Pak ditë para zgjedhjeve vendore në Rrogozhinë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me Asamblenë e PS-së atje, ku nënvizoi se më 23 korrik do të fitojë puna e Edison Memollës dhe Partia Socialiste.
“Është shumë i rëndësishëm besimi që ka një skuadër. Në këtë fushatë kam vënë re se skuadra jonë shumë ka besim, është e vendosur dhe pavarësisht se ka një kundërshtar, i cili mund të ketë më shumë para, që mund të tallet duke thënë se ‘unë, ata të Rrogozhinës i bëj si keca’, që mund të ketë në mbështetje drejtorët, deputetët dhe kryeministrat e rënë prej vaktit, fushata jonë ka besim, ka energji pozitive, ka organizim dhe dispilinë, e sigurisht të dielën do të marrë një fitore siç i ka hije Rrogozhinës, Edisonit dhe Partisë Socialiste”, tha Veliaj.
Ai falenderoi demokratët që i janë bashkuar dhe vijojnë t’i bashkohen Partisë Socialiste, pasi e kanë kuptuar se kanë gabuar më 14 Maj. “Më ka gëzuar fakti sa shumë demokratë kam takuar javët e fundit, që thonë ‘bëmë gabim, e trajtuam si bixhoz, dhe duke e trajtuar me sportivitet desh e çuam Rrogozhinën vite pas’, prandaj të gjithë demokratëve që na janë bashkuar u them: ‘Mirë se erdhët në familjen tonë, mirë se erdhët në një familje që do t’ju shërbejë dhe trajtojë të gjithëve njësoj’. Ka demokratë që janë bërë pishman për atë eksperiment dhe sot thonë ‘vetëm PS mund ta çojë qytetin përpara, ndaj nuk bëjmë eksperiment me familjen, me rrugën, me lagjen, me pastërtinë, me shkollat, kopshtet dhe çerdhet’. Këto zgjedhje nuk janë për dikë që vjen nga Tirana sa për të blerë ‘kecat’, siç i quan ai votuesit, por për dikë që jeton këtu në Rrogozhinë, për dikë që është kthyer të jetojë këtu në Rrogozhinë, jo për dikë që ka lindur në Kavajë, është bërë milioner në Bruksel, tallet me Rogozhinën në Tiranë, dhe vjen vetëm për fushatë. Edisioni është zgjedhja jonë, është çun i Rrogozhinës”, tha Veliaj.
Në fund, ai i ftoi të gjithë të bëhen bashkë, për të treguar edhe njëherë se Partinë Socialiste dhe ata që i besojnë, nuk ndalen as nga tërmeti, as nga pandemia e as nga temperaturat e larta. “Dua që t’ju ftoj dhe t’ju sfidoj që, këto 5 ditë që na kanë ngelur, na duhet një sprint, të shtrëngojmë çdo dorë, t’i themi si je, si i ke planet, si i ke idetë, si mund t’i bashkojmë edhe ëndrrat e aspiratat e tua me të gjithë Rrogozhinës, që ta çojmë edhe më përpara. Sot do të trokasim në çdo derë dhe kur të hapet ajo derë, nuk ka rëndësi nëse janë të majtë apo të djathtë, t’u themi: ‘Ne do jemi aty për t’ju shërbyer’. Nëse gjithë verën po e kalojmë për këtë betejë dhe nëse kemi qenë aty në tërmet e pandemi e nëse kemi rindërtuar shkolla, kopshte, çerdhe më të mira se ato që u prishën, secila derë ka një garanci, që edhe ne derën tonë do e mbajmë të hapur, siç e kanë ata derën e tyre të hapur për Partinë Socialiste”, përfundoi Veliaj.
/a.r