• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, March 3, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Zyrtarët e shëndetësisë i dalin globalisht në mbrojtje vaksinës kontroverse të AstraZenekës

by Java News
08/02/2021 21:48
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Zyrtarët e shëndetësisë në të gjithë botën i dhanë mbështetjen e tyre vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19, pas alarmit të përhapur nga një studim që tregonte se ajo ka pak efekt kundër simptomave të lehta të sëmundjes të shkaktuar nga një variant që po përhapet shpejt në Afrikën e Jugut.

Mundësia që variantet e reja të virusit t’i bëjnë të paefekshme vaksinat është një nga rreziqet kryesore që kanëç hedhur hije mbi strategjinë globale për daljen nga pandemia.

Afrika e Jugut, ku një variant i ri tani përfshin pjesën më të madhe të rasteve, fillimisht njoftoi një pauzë në shpërndarjen e një milion dozave të vaksinës AstraZeneca.

Por ajo tha të hënën se ende mund ta lejonte atë në “mënyrë të shkallëzuar”, duke dhënë 100,000 doza dhe duke e monitoruar për të parë nëse vaksina parandalon shtrimet në spital dhe vdekjet.

“Është tepër herët për ta refuzuar këtë vaksinë,” tha Richard Hatchett, shef ekzekutiv i Koalicionit për Novacione të Gatishmërisë Epidemike, një fondacion që bashkë-drejton programin global COVAX për të siguruar doza vaksinash për vendet e varfra.

Më shumë se 330 milion doza të vaksinës së AstraZeneca përbëjnë shumicën dërrmuese të dozave që COVAX synon të shpërndajë në fazën e parë në vendet e varfra duke nisur qysh këtë muaj.

“Padyshim që bota është plot me viruse të tipit të egër, ndaj të cilit dihet që AstraZeneca funksionon,” tha zoti Hatchett.

Profesor Salim Abdool Karim, bashkëkryetar i Komitetit Këshillimor Ministror të Afrikës së Jugut për COVID-19, tha se ishte tepër herët për të arritur në përfundimin se AstraZeneca nuk e parandalon sëmundjen serioze të shkaktuar nga varianti i përhapur atje.

Nëse vaksina nuk funksionon mirë kundër varianteve të reja në zhvillim të virusit, kjo mund të jetë një shenjë ogurzezë edhe për vaksinat e tjera, që mund të tregojë se virusi mund të pengojë përpjekjet e shkencëtarëve për ta luftuar atë.

Mesazhi i përgjithshëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe të tjerët ishte: mos u frikësoni. Disa zyrtarë të shëndetësisë globale vunë në dukje se studimi i Afrikës së Jugut ishte i vogël dhe e kishte testuar vaksinën duke përdorur një interval të shkurtër prej katër javësh midis dozave të para dhe të dyta, megjithë provat që tregojnë se vaksina funksionon më mirë nëse ka një pritje më të gjatë.

Po bëhet “gjithnjë e më e qartë, sa më i gjatë të jetë intervali midis dy dozave aq më i lartë është efikasiteti”, tha Kate O’Brien, shefe e imunizimeve në OBSH.

Eksperti kryesor në provat për Afrikës së Jugut tha se ai besonte që vaksina ka një rol të madh për të luajtur në Afrikë dhe në mbarë botën, dhe se 1 milion doza në Afrikën e Jugut, të cilat skadojnë në prill, duhet të përdoren shpejt, e jo të humbasin kot.

Qeveritë perëndimore folën në favor të vaksinës AstraZeneca, për të cilën shumë prej tyre e kanë dhënë miratimin.

Vaksina është shtylla kryesore e programit të vaksinimit në Britani, i cili deri tani ka qenë më i shpejti nga çdo vend tjetër i madh për të vaksinuar publikun. Në Britani është përhapur një variant tjetër mjaft ngjitës, ndaj të cilit vaksina është treguar e suksesshme.

“Ne mendojmë se të dyja vaksinat që po përdorim aktualisht janë të efektshme, në parandalimin e infektimeve serioze dhe të vdekjeve,” u tha gazetarëve Kryeministri Britanik Boris Johnson. Britania po përdor gjithashtu vaksinën e Pfizer.

Por nëse vaksinat nuk funksionojnë aq mirë sa shpresohej kundër varianteve të reja dhe në zhvillim, atëherë bota mund të përballet me një betejë shumë më të gjatë – dhe më të shtrenjtë – kundër virusit nga sa mendohej më parë.

Varianti dominues në Afrikën e Jugut po qarkullon në të paktën 40 vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Mes shqetësimeve në rritje lidhur me efektivitetin që garanton vaksina kundër COVID-19, e prodhuar nga kompania AstraZeneca, ndaj variantit të Afrikës së Jugut, ministri britanik i Shëndetësisë tha sot se nuk ka asnjë provë që vaksina nuk parandalon vdekjet apo format e rënda të sëmundjes.

Të dielën Afrika e Jugut pezulloi fushatën e vaksinimit pasi një studim i ri zbuloi se vaksina e AstraZeneca-s është më pak efektive kundër një varianti të virusit të gjetur në këtë vend.

Sot Organizata Botërore e Shëndetësisë po zhvillon një takim në lidhje me zhvillimin e fundit në Afrikën e Jugut.

Afrika e Jugut ndaloi shpërndarjen e vaksinave të AstraZeneca-s që luftojnë COVID-19 pasi të dhënat e një studimi të ri treguan se ajo ofronte mbrojtje minimale kundër rasteve të lehta të sëmundjes të shkaktuara nga një variant dominues i koronavirusit në vend.

