Shtëpia e Bardhë ka sqaruar mbrëmjen e sotme se Presidenti Donald Trump “nuk është i përkushtuar” për të dërguar trupa amerikane në Gaza tani për tani, një ditë pasi ai njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e enklavës palestineze.
“Presidenti nuk është angazhuar për vendosjen e trupave në terren në Gaza”, tha zëdhënësja Caroline Levitt.
Teksa një gazetar i kërkoi asaj sqarime të mëtejshme mbi këtë çështje, ajo shtoi: “Presidenti nuk është angazhuar për diçka të tillë në këtë moment”.
Levitt shtoi se Trump beson se SHBA duhet të përfshihet në rindërtimin e Gazës “për të garantuar stabilitetin në rajon”. Ajo tha gjithashtu se SHBA nuk do të financojë rindërtimin dhe siguroi se zhvendosja e atyre që ndodhen atje “do të jetë e përkohshme”.
Sipas Levitt, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte në dijeni paraprakisht për deklaratat që do të bënte Trump.
Nga Guatemala, ku vazhdon turneun e tij, Sekretari i Shtetit Marco Rubio sqaroi se SHBA bëri një “ofertë unike” për të ndërhyrë dhe pastruar rrënojat në Gaza, duke shtuar se njerëzit do të duhet të jetojnë diku tjetër ndërsa rindërtimi vazhdon.
Ai theksoi se kjo ofertë nuk duhet parë si një veprim armiqësor, por detajet e saj do të duhet të diskutohen. “Ajo që Trump ofroi për Gazën është gatishmëria e SHBA-së për të marrë përgjegjësinë për rindërtimin e atij rajoni”, shtoi ai.