Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga zjarret në vend. Në një deklaratë për mediat, bëhet me dije se muaji korrik ka patur një rritje të ndjeshme të vatrave të zjarrit, kjo si pasojë e thatësirës.
Sipas Ministrisë, aktualisht aktive është një vatër zjarri në pyllin e Krastës, Bashkia Krujë, që është vënë nën kontroll. Po ashtu theksohet se janë angazhuar në terren të gjitha strukturat e emergjencave civile.
“Të gjitha kapacitetet dhe strukturat e emergjencave civile kanë punuar për normalizimin e tyre dhe janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente të mundshme. Aktualisht është aktive një vatër zjarri në pyllin e Krastës, Bashkia Krujë e cila është vënë nën kontroll nga forcat operacionale të cilat po punojnë për shuarjen e tij”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Nisur nga fakti se vendi ynë është goditur nga i nxehti afrikan, ku priten temperatura shumë të larta, Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje strukturave të mbrojtjes civile që të jenë në gatishmëri.
“Sipas informacioneve të marra nga IGJEUM mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, temperaturat në vendin tonë do të jenë relativisht të larta deri në 41°C. Kërkohet nga strukturat e mbrojtjes civile të vijojnë të jenë në gatishmërinë të plotë për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri”, thekson ministria.
Po ashtu i bëhet thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm pasi zjarrvënia e qëllimshme, apo nga pakujdesia, do të ndëshkohet.
“Ndërkohë iu bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në zonat ku paraqitet rrezik më i lartë, gjithashtu të gjithë ata që shkaktojnë situata të tilla nga pakujdesia apo të qëllimshme do të vihen përpara përgjegjësisë penale. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për menaxhimin e çdo situate emergjente që mund të përballemi gjatë këtyre ditëve të nxehta”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes. /m.j