Lajmi ishte një goditje për Afrikën e Jugut, ndërsa vendi ka pësuar më shumë se 46,000 vdekje nga virusi prej fillimit të pandemisë.

Studiuesit e Universitetit Witwatersrand në Johanesburg dhe atij të Oksfordit thanë se vaksina e AstraZeneca siguronte nje mbrojtje minimale kundër infeksioneve të lehta apo mesatare në mesin e të rinjve të shkaktuara nga i ashtuquajturi varianti i Afrikës së Jugut. Të dhënat e studimit nuk janë shqyrtuar ende nga ekspertë të tjerë të fushës.

Por ministri britanik Edward Argar tha se studimi sugjeronte se nuk kishte prova që vaksina nuk do të ishte efektive në parandalimin e shtrimeve në spital, rasteve të rënda si dhe vdekjeve.

“Ju mund të keni parë dje gjatë një numri intervistash Profesoren Sarah Gilbert (eksperte për prodhimin e vaksinave në Universitetin e Oksfordit). Ajo nuk tha asnjë që mund të përbënte shqetësim, se vaksina nuk do të ishte efektive kundër formave të rënda të sëmundjes, shtrimeve në spital apo vdekjes nga virusi. Në të vërtetë kjo është gjëja kryesore që ne po kërkojmë të trajtojmë në këtë pikë ku ndodhemi. Ne kemi nevojë për të shpëtuar jetë, ne duhet të parandalojmë njerëzit që preken nga format e rënda të sëmundjes”, tha ai.

Ndërkohë Ministri francez i Shëndetësisë Olivier Veran tha të hënën se ai vazhdonte ta mbështeste vaksinën e AstraZeneca, duke argumentuar se siguronte mbrojtje të mjaftueshme kundër “pothuajse të gjitha varianteve” të virusit.

Sipas tij të paktën 99 për qind e varianteve që qarkullojnë aktualisht në Francë nuk kanë asnjë ngjashmëri me atë të Afrikës së Jugut. Ministri Veran u pa tek merrte vaksinën në një nga qendrat e vaksinimi në qytetin Melun, në rajonin e Parisit.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi, duke mobilizuar të gjithë shkencëtarët, institucionet biologjike, spitalet, autoritetet shëndetësore rajonale, për të kufizuar sa më shumë të jetë e mundur përhapjen e variantit të Afrikës së Jugut. Sot unë vazhdoj të rekomandoj që punonjësit e shëndetësisë, sikurse bëjnë të gjitha vendet evropiane, të vaksinojnë popullatën me vaksinën e AstraZeneca-s, e cila mbron ndaj te paktën 99 për qind të varianteve që qarkullojnë në të gjithë vendin”.

Ndërkohë të dielën kompania farmaceutike AstraZeneca bëri të ditur se po punonte për prodhimin e një tjetër vaksine që do të ishte më efektive kundër variantit të Afrikës së Jugut, dhe pret që të ofrojë rezultate mbi këtë çështje në vjeshtën e këtij viti.

Next Post
Angli/Ndërron jetë trajneri i parë me ngjyrë në futbollin anglez

Angli/Ndërron jetë trajneri i parë me ngjyrë në futbollin anglez

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“E njohim Teheranin si Jeruzalemin”, si vepruan Izraeli dhe SHBA-të ndaj Khameneit

“E njohim Teheranin si Jeruzalemin”, si vepruan Izraeli dhe SHBA-të ndaj Khameneit

March 3, 2026
Ministrja Ibrahimaj nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Qëllimit për Inovacionin dhe Sipërmarrjen

Ministrja Ibrahimaj nënshkruan Deklaratën e Përbashkët të Qëllimit për Inovacionin dhe Sipërmarrjen

March 3, 2026
Trump, nga ëndrra për Nobelin e Paqes tek presidenti që ndezi më shumë fronte lufte

Trump, nga ëndrra për Nobelin e Paqes tek presidenti që ndezi më shumë fronte lufte

March 3, 2026

Betejën Rama e ka në sinorin rozë-gri; sinori blu i Berishës, i papërfillshëm

March 3, 2026
Vodhën 15 mln euro me Call Center-at, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të dy të rinjve

Vodhën 15 mln euro me Call Center-at, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të dy të rinjve

March 3, 2026
Në Shqipëri hetohet për degjenerim publik, jo për të mbledhur prova në funksion të akuzave zyrtare

Kur të shkon në mend të vrasësh kundërshtarin, quhesh vrasës, jo më politikan

March 3, 2026
Shkrepe një foto këtu!

Editoriali Rama-Vuçiç “për qasjen realiste”, Komisioni Europian: Zgjerimi, prioritet kyç!

March 3, 2026
Ndodh edhe kështu! Klubi i njohur shkarkon trajnerin pas fitores 8-0

Ndodh edhe kështu! Klubi i njohur shkarkon trajnerin pas fitores 8-0

March 3, 2026
Një vendim i diskutueshëm i Gjykatës Kushtetuese dhe çështja Riley k. Kalifornisë

Skandal: Një përkthim i gabuar me pasoja të rënda në praktikën gjyqësore

March 3, 2026
Pas raketave iraniane: A është Dubai ende destinacioni ideal? Rrëfimet e VIP-ave që ndodhen atje…

Pas raketave iraniane: A është Dubai ende destinacioni ideal? Rrëfimet e VIP-ave që ndodhen atje…

March 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In