Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar një kufizim të përkohshëm të qarkullimit në autostradën Tiranë–Durrës dhe anasjelltas, për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit, si pjesë e projektit për zgjerimin e superstradës (Faza III).
Ndërhyrjet do të kryhen në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, gjatë orëve të natës, nga ora 23:00 deri në 05:00, ku do të ketë bllokim të plotë të korsive të lëvizjes në të dyja drejtimet e aksit kryesor.
Plani i devijimit të trafikut sipas drejtimeve
Tiranë – Durrës
Automjetet do të devijohen përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Mjetet e rënda (kamionët)
Lëvizja e mjeteve të rënda do të devijohet që në nyjën e Casa Italia, duke vijuar udhëtimin përmes rrugës dytësore.
Durrës – Tiranë
Lëvizja do të devijohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore në anën e majtë deri pas Mbikalimit të Kasharit, nga ku mjetet do të rikthehen sërish në autostradë.
Mjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën
Përdoruesit e rrugës do të orientohen përmes sinjalistikës që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë për të vijuar në drejtimet përkatëse.
ARRSH kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, bizneseve dhe banorëve të zonës, ndërsa u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itineraret, të shmangin këtë segment gjatë fashës orare të punimeve dhe të respektojnë rigorozisht sinjalistikën e vendosur.
Masat e Policisë Rrugore
Ndërkohë edhe shërbimet e Policisë Rrugore, bënë të ditur se në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), kanë përfunduar marrjen e të gjitha masave logjistike dhe operacionale për menaxhimin e trafikut gjatë bllokimeve të pjesshme të aksit kryesor Tiranë–Durrës–Tiranë në tre ditët e ardhshme.
Për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë në mbikalimin e ri të Kasharit – të planifikuara në intervalin kohor 23:00–05:00 gjatë datave 1, 2 dhe 3 shtator 2026 – qarkullimi i automjeteve do të devijohet në rrugëkalimet dhe devijimet e përcaktuara në skemën e posaçme të trafikut.
Strukturat e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme në terren me shërbime të shtuara për të orientuar drejtuesit e mjeteve, për të shmangur bllokimet dhe për të garantuar një lëvizje sa më të sigurt dhe të pandërprerë gjatë orëve të natës.










