Ne i marrim disa fakte për të vërteta, po në fakt gabohemi. Shumë nga këto “fakte” që kemi mësuar në shkollë apo dëgjuar gjetkë, janë provuar të jenë të gabuara, duke treguar sërish se thjesht përmendja e përsëritur e një fakti nuk e bën domosdoshmërisht të vërtetë atë.
Ndërsa ka me qindra besime të gabuara, keqkuptime ose thjesht fabula të historisë, apo të kulturës moderne, të cilat janë të pasakta, në këtë listë të shkurtër, janë përzgjedhur dhjetë faktet më të njohura, të cilat janë të pavërteta.
SHBA humbën Luftën e Vietnamit
Ndërsa është një fakt tashmë që Republika e Vietnamit të Jugut nuk ekziston më (pasi është marrë nga fqinji verior komunist), fakti që SHBA ka humbur luftën e gjatë 7-vjeçare atje, çka përshpejtoi ndërhyrjen e vietnamezëve, është një keqkuptim i madh.
Në fakt, gjatë kohës kur vietnamezët e veriut hynë në jug, në pranverën e vitit 1975, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin larguar prej 2 vjetësht. E vetmja arsye pse lufta është konsideruar një humbje për Amerikën ka qenë kostoja e madhe (57000 amerikanë të vrarë) dhe mungesa e përkrahjes së luftës në Amerikë.
Mund të konsiderohet si disfatë politike, në kuptimin që Amerika ishte kaq e lodhur nga konflikti, saqë humbi vullnetin për të shkuar në mbrojtje të Vietnamit të Jugut, kur Vietnami i Veriut shpalli luftën, duke i hequr sovranitetin vendit dhe duke i lënë SHBA-së një njollë për pastrimin e të cilës u deshën dekada.
Sidoqoftë, SHBA nuk e humbi luftën në kuptimin tradicional, që lidhet me aspektin ushtarak. Në fakt, Marrëveshja e Parisit i dha SHBA-së gjithçka që donte nga Vietnami i Veriut, duke e sjellë luftën në një pikë që mund të konsiderohet arritje pozitive. Kush mund të mendonte që Vietnami i Veriut do të shfuqizonte marrëveshjen vetëm dy vjet më vonë?
Charles Lindbergh ishte njeriu i parë që përshkoi Oqeanin Atlantik nga ajri
Ndërsa ”Lindi fatlum” u bë thuajse hero kur përshkroi i vetëm Atlantikun nga ajri – një udhëtim që zgjati 34 orë, rreth 3600 milje, ai nuk ishte i pari që përshkonte distanca nga ajri.
Në fakt, ishte njeriu i 85-të që e bëri këtë. Për herë të parë, fluturimi u realizua nga një çift aviatorësh britanikë, John Alcock dhe Arthur Brown, 8 vjet para Lindbergh-ut, kur ata fluturuan nga Newfoundland (Toka e Re), përmes Kanadasë, deri në Irlandë, në qershor 1919. Po ashtu fluturimi është realizuar nga një ekip i tërë gjerman, në Los Angelos, në vitin 1924. Kjo nuk përfshin ata që kanë ndërmarrë një nismë të tillë, por nuk kanë mbijetuar, si për shembull aviatorët francezë Charles Nungesser dhe Francois Coli, të cilët tentuan të fluturonin vetëm 3 javë para Lindberghut dhe që më vonë u zhdukën diku mes Parisit dhe Nju Jorkut.
Lindbergh ishte i pari megjithatë që fluturoi i vetëm, që është edhe arsyeja pse u bë aq shumë bujë për të, duke konsideruar veçanërisht faktin që nuk ka pasur autopilotë në atë kohë, kështu që ai u detyrua të rrinte zgjuara për plot 34 orë udhëtim. E thoni pas kësaj që patët një fluturim të keq!
