Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka hedhur dritëhije, sa i takon rastit të rrëmbimit dhe zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.
Gjatë një interviste për gazetën “Sot”, ish-kreu i SHISH ka hedhur akuza në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit gjatë kohës kur u rrëmbye dhe u torturua deri në vdekje biznesmeni Hoxha ka qenë në pozitat e presidentit të Shqipërisë, por për zotin Klosi, Berisha është ideatori dhe përgjegjësi kryesor për zhdukjen e Remzi Hoxhës, nga Shërbimi Informativ Kombëtar i kohës, drejtuar asokohe nga Bashkim Gazidede.
Klosi vijoi më tej, duke theksuar se personat që sot jetojnë jashtë dhe që kanë qenë të implikuar në këtë ngjarje, janë larguar nga Shqipëria me pasaporta diplomatike, të firmosura këto nga Sali Berisha.
Sipas Klosit, Berisha urdhëroi shpurën e tij në SHIK asokohe që të torturonin dhe eliminonin biznesmenin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në mënyrë që ky i fundit të mos kishte mundësi të bënte publike videon që kishte filmuar në Shën Naun, kohë kur Berisha kishte firmosur dy marrëveshje me Millosheviçin, sikundër ishte ajo për kontrabandën e naftës dhe armëve.
Pra, për Klosin Berisha ishte ideatori i kësaj ngjarje të rëndë dhe që u zbatua në praktikë nga SHIK.
Duke u ndalur tek kërkesa e djalit të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, i cili kërkon zbardhjen e çështjes, ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi deklaroi se edhe pse është një ngjarje e vështirë, pasi ka kaluar kohë dhe provat janë fshehur nga Berisha dhe njerëzit e tij, prokuroria mund ta zbardhë, pasi një pjesë e dëshmitarëve janë gjallë dhe lehtësisht të lokalizueshëm.
-Zoti Klosi, ditët e fundit është rihapur çështja e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi dy ditë më parë se ish-kryeministri Sali Berisha ka arritur dy marrëveshje me Millosheviçin në takimin e pretenduar në Shën Naun. Njëra nga marrëveshjet kishte të bënte për kontrabandën e naftës, ndërsa tjetra për shit-blerjen e armëve. Sipas jush a është takuar Berisha me Millosheviçin dhe a ekzistojnë këto marrëveshje?
Unë kam dëgjuar që ish-kryeministri Sali Berisha është takuar me Millosheviçin në Shën Naun, por prova nuk kam nëse është takuar apo jo. Por për të qenë i qartë kam dëgjuar për një takim të kësaj natyre. Madje, pas këtij takimi, historia është lidhur edhe me vrasjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Megjithatë, për aq sa kam dëgjuar Berisha është takuar me Millosheviçin.
-Si jeni njohur ju për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe a ka qenë i përfshirë SHIK-u i asaj kohe dhe kreu i tij, Bashkim Gazidede në zhdukjen e tij?
Shiko! Unë kam qenë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, disa vite pasi ka ndodhur kjo ngjarje. Megjithatë, di të them që Remzi Hoxha i ngeli në dorë SHIK-ut të asaj kohe praktikisht. Pra, Shërbimi Informativ Shtetëror i asokohe po e torturonin Remzi Hoxhën, duke mos e ditur apo kuptuar se deri ku mbante ai njeri dhe iu ngeli në dorë. Pastaj, SHIK-u i asaj kohe mori të gjitha masat për të zhdukur çdo lloj informacioni që lidhej me torturën dhe vrasjen e Remzi Hoxhës.
Në dijeninë time të gjithë njerëzit që u implikuan në zhdukjen e Remzi Hoxhës u çuan jashtë vendit. Kështu që, të gjithë këtë të implikuar në këtë ngjarje u dërguan jashtë me pasaporta diplomatike. Kaq di unë. Ndërkohë, Prokuroria më vonë dhe shërbimet që u interesuan e nisën hetimin duke pyetur rojet, të cilët kishin parë që Remziu kishte hyrë në SHIK, kishin parë që Remziu ishte çuar në Vain të Lezhës, bazë kjo e SHIK-ut të asokohe. Por gjatë hetimeve nuk u pyetën njerëz të lidhur direkt me çështjen e Remziut.
