Partia Socialiste do të ketë në fushatën zgjedhore të 2017-s mbi 12 mijë koordinatorë elektoralë dhe dixhitalë, që do të merren me të gjithë elementët organizativë të zgjedhjeve. Duke se socialistët kanë nisur seriozisht përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen pranverën e ardhshme.
Sekretarja për çështjet elektorale në Partinë Socialiste, Blerina Gjylameti, tha dje se koordinatorët do të jenë të gjithë vullnetarë pa pagesë që do të punojnë për maksimalizimin e rezultatit zgjedhor.
“Një strukturë e cila vjen në mbështetje dhe për të koordinuar të gjithë punën për përgatitjen e zgjedhjeve. Duke nisur që me strukturat e partisë në mbështetje të tyre, me zgjedhësit, punën me ta derë më derë, mënyrën se si do të realizohet fushata, çfarë do të jetë objektivat, si do t’i realizojmë ato. Të gjithë koordinatorët, si ata elektoralë dhe ata dixhitalë, janë vullnetarë elektoralë apo aktivistë të Partisë Socialiste që u bashkëngjiten strukturave të Partisë Socialiste për të maksimalizuar votat. Në asnjë mënyrë nuk paguhet asnjëri prej tyre për të arritur objektivin kryesor: Të fitojmë zgjedhjet e 2017-s mbi të gjitha të fitojmë një shumicë absolute”, tha ajo.
Sekretarja për koordinimin elektoral në PS, Blerina Gjylameti, konfirmon se motorët e fushatës tashmë janë ndezur, raporton Panorama.
“Çdo parti, sidomos partia jonë që është shumë e madhe, fillon e ndez motorët e fushatës shumë kohë përpara me organizimin e strukturave të saj partiake dhe strukturave të tjera, që janë në mbështetje të strukturave partiake. Nuk ka të bëjë fare me sa herët apo vonë është, gjithmonë është koha e duhur kur duhet të arrish atë që është objektivi”, tha ajo.
Në kuadër të zgjedhjeve në ditët në vijim pritet të bëhet dhe rishpërndarja e drejtuesve politikë, konkretisht deputetëve dhe ministrave në qarqe dhe qytete. Gjithashtu, Kryesia e Partisë Socialiste ka miratuar dje pagat e reja të drejtuesve të saj lokalë, të cilët do të jenë funksionarë dhe nuk do të kenë asnjë post në administratën publike.
Paga më e lartë do të jetë ajo e kryetarit të PS-së së Tiranës, e cila do të shkojë në 1.2 milionë lekë, ndërsa paga më e ulët ajo e kreut të PS-së së Bashkisë Pustec, 62 mijë lekë të rinj. Niveli i pagave është bërë referuar pagës së kryetarit të bashkisë sipas kategorisë që bashkia zë./a.k










