Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu të martën në Kompleksin Kimik të Gazit Amur, në Lindjen e Largët të Rusisë, pranë kufirit me Kinën.
Kompania konfirmoi të mërkurën se mes viktimave janë një shtetas rus dhe gjashtë shtetas kinezë. Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit janë gjetur trupat e katër punëtorëve kinezë, ndërsa kërkimet për nëntë shtetas të tjerë kinezë, fati i të cilëve mbetet i panjohur, vijojnë.
Zjarri në kantierin e kompleksit është shuar, ndërsa djegia e gazrave të mbetur industrialë po kryhet nën mbikëqyrjen e specialistëve.
Nga incidenti, 152 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa 36 prej tyre janë shtruar në spital me dëmtime të shkallëve të ndryshme. Një avion special i Ministrisë së Situatave të Emergjencave të Rusisë ka mbërritur për të transportuar disa prej të plagosurve në qendra mjekësore.
Ndërkohë, autoritetet po monitorojnë cilësinë e ajrit në kufirin e qytetit të afërt të Svobodny. Sipas kompanisë, deri tani nuk janë konstatuar tejkalime të niveleve të lejuara të substancave të kontrolluara.
