Një vit pasi morën nga qeveria garanci se do të dëmshpërbleheshin për shtëpitë e pabanueshme, banorët e Zharrëzës në Fier ende nuk janë paguar plotësisht dhe presin arritjen e marrëveshjes mes Bankers Petroleum dhe qeverisë, ndërsa jetojnë me rrezikun e mureve që mund të shemben.
Nga Edmond Hoxhaj
Një komision me më shumë se një dyzinë njerëzish e vlerësuan një vit më parë si të pabanueshme shtëpinë e Xhevair Jajajit. Taraca është hapur 10 centimetra. Kur bie shi, uji futet brenda ndërsa Xhevahiri ka frikë se muret e çara mund të shemben.
“A jetohet këtu? Unë rri me ankth, e tërë soleta lart më është hapur”, i tha Xhevahiri BIRN.
Njësoj si shtëpia e tij, edhe 57 shtëpi të tjera u shpallën të pabanueshme plotësisht ose pjesërisht nga komisioni ndërinstitucional i krijuar me vendim qeverie në fund të shkurtit 2017, për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga lëkundjet sizmike në zonën e Zharrëzës. Në total 71 banesa u gjetën se kishin pësuar dëme.
Komisioni përcaktoi po ashtu edhe vlerën në para të dëmeve, e cila sipas vendimit të qeverisë në nëntor 2017 do të paguhej rreth 40 për qind nga buxheti dhe 60 për qind nga kompania e naftës Bankers Petroleum, e cila fajësohet nga banorët për lëkundjet, por që nuk ka pranuar asnjëherë përgjegjësi për to.
Por edhe pse pati marrë angazhim për të zgjidhur shpejt situatën, pas grevës së urisë dhe marshimit disa ditor të banorëve të Zharrëzës nga Fieri në Tiranë në shkurt 2017, vetë qeveria pagoi pjesën e saj të dëmit vetëm në fund të vitit të kaluar. Ndërkohë, mbetet e paqartë se si dhe kur do të paguhet pjesa e parave që qeveria ia ka ngarkuar me VKM kompanisë Bankers, e cila refuzon ta paguajë atë si zhdëmtim duke mos pranuar edhe fajin për lëkundjet.
Vonesa e pagesave i detyroi banorët e Zharrëzës ta kalojnë dimrin e fundit në shtëpi e dëmtuara, ndërsa thonë se vetëm me paratë e marra nga qeveria, nga 20 deri në 50 për qind të dëmit të vlerësuar, nuk mund të ndërhyjnë për të riparuar apo rindërtuar. “Me 30%, çfarë do bëj unë? Unë as nuk e riparoj dot, as nuk e prish dot. Ndihem i rrezikuar,” shton Jajaji.
Banorët i thanë BIRN se prej muajsh përcilleshin me të njëjtat fjalë nga institucionet lokale dhe qendrore: “Prisni kur t’i japë lekët Bankers”. E ndërsa burime zyrtare nga Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës thonë se ishte arritur një marrëveshje, kompania vetë në një komunikim për BIRN tha se ende ishte në negociata me qeverinë.
Ajo sidoqoftë refuzon të pranojë se ka faj për lëkundjet, ndërsa përfshirjen në negociata e cilësoi si “disponibilitet për të ndihmuar në zgjidhjen e problematikave” të banorëve të zonës ku operonte.
Si u krijua situata?
Bahrije Hajdini në shtëpinë e saj të pabanueshme, ndërkohë që i kalon netët në një cadër në oborrin e shtëpisë. Foto:Edmond Hoxhaj.
Banorët e fshatit Zharrëz jetojnë prej vitit 2008 në kalvarin e pasigurisë për shkak të lëkundjeve thuajse të përnatshme të tokës, të cilat u shkaktuan dëme të rënda shtëpive të tyre. Ata akuzojnë kompaninë e naftës Bankers Petroleum dhe praktikën e ndjekur prej saj të injektimit në tokë të ujit teknologjik si shkaktar të tërmeteve dhe shkatërrimit të shtëpive të tyre.
Bankers Petroleum nuk pranoi asnjëherë se ishte shkaktare e tërmeteve, ndërkohë që hetimet shumëvjeçare, të cilat janë pushuar e rifilluar disa herë, mbi këtë fenomen nuk arritën në asnjë konkluzion. Por pasi qeveria e urdhëroi kompaninë më 20 dhjetor 2016 që të ndërpriste injektimin e ujit teknologjik në puset e lokalizuara rreth fshatit Zharrëz, banorët thonë se prej kësaj kohe nuk ka pasur më lëkundje.
Megjithëse ishin ndaluar lëkundjet, banorët e Zharrëzës të braktisur dhe më shtëpi të dëmtuara, organizuan në shkurt 2017 një grevë urie dhe më pas një marshim prej 126 kilometrash nga Fieri në Tiranë, duke kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre.
E gjendur në mes të presionit publik, qeveria e Edi Ramës premtoi të dëmshpërblente 100 për qind dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre. Vendimi i 1 marsit 2017 përmbante afate të qarta për përmbushjen e tij dhe po ashtu ndante barrën e pagesës mes qeverisë dhe kompanisë.
Më pas gjatë marsit, grupe pune të ngritura bazuar mbi këtë vendim vlerësuan se dëmi i shkaktuar në fshatrat Zharrëz, Dukas dhe Marinzë nga lëkundjet ishte në vlerën 175.1 milionë lekë, prej të cilave qeveria u angazhua të paguante nga fondi rezervë i buxhetit 73.9 milionë lekë, ndërsa kërkonte nga Bankers Petroleum Albania 101 milionë lekët e mbetura.
