Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë: Ne do të vazhdojmë të lobojnë që ndryshimet në Kodin Penal, të cilat po miratohen me procedura të përshpejtuara, të mos kalojnë në Kuvend…
Qeveria ka propozuar disa ndryshime (që po diskutohen edhe në Kuvend) në Kodin Penal, ku parashikohen ashpërsimi i dënimeve në rastet e kontrabandës, mosdeklarimi i mallrave në doganë, deklarimi i rremë, etj., si i gjykoni?
Propozimet e fundit që bëhen për të ndryshuar Kodin Penal urojmë që të mos kalojnë, do të kërkojnë të miratohen me shumicë të cilësuar (3/5) të deputetëve. Dhoma e Tregtisë i ka analizuar me shumë kujdes këto propozime jo vetëm në një analizë të brendshme, por edhe me anëtarët e saj, sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe me ekspertë e analistë të ndryshëm. Të gjithë janë të mendimit se këto janë masa të paprecedenta e aq më tepër që merren në një vend ende në zhvillim, ku tërheqja e investitorëve të huaj është kusht i domosdoshëm për buxhetin, për profilin që duhet të krijojë një vend që synon të zhvillohet përmes sipërmarrjes private.
Nenet e propozuara ashpërsojnë maksimalisht dënimet administrative. Kodi Penal deri më sot nuk parashikonte dënime penale, pa kaluar dënimet administrative. Ky është një kapërcim që bëhet në shkelje të rëndë edhe të parimeve kushtetuese, pasi nuk mund të kemi dënim penal për vepra që në fillim dënohet nga ana administrative. Kjo mund të ndodhë nëse është marrë më parë ndëshkimi administrativ dhe pastaj është përsëritur.
Në këtë mënyrë nuk bëhet asgjë tjetër veçse rëndohet klima e të bërit biznes, por edhe ekonomia shqiptare, e cila do të futet në një rreth vicioz, pasi nuk do të ketë më nisma, sipërmarrësit do të jenë të pezmatuar në zgjerim, por edhe në ushtrim aktiviteti. Gabimet janë njerëzore dhe nuk mundet që për gabimin e punonjësit të ndëshkohet sipërmarrësi. Kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Ligji është shumë i ftohtë dhe i prerë.
Në këto kushte a mund të rriten shanset për korrupsion në administratën publike?
Po, ky është burimi më i mirë për të pasuruar administratën publike. Në kushtet e një presioni më të madh, korrupsioni do të arrijë në nivele shumë të larta, gjë e cila do të çojë në një kolaps të plotë komunikimin mes qeverisë dhe sipërmarrjes.
A do të cenohet konkurrenca me vendet e rajonit?
Është më se normale. Sipërmarrësi për vetë profilin që ka orientohet nga lehtësitë e të bërit biznes, por edhe nga paketat atraktive që ofrojnë vendet e tjera. Të mos harrojmë që ne jemi shumë keq me paketën konkurrenciale në krahasim me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Kjo e fundit ofron paketën më tërheqëse në rajon dhe në Europë për sipërmarrësit.
A mund të vihemi përballë rrezikut të largimit të kapitalit vendas?
Jo vetëm kjo. Unë e shoh me shumë rrezik këtë tendencë të mazhorancës aktuale për të penalizuar sipërmarrjen private. Është hera e parë që në 25 vite krijohet dhe ngrihet në mënyrë të ristrukturuar institucioni i “hakmarrjes”, mllefit dhe urrejtjes. Askund nuk është parë që të paragjykohet në mënyrë të tillë sipërmarrja e lirë. Është rruga më e gabuar që mund të ndiqet. Në normalitet ne duhet të jemi “shërbëtorë” të sipërmarrësit privat që merr nisma dhe ndihmon në uljen e papunësisë. Ne sugjerojmë dhe propozojmë që jo vetëm këto masa të mos aplikohen, por të ketë liberalizim dhe lehtësim të masave penalizueze, qoftë edhe për gjobat. Nga ana tjetër të përjashtohen të gjitha veprat që kanë tendencë për të rënduar situatën e sipërmarrjes private. Ne do të vazhdojmë të lobojnë që, këto ndryshime të cilat po miratohen me procedura të përshpejtuara, të mos kalojnë në Kuvend.
………………
Rritja e dënimit asnjëherë nuk sjell efekt reduktimin
Flet Brikena Kasmi, partnere, studio ligjore “AFortiori Legal Counselors”
Si i gjykoni ndryshimet që po ndërmerren në Kodin Penal?
Në fillim duhet të them se ndryshimet ligjore mund të jenë të përshtatshme në çdo kohë, nëse kërkohet të ndryshohet një marrëdhënie juridike, për të shtuar apo për të prezantuar një mjet të ri juridik material apo procedural, si dhe për të ndryshuar, duke lehtësuar apo duke rënduar një politikë ligjore. Në rastin e Kodit Penal synohet të ashpërsohet politika penale në kuadrin e rritjes së dënimit penal për disa vepra penale. Këto ndryshime synojnë të rrisin marzhin e dënimit për veprat penale ekzistuese, për të cilat pushteti ekzekutiv (sepse është nismë e qeverisë) ka vlerësuar se nuk kanë sjellë qëllimin e mënjanimit apo reduktimit të veprës penale. Ashpërsimi është vlerësuar si një mjet për të reduktuar kryerjen e këtyre veprave penale.
