Nga Ben Andoni/
Në jetën e vakët të vendit, që bëhet më e frikshme prej temperaturave të larta, lajme të tilla thjesht sa i flladisin shumë njerëz. Përditmëria e mbytur me aktivitete mbijetese, e me përpjekjen e madhe të individit për të ngjitur gurin në majë të asgjësë, thjesht i bjerr fuqitë. Ani, derisa kujtohen se lajmi i vogël që dëgjuan diku ndajdite, mund t’u jep pak shpresë. Atëherë, rrinë pak të qetësohen, e vendosin gurin diku dhe e peshojnë mirë lajmin. Një i tillë mund të konsiderohet lajmi se Revista letrare shqiptare “Poeteka”, në dhjetë vjetorin e saj, është futur në rrjetin Eurozine. E pastaj? Kujt i hyn në punë?-do thotë dikush. ‘Askujt’, në fakt.
Veç, një armate të padukshme, që në vetminë e vet mbush e mbush faqe ku hedh impresione, ndjek teknika shkrimi dhe synon lartësim të shpirtit përmes shprehjes. Lajmi është i bukur dhe institucionalisht për strukturat shqiptare që e kanë ndihur me sa kanë mundur “Poetekën”, që një zë shqiptar është së fundmi në familjen e 80 revistave të njohura evropiane. Mbi të gjitha, merita i takon shkrimtarit Arian Leka, ideatorit dhe kryeredaktorit të saj, që ka kuptuar një mekanizëm, të cilin të tjerët u duket i padeshifrueshëm.
Falë këtij mekanizmi, ku ndërthuret i gjithë perceptimi kulturoro-artistik i njeriut të sotëm, EUROZINE ka fituar shumë besueshmëri në botën e artdashësve sepse ofron burim të pasur informacioni për lexuesin ndërkombëtar si dhe lehtëson komunikimin e shkëmbimin mes vetë revistave kulturore. Rrjeti paraqet artikujt më të mirë botuar nga partnerët e saj, ardhur në gjuhën origjinale, të cilat falë EUROZINE përkthehen, përhapen dhe promovohen, thotë Leka.
E kur mendon se arti duket pak i zbythur në këto vite të mëdha sfide ekonomike, atëherë bindesh se askush më mirë sesa letrat dhe fikshëni nuk bën dot aq punë për të shpëtuar shpirtrat. Diversiteti kulturor evropian, si një pasuri e kontinentit, falë këtij rrjeti është në perspektiva të reja përmes fjalës dhe mendimit të përkthyer.
EUROZINE ka meritën se në pak vitet e ekzistencës së saj ka ngucur një bashkëbisedim të gjerë ndërkombëtar mes fashave të ndryshme të popullsisë evropiane që janë të lidhura me letërsinë. Dhe, falë përkthimit në disa gjuhë potenciale, EUROZINE u krijon autorëve mundësinë për t’u kuptuar dhe vlerësuar edhe përtej kontekstit të gjuhëve tyre origjinale.
Mbase për këtë duket të bindemi se ky lajm mund të quhet i mrekullueshëm në këto ditë mbushur me kaq shumë lajme kontradiktore dhe të lodhshme. Kultura është një fllad i shpirtit, që të lehtëson të përballësh qoftë edhe me këto barriera që na i ngre përditë e keqja e pashtershme …