Një zjarr me përmasa të mëdha ka shpërthyer mesditën e sotme në kodrat me ullishte të fshatit Gorishovë, pjesë e njësisë administrative Cakran në Bashkinë e Fierit.
Të favorizuara nga erërat e forta, flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë të mbuluar me shkurre, pemë ulliri dhe masiv pyjor, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e vatrave të zjarrit.
Operacioni po përballet me vështirësi të shumta për shkak të terrenit të thyer malor, ndonëse bëhet e ditur se flakët fatmirësisht ndodhen larg zonës së banuar.
Kjo ngjarje vjen vetëm një ditë pas një tjetër zjarri masiv që preku po të njëjtën njësi administrative. Ditën e djeshme, flakët përfshinë kodrat e Kreshpanit, ku dëmet mjedisore dhe ekonomike ishin të konsiderueshme.
Ditën e djeshme u shkrumbuan rreth 2,000 rrënjë ullinj në kodrat e Kreshpanit. Zjarri dogji një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje dhe kullota përreth. Terreni i thyer dhe kushtet meteorologjike po vështirësojnë ndërhyrjen e plotë të mjeteve zjarrfikëse.