Pastaj problemin e vijoi me hetime prokuroria dhe di që janë lëshuar edhe urdhra arreste për personat që ishin përfshirë, një pjesë e të cilëve janë fshehur në Angli, etj. Tani dëgjova edhe nga i biri i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha se dikush që kishte dijeni për këtë ngjarje paska vdekur.
Pra, është një ngjarje dhe problem që ka mbetur e turbullt, ku padyshim që zhdukja e provave dhe torturat që i janë bërë Remzi Hoxhës, sidomos nga një institucion si SHISH është shumë e rëndë dhe turp. Kështu që, Berisha si i implikuar në këtë çështje dhe bashkëpunëtorët e tij kanë fshehur çdo gjurmë, në mënyrë që kjo ngjarje të mbetej enigmë dhe të mos zbardhej.
-Në dijeninë tuaj a e filmoi Remzi Hoxha takimin e Berishës me Millosheviçin?
Me ato që kam dëgjuar, por që i ka thënë edhe i biri i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, them se po.
-Presidenti Hashim Thaçi deklaroi se videon e takimit Berisha-Millosheviç- Gligorov i kishte rënë në dorë edhe ish-deputetit Azem Hajdari, i cili e shantazhonte Berishën, ndërkohë që gisht në zhdukjen e Remzi Hoxhës, sipas tij, kishte edhe ish-kreu i SHIK, Bashkim Gazidede. Keni ju dijeni për këtë informacion?
-Shiko! Nuk di ta them këtë, sa i takon faktit nëse videoja kishte rënë në duart e ish-deputetit Azem Hajdari. Por nga ana tjetër, në dijeninë time, ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, i ndjeri Bashkim Gazidede, jo se dua të them gjë për të, ka qenë drejtuesi i institucionit që kreu rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës. Kështu që, padyshim që ai ka pasur dijeni dhe se është e sigurt që Remzi Hoxha i ka ngelur në dorë SHIK-ut të asokohe. Me sa kam dijeni unë Remzi Hoxha ka vdekur në ambientet e Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj kohe.
Dhe përgjegjës natyrisht për të gjitha çfarë ndodhin në institucionin e drejtuar asokohe nga Gazidede është pikërisht drejtuesi i saj, që në rastin konkret është i ndieri Bashkim Gazidede. Por nga ana tjetër, mendoj se interesi dhe ai që e donte të vdekur biznesmenin shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha ishte i Sali Berishës dhe jo i Gazidedes. Kështu që, mandatori sikundër përdoret në gjuhën italiane apo porositësi, apo që ka qenë i interesuar për zhdukjen e Remziut është padyshim Sali Berisha.
-Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Ndërkohë që, dy ditë më parë zoti Berisha u shpreh se SHIK-u i drejtuar nga i ndieri Bashkim Gazidede ka ndihmuar tej mase Kosovën. Si i shihni këto deklaratat?
Shiko! Unë kam këtë koment, që pasaportat diplomatike që janë firmosur për njerëzit që u implikuan në vrasjen dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha dhe që kanë ikur jashtë, janë firmosur nga Sali Berisha. Për kësisoj rastesh për firmosjen e pasaportës diplomatike ka të drejtë ministri i Jashtëm, kryeministri dhe drejtuesi që në rastin konkret koka ishte Berisha. Pra, në këtë rast që ishte një çështje konspirative, jam i sigurt ose më saktë unë besoj, pothuajse i sigurt se Berisha ka firmosur dhe ka pajisur të implikuarit e kësaj ngjarje me pasaporta diplomatike. Kështu që, Sali Berisha gënjen hapur që thotë unë nuk di gjë, sa i takon çështjes së Remzi Hoxhës.