Kolombi ishte evropiani i parë që zbuloi Amerikën e Veriut
Ndonëse ideja se Kolombi ka qenë evropiani i parë që ka zbuluar Amerikën shprehet si fakt historik në tekstet historike të shumë vendeve, po bëhet gjithnjë e më shpesh me dije se ndoshta ai nuk ka qenë evropiani i parë që ka realizuar udhëtimin në fjalë. Flitet përgjithësisht se vikingu,i quajtur Leif Erickson, ka udhëtuar nga Skandinavia drejt Tokës së Re 500 vjet të mira para se Kolombi të ishte lindur.
Në fakt, vikingët kanë ndërtuar fshatra në Groenlandë dhe në bregdetin kanadez, çka i bën ata evropianët e parë që kanë kolonizuar Botën e Re. Ka të dhëna që fenikasit e lashtë – njerëz nga Mesdheu lindor, që kanë jetuar mes viteve 1550-300 para Krishtit, mund ta kenë realizuar këtë udhëtimi shumë shekuj përpara.
Kolombi është evropiani i parë që ka zbuluar Amerikën në kohët “moderne”, si dhe i pari që faktoi për botën e “qytetëruar” ekzistencën e një kontinenti midis Evropës dhe Azisë. Një “fakt” tjetër, që duhet rishikuar është ai që supozon se Kolombi kishte për qëllim të provonte se bota nuk ishte e sheshtë. Në fakt, në vitin 1492 askush nuk besonte që Toka ishte e sheshtë. Ajo që Kolombi donte të provonte ishte mundësia për të shkuar nga Evropa në Kinë, duke lundruar nga perëndimi dhe jo nga lindja. Pra, ai po kërkonte për një rrugë më të shkurtër dhe gjeti një kontinent të tërë.
Vëllezërit Wright ishin të parët që fluturuan në avion
Ndonëse arritja e vëllezërve të talentuar nga Daytoni nuk mund të mohohet, fakti është që ka pasur një numër njerëzish të cilët kanë fluturuar një avion.
Me gjasa, pretendimi më i mundshëm i fluturimit të parë, i atribuohet emigrantit gjerman, të quajtur Gustav Whitehead, i cili mund të ketë realizuar një ose dy fluturime me një miniavion të dizenjuar nga po ai në fillim të vitit 1901 – plot dy vite para vëllezërve Wright.
Për fat të keq, Gustavi ishte mekanik dhe aviator i zoti, por jo arkivist i mirë. Ai neglizhoi të fotografonte ose të dokumentonte fluturimin e tij (pavarësisht se një reporter nga një gazetë lokale pretendoi të kishte parë një fluturim të dytë në vitin 1902). Nëse ai do të kishte bërë ndonjë fotografi, historia e aviacionit mund të kishte qenë ndryshe dhe ai nuk do të ishte thjesht një shënim i rastësishëm në të. Whitehead nuk është i vetmi megjithatë, pasi disa mbrojnë tezën se francezi Clement Ader mund ta ketë përmbushur këtë detyrë në vitin 1897 me një avion delikat, të quajtur Avioni III. Po ashtu, mendohet se një tjetër francez, Felix du Temple, mund ta ketë realizuar këtë që në vitin 1874. Po ashtu, oficeri i ushtrisë ruse, Aleksander Mozhaiski, supozohet të ketë fluturuar në një avion në vitin 1884.
Pra, lista e kandidatëve që mund të kenë fluturuar para vëllezërve Wright është e konsiderueshme. Megjithatë, vëllezërit Wright ishin të parët që kontrolluan realisht një avion, duke dyshuar pretendimet e mëparshme, pasi asnjë nga kandidatët e mëparshëm nuk kishte fluturuar aq larg (përgjithësisht vetëm pak qindra këmbë) apo në mënyrë aq profesionale – me përjashtim të Whitehead. Sikur ai të kishte marrë një kamera me vete!
Alexander Graham Bell shpiku telefonin
Jo për të dyshuar aftësitë e zotit Bell, por ai nuk e ka arritur i vetëm këtë shpikje moderne, pasi ka pasur një sërë burrash që kanë punuar me këtë ide në të njëjtën kohë me të.
