Nga Alfred Peza
Nuk e kam kuptuar asnjëherë se përse hareja dhe ngazëllimi i pushton aq shumë radhët e opozitarëve shqiptarë, sa herë që ka zhvillime të rëndësishme ose më pak të rëndësishme politike kudo nëpër Europë e botë, prej nga mund të gjejnë ndonjë alibi ngushëllimi për veten. Kjo qasje, kjo kulturë dhe kjo gjendje nuk kishte sesi të mos reflektohej në kampin opozitar, edhe pas zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Europian. Nuk e keni harruar besoj sesi në SHQUP, u “hap shampanja e triumfit” kur në SHBA u shpall fitues I zgjedhjeve, Presidenti aktual Donald Trump. Më shumë gëzim, lot e përqafime kishte në radhët e të djathtës shqiptare, sesa në kampin republikan dhe në shtabin elektoral, të kandidatit të tyre fitues.
Pas kësaj asgjë nuk ndodhi me triumfatorët e Tiranës, por kjo nuk e pengon PD dhe aleatët e saj, të vazhdojnë të gëzojnë sa herë që kjo histori vazhdon e përsëritet gjetkë. Si shpjegohet kjo qasje dhe kjo kulturë e të përjetuarit në Shqipëri të fitores së të tjerëve, më shumë sesa prej vetë të zotëve të punës? Kjo tendencë besoj se lidhet me tri qasje kulturore të së djathtës shqiptare sot.
E para, lidhet me kulturën e festimit të humbjes, si fitore. E mbani mend të gjithë besoj sesa i qeshur, i lumtur, triumfator e krenar ishte jo vetëm Lulzim Basha, por edhe Monika Kryemadhi e gjithë deputetët e tyre më 21 shkurt 2019, ditën kur dorëzuan mandatet në Kryesinë e Kuvendit. Apo kur e shpallin çdo protestë në sheshet e rrugët e Shqipërisë si më e madhja, më e jashtëzakonshmja, më e fuqishmja që historia jonë dhe e njerëzimit kanë njohur ndonjëherë! Thanë se do e rrëzonin Edi Ramën në këtë mënyrë brenda një dite, një jave dhe një muaji… Por, kanë kaluar plot 4 muaj që atëherë. Megjithatë janë optimist. Më 2 qershor… do ta provojnë sërisht.
E dyta, kultura e festimit të fitores së të tjerëve, si tënden. Po ta marësh nga ana njerëzore, kjo do ishte diçka e përkryer, diçka e rrallë e me vlera të jashtëzakonshme. Gati gati një ndjesi e cila në shoqëritë individualiste e konsumiste si jona sot, pothuajse ka humbur. Por, në rastin e partive politike në Shqipëri, që i gëzohen fitores së partive të të njëjtit spektër politik në vende të tjera, pa asnjë ndikim në rezultatin tënd në Shqipëri është thjeshtë në mos naivitet, shtirje apo budallallëk. Një qasje mjerane. Tregues i pafuqisë për të arritur të njëjtën gjë. E meqë “Opozita e Bashkuar” nuk arrin të fitojë dot në Shqipëri, o burra të bëjmë sikur gëzojmë për të tjerët. Duke shpresuar se në këtë mënyrë ata që na mbështesin ne, të besojnë se e keqja që na ka zënë, nuk qenka edhe aq e keqe sa duket! “Jam i lumtur që familja jonë politike (PPE), është konfirmuar forca e parë në Parlamentin dhe qeverisjen europiane,- shkruan Lulzim Basha,- a thua se Shqipëria është shtet i BE edhe se PD ishte pjesë e kësaj gare. Por ai vazhdon: “Urimet më të përzemërta për.. “fushatën e jashtëzakonshme të kandidatit tonë (kujt tonë?!!) për President të Komisionit Europian”!
E treta, kultura e shikimit të realitetit, me kokë poshtë. Realizimi i fotografisë, bazohet tek parimi i shfrytëzimit të kalimit të dritës nga një vrimë e vogël, brenda në një kuti ose dhomë të errët, ku në murin përballë projektohet me kokë poshtë, pamja që ndodhet jashtë saj. Ky parim zbatohet nga opozita jonë kur mundohet që të shesë legjendat e saj urbane dhe shembujt nga bota, si analogji apo krahasime me sitatën e sotme politike në Shqipëri. Nën shembullin e Lulzim Bashës, nga jelekverdhët e Francës, Manduro e për të ardhur deri tek rasti i skandalit të zv. Kancelarit austriak Heinz- Christian Strache, të gjitha i serviren opinionit si të ishin të mirëqena në Shqipëri.
Pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian priten shumë ndryshime politike në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Greqia i shpalli zgjedhjet e parakohshme më 30 Qershor. Në Austri, Kancelari Sebastian Kurz humbi votëbesimin në Parlament dhe në shtator vendi shkon në zgjedhje. Propoganda e opozitës sonë vrapoi të thotë se meqë në këto shtete po zhvillohen zgjedhje të parakohëshme, po Edi Rama pse nuk bën të njëjtën gjë edhe në Shqipëri. Duke bërë atë pyetjen e tyre kinse naïve: Pse këto hapa nuk janë tabu në vendet e BE ku ne duam të integrohemi dhe mbeten të tilla vetëm në Shqipëri? Duke harruar të thonë se ata që po ikin nga pushteti pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian, po e hedhin këtë hap sepse i kanë humbur numrat në Parlament për të vijuar që të qeverisin. Por në asnjë vend e në asnjë rrethanë, asnjë qeveri në këto vende nuk ikën se i thanë partitë humbëse të zgjedhjeve apo ato që kanë ikur nga Parlamenti: Ikni ju, që të vijmë ne!
Lulzim Basha, duke iu gëzuar zgjedhjeve për Parlamentin Europian, shkruan: “Forca e qytetarëve në demokraci është VOTA (hapu dhe’), prandaj beteja e shqiptarëve për votën e lirë është betejë jetike për vlerat europiane, për demokracinë perendimore dhe për Shqipërinë si gjithë Europa”! Pasi ka 4 muaj që kërkon pushtet në tavolinë (“ose të iki Edi Rama, ose do shkrihet opozita”) dhe firmos marrëveshje për të mos u futur në zgjedhje, sot i thur himne zgjedhjeve dhe votës së lirë. Kjo qasje politike e opozitës jashtparlamentare, nuk mund ta rrëzojë dot, qeverinë e Kryeministrit Edi Rama. Tre rrugët e kulturës së saj politike, as nuk mund ta dëmtojnë dot mazhorancën. Sepse ato janë shndërruar thjeshtë, në kurthe vetvrasëse, për opozitën vetë. E shumta që mund të sjelli kjo rrugë, është përshpejtimi i shkrirjes së “Opozitës së Bashkuar”, pas 30 Qershorit!