Nuk përbën çudi që në takimin që kemi lënë, Ardian Hoxha dhe Ziso Kristopulli vijnë së bashku. Kanë një miqësi të krijuar nga rrethana makabre.
Rrethana që, për shkak të çështjes së shumënjohur por njëherësh të pazbardhur ligjërisht, atë të zhdukjes së Remzi Hoxhës, askush nuk do të donte t’i përjetonte.
Por pikërisht pse janë bashkëvuajtës, djali nga Prishtina dhe minoritari nga Ksamili kanë farkëtuar një lidhje të fortë.
Ziso Kristopullit ngjarja i ka shenjuar gjithë jetën e mëpasme, përfshirë atë familjare. Ka humbur shëndetin, gruan, pronën dhe sot jeton në skamje.
Por përpjekja e Ardian Hoxhës për të bërë diçka që mekanizmat shtetërorë të vihen në lëvizje për marrjen e një përgjigjeje finale për babanë e vet, nuk mund ta linte indiferent Zison.
Xhevdet Shehu dhe Alqi Koçiko e intervistuan mbrëmë atë në redaksinë e Ditës në Tiranë:
-Zoti Ziso, jeni një personazh që vazhdimisht përmendeni në çështjen e Remzi Hoxhës, të zhdukur 20 vjet më parë. Si jeni përfshirë?
Duhet të jem i qartë që në fillim dhe të përgënjeshtroj zërat për gjoja njohjen time me Remzi Hoxhën. Unë nuk e kam njohur Remziun. Nuk jam takuar dhe nuk më ka takuar asnjëherë. Lidhja ime me Remziun është bërë nëpërmjet një personi të dërguar nga SHIK-u i asaj kohe. Ai erdhi me emrin Armando Ditermens. Ai erdhi me një polic të Sarandës, i cili më tha se është nipi i tezes sime, është kameraman austriak, ka qenë në luftën e Bosnjë-Hercegovinës dhe ka ardhur për të bërë pushime. E më thotë ky polici, ato lekë që ka le t’i lërë këtu te ti. Ai erdhi me një femër. Ajo shërbente si përkthyese, pasi ai që u hoq se Armando fliste vetëm anglisht. Qëndruan tek unë në Ksamil nja 15-20 ditë, ishte vera e 1995-ës. Unë kuptova që ai nuk ishte as kameraman dhe as ashtu si hiqej. Ishte një aventurier.
-Si e kuptove këtë?
Sepse ai gjithë kohën merrej me policët e Sarandës dhe me ca ish-të burgosur me nam të keq, si njëfarë Sazan Cane, me shefin e krimeve e të tjerë burgaxhinj që ishin vendosur në postet kryesore të Sarandës. Hanin e pinin, loznin po nuk paguanin. I thoshin gruas e vajzave të mia se do t’i sjellim lekët nesër. Aty u binda se ai ishte mashtrues. Kapa atë policin që ma prezantoi dhe i them se ky nuk është në bina, po më mashtron. Ça flet – më tha, – është njeri i mirë. Do marrë babanë e tij në telefon në Austri dhe do t’i sjellë lekët.
-Çfarë pune bënit ju atëhere në Sarandë?
Isha specialist, zooteknik në degën e Bujqësisë së Sarandës. Kisha një kioskë buzë detit që e kisha përshtatur si lokal për periudhën e verës. Aty hante dhe pinte ky Armandua. Besoj se edhe shumë të tjerëve edhe sot e kësaj dite ai u duhet të jetë debitor. Nejse, mbas nja 15 ditëve, ai u zhduk. Iku për gjithë natën me atë policin për në Tiranë.
-Po si u futët në historinë e Remzi Hoxhës?
Aty do të dal, se ky Armando ishte fija që na lidhi. Pas një dy muajsh, aty nga mesi i tetorit 1995 më erdhën Avni Koldashi me nja tre të tjerë e më thonë: Ti je Ziso Kristopulli? Po, u them. Ti ke një pulari? Po, u them. Do bëjmë ca verifikime se jemi nga Kontrolli i Shtetit. Prandaj do vemi në Gjirokastër.