Ai thjesht u tregua më i shpejtë se konkurrentët e tij në përfundimin e idesë, duke marrë kështu i pari patentën.
Në fakt, disa historianë mbrojnë tezën se një partner i tij, Elisha Gray ishte i pari që krijoi një telefon funksional, vetëm që të shikonte Bell-in të merrte të gjitha kreditet e shpikjes pak para tij. (Dhe Gray ka pasur plot 70 patenta të tjera, kryesisht me orientim komunikimin. Ai e ka humbur bastin me Bell-in vetëm për disa orë!) Emra të tjerë që përmenden për punën e tyre mbi mjetet e hershme të komunikimit janë Antonio Meucci, i cili ka eksperimentuar pothuajse me sukses me telefonat elektromagnetikë në vitin 1857; Innocenzo Manzetti, i cili mund të ketë shpikur “telegrafin që flet” me herët se viti 1865 dhe shpikësi gjerman Johann Philipp Reis, i cili ka qenë duke punuar për këtë ide gjatë viteve 1860.
Shpikësi hungarez, Tivadar Puskas bëri të mundur përdorimin e telefonit, duke shpikur komutatorin dhe atë që njihej si “linjë e pjesshme” duke bërë të mundur kësisoj që shpikjet e Meuccit, Manzettit, Resisit, Grayit dhe Bellit të përdoreshin në mënyrë praktike.
Charles Darwin ishte i pari që konceptoi Teorinë e Evolucionit
Sikurse telefoni, asnjë ide nuk lind nga një nënë e vetme.
Pothuajse gjithnjë, më shumë se një person është duke punuar mbi të njëjtën ide në të njëjtën kohë dhe njëri prej tyre, pashmangshmërisht, në fund merr shumicën e krediteve. Kjo nuk vlen vetëm për shpikjet, por edhe për shumicën e teorive shkencore, gjithashtu. Kështu ka ndodhur edhe me Teorinë e Evolucionit.
Natyralisti britanik Charles Darwin mendohet të jetë krijuesi i këtij koncepti, po në fakt ka pasur një numër shkencëtarësh dhe natyralistësh që kanë punuar në këtë çështje të mprehtë – si qeniet njerëzore kanë mbërritur deri këtu, e shpjeguar kjo në mënyrë jo-biblike Themeli i idesë mund të jetë hedhur nga filozofi dhe shkencëtari grek, Anaximanderi (610 para Krishtit – 546 para Krishtit), i cili ka qenë i pari që ka sugjeruar se janë forcat fizike, dhe jo forcat e mbinatyrshme, ato që krijojnë rendin e universit.
Megjithatë, hapat e para për teorinë moderne të evolucionit janë artikuluar në vitin 1745 nga matematikani dhe filozofi francez Pierre Louis Maupertius.
Për më tepër, gjyshi i Charles Darwin, Erasmus Darwin, ka shkruar për këtë ide që në vitin 1796. Megjithatë, pak njerëz kanë kontribuar në këtë teori, aq sa natyralisti francez Jean-Baptise Lamarck, i cili shkroi teorinë e parë realisht kohezive të evolucionit, në të cilën ai pohoi se është një forcë e natyrshme ajo që rrit kompleksitetin e organizmave dhe se një forcë e dytë mjedisore i përshtat ato me mjedisin lokal përmes përdorimit ose mospërdorimit të karakteristikave që i diferencon organizmat nga njëra-tjetra – gjë që është shumë e afërt me konceptin e seleksionimit natyral, të shtjelluar nga Darwini. Konkurrenti më i madh i Darwinit megjithatë ka qenë anglezi Alfred Wallace, i cili paraqiti një teori shumë të ngjashme me atë të Darwinit në vitin 1858, në po të njëjtën kohë kur Darwini paraqiti teorinë e tij.
Libri i tij, Origjina e llojeve, e bëri Darwinin botërisht të njohur dhe është pikërisht ky libër arsyeja pse edhe sot kreditet më të mëdha (ose sipas disa të tjerëve, faji më i madh) për teorinë e evolucionit, i takojnë pikërisht atij.