Personalisht bëj pjesë në grupin e juristëve që ashpërsimin e normës penale nuk e vlerësojnë si mjet efikas për reduktimin e numrit të veprave penale. Rritja e dënimit asnjëherë nuk sjell efekt reduktimin, përkundrazi këto vepra do t’i shfryjnë në një fushë tjetër. Teoritë e ndryshme mbi qëllimin e dënimit që përfshijnë ato absolute, relative, të përziera e bashkëkohore, ndryshojnë në dy pikëpamje.
Pikëpamja e parë e koncepton qëllimin e dënimit si hakmarrje ndaj individit për shkeljen që ka kryer, ndërsa e dyta është masë parandaluese. Në ditët e sotme, të gjitha vendet që kanë një sistem demokratik qeverisës pohojnë se dënimi është mjeti i fundit dhe i jashtëzakonshëm që mund të jepet ndaj një personi. Qëllimi i dënimit është masë parandaluese dhe riedukuese, por klasifikimi i veprave të dënueshme përmbush qëllimin e parandalimit. Ashpërsimi për shkak të dështimit të shtetit për të rregulluar situatën është një mjet i padobishëm. Këtë e kemi pranuar si shtet që herët, duke përfshirë dhe prezantimin e masave alternative në vitin 2008.
Në rastin e mosdeklarimit në doganë si mund të bëhet dallimi nëse ai është bërë i qëllimshëm apo nëse kemi të bëjmë me një rast abuzimi nga individi në dëm të biznesit, apo nga ana e furnizuesit të mallit?
Në rastin që mosdeklarimi parashikohet vepër penale, përcaktimi i anës subjektive që përfshin dashjen direkte apo neglizhencën apo i anës objektive të kryerjes së veprës penale, janë çështje të hetimit individual të kësaj vepre penale nga organet e ngarkuara nga ligji me ndjekjen penale.
Këto organe shtetërore verifikojnë rast pas rasti qëllimin, motivin, mjetet e pasojat e ardhjes së veprës penale nga një individ, person fizik apo juridik apo punonjësit shtetërorë.
A mund të çojnë këto ndryshime në rritjen e abuzimit nga ana e administratës doganore?
Çdo ndryshim duhet të bëhet në përputhje me mentalitetin, nevojat dhe kulturën e një shoqërie në të cilin ndryshimi (ligji) synohet të zbatohet.
Nëse mentaliteti i shoqërisë përfshin mosrespektimin e ligjit, abuzimin me biznesin apo detyrën, sigurisht që këto masa do të çojnë në abuzim, sepse rëndojnë vetëm njërën anë të marrëdhënies. Nëse situata është vlerësuar me një rritje të informalitetit, kjo ka ardhur sepse punonjësit shtetërorë nuk kanë bërë detyrën dhe sepse biznesi ka kërkuar të përfitojë në mënyrë abuzive. Në penologji, dënimi është gjithëpërfshirës, pra duhet të përcaktohen dënime për të gjithë aktorët e një procesi si për punonjësit dhe biznesin. Duke u nisur nga shprehja angleze se “Duhen dy në një tango” duhet që masat të prezantojnë një mjet efikas për të dyja palët, shtetin dhe biznesin. Dhënia e një mjeti represiv penal kundër biznesit, administratës shtetërore është si t’i japësh një fëmije një armë bashkëkohore.
Dua të them se masat represive mund të implementohen nga një administratë profesioniste e trajnuar e me traditë të konsoliduar në një sistem demokratik qeverisës.
Cila është përvoja e shteteve të tjera (fqinje ndoshta) në raste të tilla shkeljesh?
Serbia dhe Mali i Zi kanë zbatuar politikën penale alternative të dënimit. Përgjithësisht shoqëritë bashkëkohore kanë përqasur teoritë e kontratës shoqërore, idealiste e metafizike. Shkelja e rregullave duhet ndëshkuar, por masa e ndëshkimit është në proporcion me kulturën e standardit të zhvillimit të shoqërisë implementuese.
Disa nga nenet e propozuara nuk sjellin një përafrim të legjislacionit shqiptar. Është e nevojshme që, në raste të tilla, në kohën që biznesi ka kapërcyer kufijtë territorialë shqiptarë, të ketë ato standarde që njihen nga vendet fqinje apo me të cilat marrëdhëniet e biznesit janë më të shpeshta.
A rrezikojnë këto masa që të sjellin një rëndim të panevojshëm të sistemit gjyqësor, gjë që shoqërohet natyrisht edhe me kosto?
Të gjitha masat që rrisin marzhin e dënimit, që ashpërsojnë politikën penale, rrezikojnë kosto shtesë për shtetin. Nëse sot ngarkesa në institucionet e vuajtjes së dënimit është 500-700 persona mbi kapacitetet aktuale, këto masa mund ta dyfishojnë këtë ngarkesë mbi kapacitetin financiar e njerëzor aktual të sistemit penitenciar.
Në iniciativën ligjore që synohet të miratohet duhet të përcaktohet detyrimisht kosto financiare e masave të propozuara apo implikimet që do të sjellë ndërhyrja ligjore në sistemin shtetëror. Ministritë e linjës për fushat që mbulojnë duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar numrin statistikor të veprave penale të dënueshme, si dhe ata që pritet të dënohen me anë të rritjes së dënimit. Kosto përfshin përveç rritjen e detyrimit financiar shtetëror për një të dënuar, edhe detyrimin që ka shteti të përmirësojë regjimin e institucioneve, sistemin e ekzekutimit, që përfshin atë të izolimit, të heshtjes, kolektiv apo progresi
Monitor/