Sado që i kundërshtova se unë jam privat e nuk kam punë me Kontrollin e Shtetit, ata nuk hoqën dorë. Nejse, ditën e parë nuk u binda të shkoja me ta. Vajta në Livadhja, kur u ktheva, më kishin zënë rrugën. Ai Sazan Cania më thotë, pse nuk u bindesh këtyre të Kontrollit të Shtetit? S’kam punë me ta, i thashë. Më morën, më futën në sedijen e pasme midis dy personave të panjohur e shkuam në Gjirokastër. Koldashi përpara. Po aty nuk qëndruan.
Ku po më çoni, – u thashë. – Ohu, kemi rrugë të gjatë për të bërë. Në Greshicë te rrepet qëndruan për të ngrënë. Desha dhe t’u paguaja drekën. Por pagoi Koldashi. U nisëm dhe drejt e në Tiranë. Mbërritëm te Shkolla e Partisë. Aty më thanë: E di si është puna Ziso? Tek ura e Farkës është bërë një masakër, janë vrarë ca njerëz. Ne kemi kapur nja dy veta dhe aty është përmendur emri yt. Do të çojmë nëse i njeh apo jo. Po qe se nuk i njeh, do të çojmë prapë në Sarandë. Më çuan në Kamëz e më dhanë një palë syze. Pastaj më hodhën një thes në kokë e ma thanë të rrija urtë. Më çuan në Vain të Lezhës.
-Dhe çfarë ndodhi me ty pastaj?
Kur mbërritëm në Vain, më futën në një dhomë që kishte dy krevate e më hoqën thesin. Më thotë Avniu: Kaq ishte puna Ziso. Bashkë mirupafshim! Dhe iku.
Pas tij, i pari që erdhi ishte Kumbaro. Më kërkoi pasaportën. S’e kam me vete, i thashë. Po ku ta marrim vesh se ti je Ziso Kristopulli? Po që më prutë deri këtu ju e dini se unë jam Zisua. E kështu filloi me pyetjet; A e njihja Armando Ditermens? Ua thashë atë histori që të tregova në fillim. Aty Kumbaro më thotë: Ai Armando ishte agjent i serbëve dhe ti ke pasur marrëdhënie që në 91-shin, kini bërë takime të veçanta dhe të ka rekrutuar edhe ty. Unë hapa sytë. – Ore, s’po të marr vesh, i them. Këtë që dëgjove, më tha. Je njohur me Remzi Hoxhën? – As e kam njohur Remzi Hoxhën, as e kam takuar, as e kam parë.
Po ata si reaguan?
Aty filluan torturat. Ngrihet Kumbaro e më godet: Qen bir qeni, – më thotë, – ti të na thuash se nuk e njeh Remzi Hoxhën? Në atë kohë vjen Budion Meçe dhe filloi avazin. Më shtriu në krevat, më hoqi pantallonat dhe filloi të më rrihte me një shkop druri nga gjunjët e poshtë.
M’i lidhën këmbët me tela e kështu më rrihnin grushta e shkelma e më thoshin, shkruaj se je takuar te Kioska Juna, tek hotel Tirana etj. Tri ditë rezistova, më rrihnin po unë nuk shkruaja gjë. Pas tri ditësh një djalë i ri që më ruante mua, më thotë: Shkruaj, ndryshe nuk del gjallë që këtej.
-Dhe ju shkruajtët?
Atë ditën e tretë, ai Budioni më punoi të 99-tat. Më hoqi zvarrë e nxori përjashta ku ishte një varr i hapur. Këtu do të fusim, më tha. Kur po ktheheshim për në dhomë, më ndërsyen një qen. Pashë ç’pashë, fillova të shkruaja ato që më thoshin ata.
Sikur gjoja kisha bërë kontrabandë armësh me Serbinë bashkë me Remzi Hoxhën që i sillnim me autokolona për në Elbasan që të përmbysnim pushtetin. E kështu u bënë ca akuza absurde, sikur do t’i bëja atentat Agron Musarait (ministrit të Rendit). Ata fol e unë shkruaj siç donin ata.
