Në studion e emisionit Trialog në RTSh1, moderuar nga Alba Alishani, analisti Preç Zogaj komentoi procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe zhvillimet që lidhen me të.
Zogaj e cilësoi fjalën përfundimtare të të akuzuarve si prekëse dhe përmbledhëse të gjithë historisë së tyre, duke theksuar se ajo lidhej ngushtë me raportin me Kosovën gjatë periudhës së gjenocidit serb të udhëhequr nga Slobodan Miloshevic.
Sipas tij, kauza e Kosovës i shtyu ata të rroknin armët, ndërsa lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e paraprirë nga dekada rezistence paqësore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova.
“Fjala e tyre ishte prekëse, fjala përfundimtare e të gjithë procesit ishte koncize, ishte përmbledhur gjithçka që ka të bëjë me jetën e tyre, për marrëdhënien e tyre me Kosovën e gjenocidit serb Millo0shevicit, se si i ka thirru kauza e Kosovës për të rrokur armët. Kjo është një histori që është shkruar dhe do shkruhet. Lufta e UCK është e përligjur nga dekada e rezistencës udhëhequr nga Ibrahim Rrugova. UCK-ja rroku armët por u legjitimua si një organizatë politiko-luftarake nga faktori ndërkombëtar, ishte pjesë e tryezës politike, pa UCK nuk finalizohej ajo që ndodhi, nuk fillonte bombardimi i NATO-s nëse nuk do ishte UCK”, u shpreh Zogaj.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, Zogaj e quajti devijim të akuzës nga arsyeja fillestare e ngritjes së gjykatës, e cila sipas tij ishte për hetimin e disa vrasjeve civile pas luftës. Ai shtoi se këto raste meritojnë hetim, por theksoi se akuza, sipas tij, ka dalë jashtë kornizës fillestare.
“Habia më e madhe është në gjithë këtë gjyq ka të bëjë me një devijim të stërmadh të akuzës dhe të arsyes për të cilën është ngritur kjo gjykatë, e cila u ngrit për të hetuar disa vrasje civile pas luftës, dhe natyrisht ato vrasje kanë merituar ose meritojnë të hetohen. Nga të gjitha ato që dëgjojmë në shënjestër është UCK-ja. Ata luftuan për një qëllim, për të luftuar gjenocidin serb të Milloshevicit mbi një popull tjetër që ishte populli shqiptar i Kosovës, për të frenuar devijimin e shqiptarëve nga tokat e tyre. Një ngjarje e turpshme në Evropën e viteve 90-2000. Akuza ka dal nga shtrati mbi të cilën u nis ‘, tha ai.
Në fund, Zogaj u shpreh se pret që vendimi i gjykatës të jetë “larg pritshmërive të akuzës”, madje duke mos përjashtuar mundësinë e rrëzimit të saj.
“Unë mendoj se vendimi i gjykatës do të jetë larg për të mos thënë që do ta rrëzoj akuzën. Një shprehje të madhe që tha Thaçi ishte: unë e kam fituar lirinë time ”, tha Zogaj.











