Roberto Mancini është zyrtarisht trajneri i ri i Italisë. Pas zgjidhjes konsensuale të kontratës me Zenitin e Shën Pjetërburgut, pas ndeshjes së fundit të kampionatit rus, trajneri nga Jesi ka zbarkuar në Romë mëngjesin e kësaj të hëne dhe në mbrëmje ka firmosur kontratën e re që e lidh me “axurrët” deri në vitin 2020.
Të martën në mesditë, ish-trajneri i Interit do të prezantohet në konferencën për shtyp që do të mbahet në Coverciano, vendgrumbullimin e kombëtares italiane të futbollit.
“Mund të themi se gjithçka është kryer mes Mancinit dhe Italisë. Entuziazmi i tij ka qenë vendimtar në zgjedhjen tonë”, tha përfaqësuesi i Federatës italiane të Futbollit (FIGC), Fabbricini.
Mancini do të debutojë si trajner i Italisë më 28 maj, me miqësoren e programuar në St Gallen të Zvicrës, kundër Arabisë Saudite.
Ndërkohë, më 1 qershor, Italia do të përballet në Nice me Francën, e më pas në “Allianz Stadium” të Torinos do të presë më 4 qershor Holandën./a.m.