Pas Luka Modriçit e Dejan Lovrenit, edhe Ivan Rakitiç do të mungojë ndaj Kosovës, përcjell “Gazeta Express”.
Lajmin e ka konfirmuar Federata kroate përmes një postimi në “Twitter”, në të cilin thotë se Rakitiç do të mungojë ndaj Kosovës dhe Finlandës. “Domagoj Antoliç do ta zëvendësojë të lënduarin Ivan Rakitiç për ndeshjet kundër Kosovës dhe Finlandës.
Ivan, rikthim të shpejtë”, thuhet në postimin e Federatës kroate. Lajmin e ka konfirmuar edhe trajneri i Kroacisë, Ante Çaçiç, gjatë ditës së sotme.
“Ne do të luajmë pa Modriç, Rakitiç e Lovren. Që të tre janë të dëmtuar dhe shpresojmë që të shërohen sa më shpejt”, ka thënë trajneri i Kroacisë gjatë ditës së sotme.
Kosova pret më 6 tetor në “Loro Boriçi” Kroacinë. Kujtojmë se Rakitiç mungoi edhe gjatë ditës së djeshme ku Barcelona humbi 4:3 nga Celta Vigo.
Fillimisht u mendua se lojtari është lënë jashtë skuadrës për të pushuar, por gjatë ditës së sotme u vërtetua se Rakitiç është lënduar në stërvitjet e fundit të katalunasve. (b.an)