Vrasja e John Kennedy ishte pjesë e një konspiracioni të madh
Ndonëse ideja se vrasja e Presidentit Kennedy ka qenë pjesë e një konspiracioni të madh është një legjendë urbane, kjo besohet nga një përqindje e lartë e popullsisë – sipas disa përllogaritjeve nga 70% e saj.
Ideja se një i krisur i vetmuar si Lee Harvey Oswald mund të ketë shkrepur armën për atë që njihet si vrasja e shekullit, pa ndonjë ndihmë, është tepër e vështirë për t’u pranuar nga disa. Kjo ka çuar në besimin e shumë teorive konspirative për më shumë se 50 vjet.
Këto teori ndahen përgjithësisht në dy grupe: njëri grup beson se Oswald ishte “dërguar” nga dikush – CIA dhe Mafia janë të dyshuarit kryesorë dhe grupi tjetër beson se ai ka pasur ndihmë gjatë vrasjes. Vdekja e Oswald-it nga duart e pronarit të një klubi nate në Dallas, Jack Ruby, vetëm pak ditë më vonë, për shumëkënd i vë vulën çështjes, duke e shndërruar konspiracionin për Kennedy-n në një nga industritë më të suksesshme dhe më fitimprurëse në Amerikë deri në ditët e sotme.
Sigurisht, mungesa e provave që tregojnë se Oswald në fakt kishte mjetet, motivin dhe mundësinë të kryente krimin më rrëqethës të shekullit XX i vetëm apo mungesa e provave të forta që sugjerojnë të kundërtën, nuk vlejnë shumë për të kthyer mendjen e atyre që janë realisht të bindur se vrasja e Kennedy ishte produkt i një komplot masiv të CIA-s, mafias kubaneze, mafias ruse, Nënpresidentit Johnson. Duket se ky “fakt” nuk ka gjasa të hidhet poshtë për miliona njerëz.
Ne përdorim vetëm 10% të trurit
Ky “fakt” është përsëritur kaq herë, sa që shumica e njerëzve as që nuk pyesin më për të, duke e konsideruar atë rrjedhimisht si të vërtetë. Vetëm një çast reflektimi mund të mjaftojë për të treguar falsitetin e kësaj ideje.
Truri është një organ i mrekullueshëm që merret me gjithçka: që nga pulitja e syve dhe deri tek mbajtja mend e vendit të çelësave të makinës. Përdorimi i vetëm 10% të trurit nënkupton se ai është asgjë më shumë sesa një organ rudimentar dhe goditja në kokë do të ishte kështu më tepër bezdi sesa katastrofë.
Në fakt, çdokush përdor 100% të trurit gjatë gjithë kohës; thjesht pjesë të ndryshme të tij janë përgjegjëse për funksione të veçanta. Mund të jetë e vërtetë që vetëm 10% e trurit përdoret për funksione të larta, si për shembull mendimi konjitiv, arsyetimi dhe kujtesa, por kjo nuk do të thotë që pjesa tjetër e tij është papunë.
Pjesët e tjera të tij janë të zëna duke mundësuar funksione të tjera si rrahja e zemrës, përgjigjja e receptorëve etje. Në të vërtetë, shkenca sapo ka filluar të kuptojë kompleksitetet e trurit njerëzor dhe kapacitetin e tij për të bërë gjithë sa bën, duke e shndërruar trurin në një mister të madh. Perspektiva, sipas të cilës, ne nuk e përdorim trurin të kapacitetin e tij të plotë mund të jetë konsideratë e vlefshme, por në një tjetër këndvështrim.
“New Deal” e Rooseveltit i dha fund Depresionit
Për më shumë se 70 vite, na është mësuar se Roosevelt ka qenë përgjegjës për përfundimin e Depresionit të Madh të viteve ’30, përmes miratimit të programeve për shpenzime qeveritare, masë e njohur si “New Deal”.
