Pas ngjarjes së djeshme në Shkodër, ku një 74-vjeçar humbi jetën pasi banesa e tij u përfshi nga flakët, familjarët e tij zbulojnë fakte tronditëse nga tragjedia. Adile Luli, vajza e viktimës, Haki Hoxhës, ka denoncuar sot faktin se shërbimi i zjarrfikëses ka ardhur shumë vonë në banesën dykatëshe ku jetonin dy prindërit e saj të moshuar. Ajo shton se pavarësisht se i kishte vënë në dijeni zjarrfikësit që babai i saj ndodhej në banesë, punonjësit i kishin thënë se nuk kishin gjetur asnjë person brenda.
“I thashë zjarrfikësve se ‘babai im është në shtëpi’. Por ata më thanë kemi kontrolluar dhe se nuk kishin gjetur njeri. Jemi të tronditur dhe në vështirësi. Nëse zjarrfikësja do të vinte shpejt babai do ishte gjallë”, pohoi vajza.
Ndërkohë, forcat e zjarrfikëses kanë reaguar ndërsa kanë hedhur poshtë pretendimet e familjarëve të viktimës. Ata shprehen se pasi janë njoftuar për zjarrin, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur pas 8 minutash.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi dje në Shkodër në lagjen ‘Rus’ ku 74-vjeçari Haki Hoxha, si fillim mbeti i bllokuar brenda shtëpisë pasi ajo u përfshi nga flakët dhe më pas humbi jetën. Trupi i tij i pajetë është nxjerrë pas më shumë se 2 orësh ‘luftë’ me flakët jo vetëm nga zjarrfikësit por edhe banorët.
Ndërkohë sipas raportimeve, zjarri rrezikoi edhe tre banesa të tjera ngjitur. Dyshohet se shkak për zjarrin ka qenë shpërthimi i një bombole gazi. Policia ka evakuuar banorët nga shtëpitë që rrezikuan të digjeshin.
ma.me











