Ministria e Zhvillimit Urban të Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, 6 muaj më parë shpallën konkursin me temë: “Profesionistët e rinj për zhvillimin ndërkufitar”, me synim ofrimin e zgjidhjeve ideore për zhvillimin e rajonit ndërkufitar të zonave: “Shtigjet e lirisë”, që shtrihet në territorin e komunave Gjakovë-Tropojë-Has dhe “Korridori i gjelbër”, që shtrihet midis territorit të komunave Prizren-Kukës.
Konkursi, rezultat i punës së përbashkët të specialistëve të dy ministrive kishte si qëllim, zhvillimin e përgjithshëm të komunave ndërkufitare dhe krijimin e mundësive për brezin e ri të profesionistëve, që të shprehin kreativitetin e tyre në dhënien e idesë për projektet në fjalë.
Në datat 27 dhe 28 Maj 2016 në Gjakovë u organizua ceremonia përmbyllëse e konkursit, ku paraqitën projektet e tyre 10 grupe pune, 5 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 5 nga Kosova.
Në ceremoni morën pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi si dhe përfaqësues të pushtetit vendor të hapësirës rajonale.
Në ditën e parë, juria u njoh me 10 projektet e paraqitura, të cilat sillnin risi në zhvillimin hapësinor të rajonit dhe nxitjen e veprimtarive ekonomike, sociale, kulturore dhe turistike.Tema e konkursit përfshinte propozime dhe projekt-ide inovative, për promovimin e vlerave të ndërsjella urbane, mjedisore dhe peizazhistike të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të prezantimeve, juria vlerësoi me çmimin e parë për “Shtigjet e lirisë”, projektin e paraqitur nga grupi i punës i përbërë nga arkitektët: Klaudjo Ruçi, Ada Lushi, Rilind Papraniku, Zamira Abazi.
Për “Korridorin e Gjelbër”, çmimin e parë e mori projekti i sjellë nga: Saimir Shtylla, Valentina Aversa, Elbrin Berisha, Thomas Malaguti dhe Luca Pinnavaia.
Me çmim të dytë u vlerësua projekti për “Shtigjet e Lirisë” punuar nga Faredin Shala, Sibel Kirik dhe Hadis Abdula dhe vendin e tretë e mori grupi i punës i përbërë nga arkitektët Shkëlqim Daci, Rudina Qerimi dhe Sadije Kelmendi me propozimet e tyre për zhvillimin e zonës “Shtigjet e Lirisë”. Në ceremoninë e dhënies së çmimeve Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se përfituesit e zbatimit të projekteve fituese do të jenë do të jenë banorët e hapësirës rajonale Shqipëri-Kosovë, pasi projekt idetë do të përdoren si shtytëse, për zhvillimin rajonal dhe promovimin e rajonit.
“Unë jam e lumtur të bëj me dije se në mbledhjen e dy Qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë që do të mbahet më 3 Qershor në Prishtinë, ne, të dyja ministritë do të propozojmë që të jenë dy Qeveritë tona të cilat do të financojnë zbatimin e fazës së parë të dy projekteve fituese.Në momentin e parë kur lidhëm marrëveshjen e bashkëpunimit me kolegun Agani, ajo që theksuam ishte që marrëveshja të mos mbetej një dokument në letër, por të përçonte mesazhin për projekte konkrete të cilat do t’i rezistonin kohës. Stafet e dy ministrive kanë punuar me konkurentët për projekte sa më afër realitetin dhe që i shërbejne zhvillimit social-ekonomik të zonës, duke nxjerrë në pah potencialet e padiskutueshme të këtyre zonave. Unë vlerësoj shumë faktin që arkitektët kanë shkuar në terren, kanë bashkëpunuar me stafet lokale dhe kanë sugjeruar që materialet që do të përdoren për këto projekte do të gjenden në zonat në të dy anët e kufirit”, tha mes të tjerash në fjalën e saj Ministrja Gjermeni.
Ministri Agani vlerësoi konkursin, i cili është edhe aktiviteti i parë i organizuar përpara Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë.
“Synimi ynë në bashkëpunimin me MZHU është ringjallja e bashkëpunimit në një zonë që për shumë vite ka qenë e lënë mënjanë. Me projektet e përzgjedhura vendoset baza solide e zhvillimit të zonave. Deri në Shtator, grupet e punës do të punojnë me specialistët e dy ministrive për hartimin e një plani ideor ku do të ndërthuren elementë të 10 projekteve të paraqitura në konkurs. Dhe me vendimin politik që Qeveritë do të ndërrmarin të Premten e 3 Qershorit do të bëhet realitet zbatimi i projekteve të para në
llojin e tyre për Korridorin e Gjelbër të Drinit (Prizren-Kukës) dhe Shtigjet e Lirisë (Gjakovë-Has-Tropojë)”, tha Ministri Agani.