Pastaj në treguan dy fotografi: Kush është Remziu nga këta? Unë ia futa kot për njërin. E sheh që e njeh Remziun?, më thanë.
-Sa ditë vazhdoi kjo histori?
Më 15, 16, 17, 18 tetor. Më 19 pasi firmosa ç’donin më liruan. Kishin filluar të shkruanin gazetat. Ma tha Arben Sefgjini e më goditi fort. Shkruajnë gazetat për ty, grek muti, më tha.
Dhe ju aty u takuat me Remziun?
Jo. Ditën e tretë ata më thanë se Remziu është andej nga dhoma matanë. Ai që bërtet është Remziu. Siç bërtisja unë, bërtiste dhe ai nga të rrahurat…
-Po si u krye lirimi?
Më thanë se do të më çonin në Fier. Po si të shkoja, më kishin marrë edhe lekët që kisha me vete, nja 2-3 qind mijë lekë. Më kthyen nja 50 mijë, se të tjerat i ke pirë cigare, më thanë. Më çuan në Tiranë dhe aty është histori më vete, si fjeta një natë te Qyteti Studenti ku kisha vajzat… ato më çuan edhe në Sarandë. Ku u ktheva me vajzat në Tiranë pas nja tri ditësh, në një kioskë më zë syri një titull gazete: Rrëmbehet Remzi Hoxha. Më dogji…
-Të kthehemi edhe njëherë te Remziu: Ju nuk e njohët atë?
Kurrë. Ua thashë. E vetmja lidhje ishte Armando Ditermens. Ishte i infiltruar nga SHIK-u dhe ishte bërë gjoja miku i Remziut siç erdhi u bë klient i lokalit tim. Ai ishte kosovar. Të tëra të dhënat i ka dhënë ai. Emri i tij real siç u mor vesh më pas ishte Avdul Loshaj.
-Kë bëni përgjegjës për zhdukjen e Remzi Hoxhës pas 20 vjetësh?
Shiko, këtu lakohen disa emra: Sefgjini, Koldashi, Kumbaro. Kumbaro ishte shef, po mbi të gjithë ishte Gazidedja. Gazidede i merrte urdhrat nga Sali Berisha. Po ekzekutor për mua ishte Budion Meçe. Ai ishte kasapi, ai kishte drurin dhe që zbatonte urdhrat e shefave.
-Po pse jeni kaq i bindur në këta emra që përmendët?
Po i kam vuajtur mbi kurrizin tim të gjitha… Unë jam i vdekur për së gjalli. Ishin këta që më torturuan e më bënë gjysmak mua. Ishin këta që e torturuan Remziun deri sa e vdiqën në të njëjtën kohë me mua. E kam thënë, unë kam dëgjuar vetëm britmat e tij në dhomën tjetër në Vain të Lezhës. Këta njerëz që të përmenda më shkatërruan pasurinë, më shkatërruan familjen, më shkatërruan jetën. Nga këta, dy janë në Tiranë: Budjon Meçe dhe Sefgjini.
Në gjyq thanë se Budjoni është në gjendje kome dhe ka raport mjekësor. Kjo është alibi. Po si është e mundur kaq vjet në koma? Le t’i kapë shteti po të dojë. Shteti e sjell edhe Kumbaron nga Anglia apo nga ka shkuar tani, këtu, po të dojë.
Po të kthehet Kumbaro mbaron filmi. Ai e di se ç’u bë me Remziun. E hodhën në det apo ia dorëzuan serbit. Po të dojë Rama e sjell Kumbaron.
-Po pse thoni se edhe Berisha kishte dijeni?
Po ku bënin dot gjë ata pa urdhër të Saliut? Ata janë shpërblyer nga Saliu për ato punë të zeza që bënë në atë kohë. Ja, këtu e kini Saliun. Pse nuk vepron Prokuroria?
-Si e morët vesh zhdukjen e Remzi Hoxhës?
Kur filluan ta kërkonin njerëzit e tij dhe donin të dinin është gjallë apo ka vdekur. Vite më vonë. Atëherë filluam të njiheshim edhe me Ardianin dhe familjen e tij. Tani jemi miq…