Yje prej neoni shndrisin para ndërtesës së komunës në Demir Hisar. Terri ka rënë bashkë me acarin mbi kodrat e mbuluara me borë të kësaj komune rurale maqedonase. Çaji i dhuruar nga aktivistët e partisë qeverisëse të popullizmit të djathtë VMRO-DPMNE ngroh duart e 500 kureshtarëve. «Rroftë Maqedonia e lirë», këndojnë me përkushtim dy pensionistë himnin e filluar nga një këngëtare.
Konflikt për vota, zgjedhje në një vend krize: muhabetet e katundit duket se ju interesojnë më shumë të pranishmëve se mesazhet e atyre që kërkojnë vota nga foltorja. Më ne fund një himn paralajmëron mysafirin nga Shkupi. Si një boksier shefi i partisë kalon pranë dinjitarëve lokalë. Opozita do të marrë faturën e «merituar» për «gënjeshtrat» e saj, paralajmëron Nikola Gruevski: «Do të korrim një fitore historike».
Të dielën, në përpjekjen e tretë në këtë vit, pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare, të ndërmjetësuara nga BE në këtë vend shumëkombësh dhe të trazuar. Nuk mund të përjashtohen manipulime të serishme, fundi i krizës nuk shihet. Por pa marrë parasysh nëse fiton apo humb: dalëngadalë po shihet fundi i epokës së kryeministrit të përhershëm Gruevski. Sepse jo vetëm për BE-në, por edhe për partinë e tij ky manipulues autoritar është shndërruar në ngarkesë: padroni i pasur i Maqedonisë ka një biografi politike me shumë njolla.
Publicisti Sasho Ordanoski thotë se nuk mund të bëhet fjalë për akterë normalë politikë: «Kjo nuk është demokraci, këtu kemi të bëjmë me mafi». Askund në botë nuk ka shembull tjetër ku popullsia e një shteti falë publikimeve të 430 telefonatave të përgjuara mund të vëzhgojë qartë se si zyrtarët merren vesh për falsifikimin e zgjedhjeve, për presion ndaj mediave, për nxjerrjen e parave nga korrupsioni, për arrestimin e opozitarëve apo shkatërrimin e pronës së tyre: «Çdo akt kriminal që mund të merret me mend është dëgjuar në incizime». Gjetiu këso zbulimesh prej humnere do të kishin ndikuar në rrëzimin e turmës udhëheqëse: «Këtu ata ende qëndrojnë në pushtet».
Maratona e negociatave mes qeverisë, opozitës dhe BE-së mbi mbajtjen e zgjedhjeve ka zgjatur që nga vera e vitit 2015. Para një viti nën presionin e Brukselit (Maqedonia është kandidate për anëtarësim nga viti 2005) u themelua në Prokurori Speciale, e cila do të hetonte prapaskenat e krimeve të zbuluara. Në fillim të vitit Gruevski, sipas marrëveshjes, ia lëshoi postin e kryeministrit një kolegu të partisë së tij; këtë posti Gruevski e mbante prej 10 vitesh. Për shkak të listave të dyshimta zgjedhore dhe kontrolli të mediave nga qeveria opozita as në prill, as në qershor nuk shihte se ishin plotësuar kushtet për zgjedhje të ndershme.
Radmila Shekerinska, nënkryetare e socialdemokratëve SDSM, shpjegon se janë shlyer 30 mijë «zgjedhës fantazmë» dhe janë plotësuar disa kushte bazike, andaj tani opozita merr pjesë në zgjedhje: «E kemi kufizuar hapësirën për manipulime. Por kurrë nuk dihet çfarë ndodhë në ditën e zgjedhjeve – dhe kutitë zgjedhore mund të mbushen sërish».
Disponimi është kundër qeverisë, thotë analisti Fejzi Hajdari. Por falë «rezervave të heshtura» prej 300 mijë zgjedhësve fantazmë ajo mund të shpresojë sërish se do të fitojë: «Këto zgjedhje nuk zgjidhin asgjë». Nën presionin e BE-së në vend të Gruevskit drejtimin e qeverisë mund ta marrë në të ardhmen ministri i Jashtëm Nikola Popovski: «Gruevski do ta drejtojë vendin nga karrigia e pasme». Jo vetëm për shkak të shumë votuesve të pavendosur Ordanoski thotë se parashikimet e besueshme janë pothuaj të pamundshme: «Zgjedhjet nuk do të zgjidhin krizën. Por edhe pa fitues të qartë mund të krijohen situata të ndryshimit, të cilat i bëjnë të mundshme hapjet».
Me kolona të gjata shifrash Gruevski përpiqet në Demir Hisar t’i prezantojë sukseset e qeverisë së tij. Por ndoshta për shkak të acarit apo fjalimit monoton, që para mbarimit të tij publiku tashmë është zvogëluar dukshëm. Gruevski është «ende i popullarizuar», thotë një burrë me kapele. Sipas Hajdarit imazhi i Gruevskit ka pësuar dëm të pariparueshëm: «Për shumicën Gruevski nuk është më hero, por simbol i korrupsionit në përmasa të jashtëzakonshme».