Marrëveshja pezull
Dy bashkitë, ajo e Patosit që ka edhe numrin më të madh të shtëpive të dëmtuara në Zharrëz dhe ajo e Roskovecit, i thanë BIRN përmes përgjigjeve zyrtare të kërkesave për informim se pasi ishte shlyer një pjesë e dëmit nga buxheti i shtetit, ata nuk e dinin çdo të ndodhte me pjesën tjetër, duke qenë se kjo duhej të paguhej nga kompania Bankers Petroleum LTD.
Bashkia Patos madje i vuri në dispozicion BIRN edhe korrespodencën e saj me kompaninë dhe ministritë e linjës dhe thotë se megjithëse ka dërguar listën emërore të familjeve dhe vlerën që përfitonin, nuk ka marrë asnjë reagim nga kompania.
Po ashtu, Ministria e Ekonomisë dhe Financave në një përgjigje për BIRN e quante të mbyllur përgjegjësinë e saj me kalimin e fondeve që ishin përcaktuar të paguheshin nga buxheti i shtetit. Ajo i tha BIRN se përgjegjësia për t’u marrë vesh me Bankers Petroleum ishte e Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës.
Kjo e fundit nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për informim, por një zyrtar i saj, i cili kërkoi të mos i bëhej publik emri, tha se MEI kishte arritur marrëveshjen me Bankers. “Është dakordësuar me Bankers Petroleum që kjo e fundit të derdhë një kontribut pranë Emergjencave Civile”, tha zyrtari, duke shpjeguar se pagesat për banorët do bëhej nga Emergjencat Civile, të cilat po ashtu do verifikonin që paratë të përdoreshin për rindërtim të shtëpiave.
Forma e zgjedhur duket se i mundëson kompanisë të mos marrë përsipër përgjegjësi për dëmin. Bankers nuk e mohoi që ishte duke negociuar për një zgjidhje, por nuk tha asgjë për arritje të marreveshjes, ndërsa këmbënguli se nuk ishte fajtore për lëkundjet. “Kompania Bankers është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet qeveritare për të arritur në një zgjidhje përfundimtare për banorët e Zharrëzës. Fokusi kryesor i Bankers mbeten banorët e zonave ku kompania operon dhe prandaj kemi gjithmonë disponibilitetin për të ndihmuar në zgjidhjen e problematikave të tyre”, i tha kompania BIRN në një komunikim zyrtarë.
Ndërsa po ashtu shtoi se “asnjë nga operacionet e Bankers nuk shkakton lëkundje apo tërmet, prej të cilit janë dëmtuar shtëpitë e komuniteteve rreth fushës së naftës Patos-Marinzë”.
Pritja pa afat
Nga ana e saj vetëqeveria e vonoi pjesën e saj të detyrimit dhe ndau fondet vetëm në fund të vitit që shkoi. Kjo pagesë, sidoqoftënuk është zgjidhje për banorët, të cilët me paratë e marra thonë se nuk mund të ndërhyjnë për të riparuar shtëpitë.
Barije Hajdini, e cila prej muajsh jeton në njëçadër në oborrin e shtëpisë së saj, i tha BIRN se ka marrë vetëm 800 mijë lekë nga 3.2 milion qëështë vlerësuar dëmi, një sasi parash që nuk mjafton për të rindërtuar shtëpinë.
Të njëtën gjë pretendon edhe Luftar Qulli. Ai thotë se ka marrë gjysmën e vlerës në para, por nuk mund të fillojë punë pa marrë pjesën tjetër. “Tani presim për 50 për qindëshin tjetër që të fillojmë sa është koha e mirë që të bëjmë ndonjë ndërtim prapë”, tha ai për BIRN duke shpresuar edhe se do merrin leje ndërtimi.
Mungesa e një qartësie dhe afati zgjidhjeje i ka lënë pezull banorët, që as mund të ndëhyjnë dhe as mund t’i braktisin shtëpitë. “Tashi unë nuk e di se çfarë bëjnë, se është e vërtetë, se s’është e vërtetë nuk di gjë se çfarë bëhet me ta”, thotë Barije Hajdini, e moshuara që jeton në njëçadër në oborrin e shtëpisë së rrënuar.
Njësoj si ajo Artur Nasto, muret e shtëpisë të të cilit janë çarë në gjithë gjatësinë e gjerësinë e tyre thotë se është në ankth. “Se çfarë do bëhet ne nuk e dimë. Na kanë dhënë 30% të dëmshpërblimit. Do bëhet a s’do bëhet gjë tjetër, ne nuk e dimë. Ne jemi gjithmonë me ankth”, tha ai. Nasto shpjegoi se deri në marrjen e parave e vetmja zgjidhje për ta ishte të lëviznin disa metra krevatin që në rast se muri shembej të mos u binte mbi kokë ndërsa flinin.
Kryetari i shoqatës “Zharrëza”, Qani Rredhi, tha se bënte apel që të paktën të jepej zgjidhje për ato shtëpi që ishin vlerësuar si të pabanueshme. “Në këtë gjendje jemi. Ndaj bëjmë apel shtetit të vërë dorë, të paktën në këto familje që rrezikojnë jetën. Nesër një tërmet natyral me magnitutë shumë të lehtë, këta rrezikojnë të kthehen të gjithë në viktima”, tha Rredhi, i cili akuzoi qeverinë “për papërgjegjshmëri”. BIRN
ma.me