DY ZONAT
ZONA 1 – Korridori i Gjelbër
Propozohet rijetësimi i rrugës së vjetër në kuadrin e zhvillimit rajonal turistik, ekonomisë vendore të peshkimit, mbrojtjes së mjedisit, si dhe rritjes së lëvizjes sociale dhe kulturore, të rajonit ndërkufitar Prizren – Kukës.
Meqenëse aksi kryesor i transportit ndërkombëtar të njerëzve dhe mallrave sot kalon përgjatë autostradës “Rruga e Kombit”, rijetësimi i rrugës së vjetër, ka premisa për t’u zhvilluar si një korridor i gjelbër, me prioritet turizmin natyror dhe akses të lehtësuar për këmbësorë dhe biçikleta.
ZONA 2 – Shtigjet e Lirisë
Projekti për zhvillimin e shtigjeve të ecjes shihet si një mundësi e mirë për zhvillimin rajonal.
Zona në fjalë, përpos vlerave mjedisore është e njohur edhe në aspektin e zhvillimit historik që ka ndodhur në të dyja anët e kufirit. Si rrjedhojë, projekt – propozimet duhet të shtjellojnë më tej këtë projekt me anë të ideve inovative dhe praktike për zhvillimin e shtigjeve dhe rrugëve lidhëse për zonën në fjalë.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, në fushën e planifikimit, ndërtimit dhe banimit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe dhe Ministria e Zhvillimit Urban e Republikës së Shqipërisë, lidhën një Memorandum Mirëkuptimi. Pas nënshkrimit të tij, grupet e punës së dy ministrive zhvilluan takime të përbashkëta, për të përcaktuar një sërë projektesh të mundshme bashkëpunimi.
Më datë 1 Dhjetor, 2015, u shpall konkursi i projektimit “Profesionistët e rinj për zhvillimin ndërkufitarë, Kosovë – Shqipëri ”, i cili ofron ide të reja dhe projekte në lidhje me zhvillimin rajonal. Tema e konkursit përfshin propozime inovative, për promovimin e vlerave të ndërsjellta urbane, mjedisore dhe peizazhistike të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Konkursi u fokusua në dy zona kufitare të përcaktuara nga MMPH dhe MZHU, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse komunale, për Korridorin e Gjelbër të Drinit (Prizren-Kukës) dhe Shtigjet e Lirisë (Gjakovë-Has-Tropojë). Konkursi kishte qëllim pjesmarrjen e brezit të rinj të profesionistëve nga fusha e planifikimit hapësinor dhe urban.
Fazat nëpër të cilat ka kaluar procesi i zhvillimit të konkursit:
* 1 Dhjetor 2015-10 Janar 201: Shprehja e interesit, nga ana e aplikantëve për pjesëmarrje në konkurs;
* deri më 5 Maj 2016: Dorëzimi i projekteve, sipas kritereve te përcaktuara në konkurs
* 27- 28 Maj 2016: Vlerësimi dhe shpallja e projekteve fituese.
* 28 Maj – 13 Qershor 2016 Ekspozita në qytetet e Gjakovës dhe Tiranës.
Në konkurs dorëzuan projekt-propozimet e tyre 10 konkurentë, nga Kosova dhe Shqipëria. Ditën e djeshme u zhvilluan prezantimet e aplikantëve, përpara anëtarëve të jurisë dhe përfaqësuesve të komunave dhe bashkive që preken nga ky projek. Propozimet e bëra, sillnin risi në zhvillimin hapësinor të rajonit dhe nxitjen e veprimtarive ekonomike, sociale, kulturore dhe turistike.Përfituesit e këtij konkursi do të jenë banorët e hapësirës rajonale Shqipëri-Kosovë dhe projekt idetë do të përdoren si shtytëse, për zhvillimin dhe promovimin e rajonit.
Post-Konkursi
Projektet fituese do të merren në shqyrtim nga ministritë organizatore dhe do të bashkëpunohet me hartuesit e tyre për detajimin e mëtejshëm dhe implementimin. Në mbledhjen e dy qeverive, do të paraqitet kërkesa për mbështetje financiare për zbatimin e projekteve fituese të secilës zonë.
BW/d.i.