u vrarë me njëri-tjetrin duke manipuluar ndasitë fetare, rajonale, krahinore, te deri në konfliktet familje me familje që me qëndruar këta në pushtet. Po ashtu na habiti frika e njerëzve që për hir të bukës së gojës nuk donin as të flisnin. Realiteti është me të vërtetë i frikshëm dhe i ngjashëm me atë të vendeve të Afrikës dhe të republikave të bananeve, e në rastin tonë, me që nuk rrisim banane, po themi, të fasules. Ndeshëm në shumë zhgënjim, vuajtje, mjerim, por edhe nevojë me gjetë dritë dhe me pasë shpresë.
Pati një aludim mediatik, ku ky tur u lexua si një lëvizje për projektimin e një partie të re politike në Shqipëri. Cila është e vërteta?
E vërteta është që ne erdhëm për të treguar të vërtetën, dhe, ashtu si e mendojmë ne, edhe zgjidhjen për daljen nga kriza e thellë. Mirëpo, etja e njerëzve nuk është vetëm për të kuptuar të vërtetën, sepse të gjithë e dinë të vërtetën për zgjidhjen politike. Dhe kështu kishte një interes të jashtëzakonshëm për materializimin e programit tonë politik në një parti politike. As unë e as kolegët e mi nuk kemi frikë të merremi me politikë, sepse në një vend ku sundon rrena e mashtrimi me e thënë të vërtetën, si bëjmë ne, është pa dyshim një veprim politik. Por ndjehet qartë se partitë politike kanë dështuar, se sistemi që këta kanë ndërtuar ka dështuar, se kërkohet një zgjidhje e re, dhe se programi që ne kemi paraqitur ka shumë mbështetje.
Ditët e fundit ishit në shënjestër të sulmeve të Sali Berishës, Aleksandër Meksit dhe disa qarqeve të PD. Në ç’kallo i keni shkelur Meksit dhe Berishës?
Aleksandër Meksi e ka hallin se nëse del që intelektualët nuk ishin të zotët të mblidhnin firmat, jo vetëm ishin pelte, ashtu siç edhe ishin, por e gjithë përpjekja e tyre për t’u paraqitur si heronj të tranzicionit bie poshtë. Pse janë në politikë këta që nuk ishin të zotët me thënë një fjalë? E pra, PD-në e kam filluar unë, por mbas veprimeve të fillimit e ka organizuar, drejtuar, pajisur, mbështetur, kontrolluar dhe përdorur Sigurimi i Shtetit. Me i quajtur vegla këta që kanë pasur kaq shumë pushtet më pas, iu djeg shumë, por nuk ndryshon asgjë. Bajgës mund t’i thuash marmelatë, por prapë, bajgë është, sepse e ka bërë lopa. Këta duan të shiten si heronj por heroizmi i tyre fiktiv që u pasua me një sjellje tejet kriminale siç u pa gjatë qeverisjeve të ndryshme është një kapitull që nuk dua ta prek këtu. Por duan të mbahen me kontributet e tyre në fillim që kanë qenë një zero shumë e madhe, aq e madhe sa mund të mbajë të gjithë këta brenda. Në lidhje me Saliun, problem i tij është thellësisht politik dhe jetik. Tashmë PD është një shportë karavidhesh politike që Saliu i ka mbajtur bashkë me zotësi, por që tashmë i ka dalë loja nga duart. Njerëzit e kuptojnë se ai i ka mashtruar e përdorur pa mëshirë dhe se nuk kanë më zgjidhje në këtë parti që ka një të shkuar të llahtarshme dhe që e ka kryer pa nder misionin e saj politik. Megjithatë, duan s’duan këta, unë jam themeluesi dhe fillestari i PD-së, ai që e ka nisur PD-në dhe që nuk i ka ndryshuar bindjet e veta. Unë nuk jam në politikë, por e kam një të shkuar që nuk e ka asnjë prej veglave që janë në krye të PD-së dhe kjo përbën një problem të madh, sepse njerëzit e dinë se kush punon për kombin e për shqiptarët dhe kush do t’i përdorë për qëllimet e veta siç kanë bërë këta. Shumëga ata që janë në PD, militantë, por edhe të tjerë, e dinë se Sali Berisha nuk punon për shqiptarët, nuk ka punuar ndonjëherë, por thjesht nuk duan me pasë mbi kokë këta që i urrejnë deri në vdekje.
Çështja e manipulimit me numrin e themeluesve të PD befasoi shumëkënd. Si qëndron e vërteta e mbledhjes së firmave për themelimin e PD dhe çfarë roli ka pasur Sigurimi i Shtetit në këtë proces?
Po nuk ka asgjë për t’u befasuar. Më 12 dhjetor 1990, këta që u mblodhën në një bodrum, të filmuar hapur me një kamera të Sigurimit të Shtetit, nuk ishin të zotët të mblidhnin as pesë vetë. Po të mos ishin studentët nuk do të kishte PD. Mezi i mblodhën, për katër ditë firmat. Dhe aty ishin 183 studentë. PD është parti që e bëri, drejtoi, pajisi, e udhëzoi dhe e kontrolli Sigurimi i Shtetit. Këta plehra, që kanë shkruar me dhjetëra raporte e spiunllëqe, edhe gjatë kohës që formalisht ishin në krye të partisë opozitare, nuk munden të pranojnë se ne kemi qënë shtylla dhe forca kryesore në opozitë, në fakt, ne kemi qënë e vetmja opozitë. Kjo iu djeg fort secilit prej tyre, sepse të keqen e kanë pasur brenda gjithë kohës. Në Tiranë ka pasur shumë njerëz që iu ka interesuar të besojnë rrenat. Kur rrena ec, edhe besohet. Mirëpo, kjo nuk e ndërron të vërtetën. Por ka edhe më shumë se kaq natyrisht. Tashmë që kanë bij e bija, nipër e mbesa, duan të shiten si heronj edhe pse gjithnjë i kanë mbajtur poturet pa ushkur, gati për t’i ulur dhe që, pa shumë zor, i janë shitur ustait të radhës…