-Si shpjegohet që pas kaq shumë vitesh, kjo ngjarje nuk është zbardhur ende? Dhe në gjykimin tuaj a është e lehtë të zbardhet ngjarja në fjalë?
Shiko! Nuk është e lehtë, por mendoj se po të vihet në lëvizje Prokuroria, duke qenë se është detyra e saj, ndoshta mund të rihapet dhe zbardhet si çështje. Mos harrojmë që ka akoma njerëz gjallë që kanë dijeni apo kanë qenë të implikuar në këtë ngjarje. Kështu që, të gjithë mund të vihen para përgjegjësisë se kanë qenë punonjës në Shërbimin Informativ Kombëtar të asaj kohe, kanë pasur dijeni për ngjarjen.
Vërtet u larguan nga Shqipëria me ndihmën e Berishës, por ata janë lehtësisht të lokalizueshëm se ku ndodhen. Domethënë, nuk është problem i lehtë, pasi kanë kaluar shumë vite nga kjo ngjarje dhe këtu vlen të nënvizohet fakti që atëherë u morën masa për të mbuluar dhe fshehur gjurmët, kështu që problemi është bërë pak i vështirë për këtë arsye. Por megjithatë, mendoj se zbardhja e vrasjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas nuk është e pamundur. Sidoqoftë, kjo është në dorë të prokurorisë, për sa kohë që një pjesë e dëshmitarëve dhe të implikuarve janë gjallë.
-Një tjetër temë që ju mund të hidhni dritë është ajo e terrorizmit. Dje policia deklaroi se ka goditur një grup terrorist iranian, i cili ka pasur plan për të kryer sulm në Kryegjyshatën Bektashiane. A është Shqipëria e rrezikuar nga terrorizmi?
Do ishte gabim të thosha jemi. Dhe prapë do të ishte gabim të thosha nuk jemi. Pse? Sepse që të dyja rastet janë me përgjegjësi dhe që të thuash nuk jemi do të thotë të mos çash kokë. Të thuash jemi, i bie që të përhapësh frikë kot. Kështu që, Irani është një shtet që konsiderohet terrorist, nga vendet perëndimore dhe sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Irani konsiderohet si shteti që ka ndikuar në disa raste terroriste, duke financuar me para këto akte. Pra, Irani financon grupe terroriste lart e poshtë.
-Kreu i policisë tha se u parandalua një akt terrorist në Shqipëri. Keni një koment?
Shiko! Meqenëse kjo tanimë është një çështje zyrtare dhe e pohuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sigurisht që edhe unë mendoj se ka ekzistuar një rrezik i kësaj natyre. Por duhet të jemi të kujdesshëm. Por e rëndësishme është se kush i ka sponsorizuar këto akte, sikundër në rastin konkret është Irani.
-Po sa i takon muxhahedinëve, a na bën kjo më të ekspozuar ndaj shërbimeve iraniane?
Mendoj se duhet të jemi më të kujdesshëm. Ky komunitet i dislokuar në Shqipëri që është opozita e rregjimi të Iranit janë mirë të organizuar dhe kanë eksperiencë. Kjo pasi ata kanë marrë masa dhe mbrohen, pasi i njohin kundërshtarët e tyre më mirë se ç’i njohim neve. Kështu që, ata janë në krye të mbrojtjes. Por edhe shteti shqiptar që i ka pranuar në Shqipëri sigurisht që ka marrë përgjegjësitë e veta.
Pra, ne duke i pasur muxhahedinët këtu, duhet të jemi më të kujdesshëm, pasi jemi më të rrezikuar. Kjo do të thotë se të huajt në Shqipëri dallohen me gisht dhe agjencitë ligjzbatuese e kanë më të lehtë për të parandaluar akte terroriste, se sa mund të ndodhë në vende të mëdha si Franca e Anglia, ku të huajt janë pafund. Këtu janë pak dhe janë të kontrolluar. Kështu që, duke iu referuar deklaratës së policisë, di të them se duhet të jemi të kujdesshëm, pasi jemi të rrezikuar.