Në fakt, suksesi i programeve të shpenzimeve masive nga Roosevelt referohet përgjithësisht nga qeveritë e sotme si provë që infuzionet e shpenzimeve federale janë shpresa më e madhe për të varfrit dhe ky sukses ka qenë shtysa mbrapa disa prej programeve më të mëdha të së drejtës federale në histori, nga Medicare dhe Medicaid, deri në programet për mirëqenien dhe për pullat ushqimore.
Problemi i vetëm është se “New Deal” ka pasur fare pak ndikim në rikuperimin e vendit nga Depresioni i Madh dhe në fakt mund ta ketë vonuar këtë rikuperim me disa vite, për shkak të rritjes së taksave të korporatave. Ishte Lufta e Dytë Botërore, ajo që hapi shumë vende pune për amerikanët, e cila, e kombinuar me uljen e taksave në vitin 1946, e çoi vendin drejt një prej periudhave më të lulëzuara të tij.
Nuk e besoni?
Atëherë thjesht krahasoni se sa kohë iu desh Amerikës që të merrte veten nga Depresioni krahasuar me vende të Evropës, të cilat patën gjithashtu një rënie të madhe ekonomike në fillim të viteve 1930; Anglia, Franca dhe madje edhe Gjermania e lanë mbrapa depresionin deri në vitin 1935, ndërsa Amerika vazhdoi të ketë papunësi të lartë dhe GNP të ngadaltë për shumë vite të tjera. Askush nuk e fajëson Roosevelt-in për qëllimet e tij fisnike dhe dëshirën e mirë për të lehtësuar vuajtjen e njerëzve, por “New Deal” tregoi se, nëse qeveria nuk i “rregullon” dot problemet e vendit, duhet të paktën të lërë forcat ekonomike dhe financiare të rikuperohen vetë.
Thomas Edison shpiku llampën
Si shumë shpikje të tjera në histori, edhe kjo duhet të jetë se s’bën pjesë e kategorisë “Pyes veten kush e ka shpikur i pari”. Ndonëse kreditet i jepen Edisonit, puna e lodhshme për shpikjen e llambës ka filluar shumë kohë më parë se Edisoni të arrinte të zgjidhte problemin me trurin e tij të jashtëzakonshëm.
Që në vitin 1802, një djalë i quajtur Humphrey Davy e kaloi rrymën elektrike përmes një fijeje të hollë platini, duke krijuar kështu shfaqjen e parë, të shkurtër, por impresionuese të dritës. Pas kësaj filloi gara se kush do të arrinte të gjente fijen e hollë që mund ta zgjaste dritën pak më shumë se, le të themi, pesë minuta. Në vitin 1841, një tjetër anglez, Frederick de Moleyns, arriti të krijonte llambën e parë inkandeshente, duke përdorur tela platini si filament. Por ajo ishte tepër e kushtueshme, prandaj nuk mund të ishte gjerësisht e përdorshme. Kjo është arsyeja pse askush nuk flet për shpikjen e jashtëzakonshme të Moleyn. Pas kësaj, dikush tjetër arriti të gjente një material që ishte njëkohësisht ekonomik dhe afatgjatë, dy kushtet që kërkoheshin për një llambë të përdorshme.
Ndërsa skuadra e Edisonit gjeti një filament prej bambuje të karbonizuar, e cila mund të zgjaste deri në 1200 orë, çka e bënte llambën praktike, një tjetër fizikan britanik, Joseph Swan e sfidoi Edisonin, duke shpikur diçka të ngjashme me llambën e pas disa viteve, që shpiku Edisoni. Ai madje do të kishte filluar t’i instalonte këto llamba në pub-et e Londrës, ndërsa Edisoni ishte ende duke verifikuar nëse fijet e flokëve mund të funksiononin si filament. Megjithatë, historia nuk është treguar bujare për z. Swan dhe ai përgjithësisht harrohet për shpikjen e tij, çfarë shpjegon pse ai gjendej shpesh i dehur në pub-et e Londrës, të ndriçuara nga llambat.
TO/d.i.