Tashmë edhe periudha e pranverës vijon të ketë flukse turistësh dhe mbi të gjitha ka media prestigjioze që e sugjerojnë vendin tonë si një destinacion që ofron pika të ndryshme për t’u vizituar.
Britanikja “The Telegraph” shkruan në artikullin më të fundit me kryetitull për 10 pikat e pushimeve më të mira në Shqipëri, si destinacioni më i ri i udhëtimeve në Evropë. Ky vend ballkanik po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar nga udhëtarët britanikë.
“The Telegraph” shkruan se tani gjithçka që ju nevojitet është pak frymëzim dhe mund të vizioni një nga 10 pikat emocionuese të Shqipërisë, duke nisur me Tiranën. Kryeqyteti dinamik shqiptar po bën emër si një qytet ku historia e pasur bashkohet me një energji të dukshme rinore.
Si destinacion të dytë për t’u vizituar, e përditshmja britanike rekomandon për pushuesit Liqenin e Ohrit, që përshkon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe shpesh quhet “Galapagosi Evropian” falë biodiversitetit mbresëlënës.
Në artikullin më të fundit të “The Telegraph” në vëmendje është edhe kuzhina shqiptare, e cila mbështetet në prodhimet e larmishme të produkteve bio që mund të gjenden si në zonat malore, ashtu edhe në ato bregdetare.
Shqipëria është një parajsë për ata që kërkojnë aventurat, veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitetet ujore. Të tilla eksperienca, sipas të përditshmes britanike, mund t’i përjetoni në kanionet e Osumit dhe lumin Vjosa; ky i fundit mund të shfrytëzohet për të lëvizur me kajak.
Për ata që preferojnë zonat malore, Alpet Shqiptare janë vendi ideal, pasi vargu malor me peizazhet unike bëhet njësh me pyjet e harlisura dhe lugina të thella të mbushura me bimësi të egra.
Nuk mund të mungonte në artikullin e “The Telegraph” edhe Riviera e bukur shqiptare në jug, me gjiret e saj që të lënë pa frymë, nga Vlora deri në Ksamil. Ndërsa për ata që duan të zbulojnë historinë e vjetër, sugjerohet Berati dhe Gjirokastra, të listuara në UNESCO, që ofrojnë krejtësisht një panoramë tjetër për kureshtarët e historisë dhe trashëgimisë.
Nga ana tjetër, e përditshmja britanike “The Telegraph” shkruan se për të gjithë ata që duan adrenalinën e pedalimit me dy rrota, mund të shëtisin përgjatë rivierës së bukur shqiptare e deri në zonat malore të Alpeve, por edhe në liqenet piktoreske të Shqipërisë.











