Mes debateve të ashpra që shoqëruan mbledhjen e Këshillit Bashkiak deri në orët e vona të natës, me propozim të kryebashkiakut Erion Veliaj, Bashkia ka miratuar vendimin për të rritur cmimin e biletës së urbanit në 40 lekë. Vendimi u votua rreth orës 00:40 minuta me kartonat e shumicës teksa këshilltarët e PD kundërshtuan ashpër draftin duke e cilësuar si afera e rradhës nga ana e kryebashkiakut. Vetë Veliaj tha se propozimi ka të bëjë me indeksimin e cmimit të biletës së urbanit, veprim i cili do ta rrisë me 10 lekë koston e saj. Më parë kryebashkiaku zhvilloi një sërë negociatash intensive me shoqatën e transportit qytetas, e cila prej kohësh kërcënonte se nëse nuk do të rishihej cmimi i biletës( kërkesa e shoqatës ishte që bileta të kushtonte 70 lekë) ata që më 1 janar të vitit të ardhshëm do të bojkotonin veprimtarinë e tyre, duke sjellë kështu pezullimin e plotë të transportit urban në kryeqytet.
I gjithë diskutimi mes palëve ka kaluar në një sërë debatesh të forta mes përfaqësuesve të PD, PS dhe vetë kryebashkiakut Veliaj. Këshilltarët e PD e kanë akuzuar kryebashkiakun se ka bërë një aferë korruptive në kurriz të qytetarëve të Tiranës, madje fjalori ka degraduar deri aty sa përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar Veliajn si hajdut apo xhepist gjatë transmetimit live të seancës së Këshillit Bashkiak.
Më poshtë janë disa nga debatet:
Akil Kraja (PD): Ky duket një skenar i organizuar. Ky vendim nuk mund të merret me urgjencë. Duhet të konsultohemi me grupet e interesit. Konsultohuni me qytetarët dhe ata do tu thonë se nuk janë dakord me këtë rritje. Bashkia thotë ‘unë negocioj, por vendimin merreni ju (këshilli bashkiak). Jo nuk funksionon kështu.
Eridian Salianji (PS): Sot jemi përballë një emergjence. Shoqata e Transportit ka paralajmëruar grevë dhe kur ka grevë ka emergencë. Komisioni i Ligjeve u mblodh me emergjencë për këtë situatë. Ju bëni sikur qani me lot krokodili. Ne që rritëm çmimin po marrim përgjegjësi. Kjo është përgjegjësi.
Fabian Topollaj (PD): Kjo është vjedhje, kjo që po bëni ju. Po nuk je ti hajduti, është ky këtu (i drejtohet Veliajt).
Eridian Salianji (PS): O legen, nuk kam për të të lënë ty për të folur, o legen.
Leonard Olli (PD): Propozimi ynë është, nuk ka prekje të cmimit të biletës. Duhet bashkëbisedim me Qeverinë për ta zgjidhur. Zoti Veliaj deklaruat se nuk do lejoni rritjen e cmimit. Nëse do luani me termat kjo është e turpshme.
Erion Veliaj: Ky është një sport që unë e njoh shumë mirë, nuk ka dyshime për këtë. Unë nuk kam bërë asnjë kontratë, ku është hajdutëria këtu? Nëse nuk marrim një vendim që na con në një zgjidhje, për cdo qytetar të Tiranës që në 1 Janar nuk do gjente autobusin në stacion dhe do merrte taksinë, do conte në 10fishim të biletës.
Fabian Topollaj(PD): (bërtet) O xhepist, o xhepist.
Erion Veliaj: Unë jam ndryshe nga struci (I referohet Lulzim Bashës) që ka qenë këtu. Ai ishte një frikacak që nuk mori asnjë vendim. Ja ky është simboli i degradimit që e degjeneroi qytetin.
(Leonard Olli cohet në këmbë dhe fillon të bërtasë…)
Veliaj: Qetësohu (i drejtohet Ollit), jepi një biberon atij tjetrit (Topollajt) dhe ulu.
…Leonard Olli dhe Fabian Topollaj cohen nga vendi I tyre dhe I afrohen Veliajt… I flasin duke I drejtuar gishtin… Veliaj u bën me shenjë të mbyllin gojën… Olli dhe Topollaj largohen…
NIS VOTIMI I cili miratohet me votat e këshilltarëve të PS dhe LSI
Reila Bozdo: Kryetar, më falni… ju lutem… ne nuk e marrim dot fjalën?
Erion Veliaj: Reila nuk kam cfarë të bëj shpirt, ke dy kolegë aty që bëjnë zhurmuesin. Ty ata ta bllokuan, edhe pamjen edhe figurën.