Kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” , për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, znj. Mesila Xhelili, si dhe personalitete të së majtës, ka zhvilluar një bashkëbisedim me vajzat dhe gratë e këtij qyteti.
Në fjalën e tij, z. Toska shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që këto gra në të gjithë bashkinë e re po i japin atij si kandidat gjatë këtyre ditëve. Z. Toska garantoi se ai do të jetë një mbështetje për ato, duke i qëndruar më pranë problemeve të tyre.
Kandidati i ASHE-së u shpreh se Bashkia e re do të ndjekë politika të qarta të cilat do të synojnë gjenerimin vendeve të reja të punës dhe veçanërisht për rritjen e punësimit për gratë dhe vajzat.
Duke vlerësuar nismën për forcimin e rolit të gruas në vendimmarrje dhe përfaqësimin e saj me 50 % në Këshillin Bashkiak, z. Toska premtoi për një vëmendje më të madhe ndaj problematikave dhe për zgjidhjen e tyre.
“Gratë do të marrin atë që meritojnë,sepse ato janë heroina. Do të dëgjohet zëri i tyre, do të merren vendime në interes të tyre dhe do të më kenë mbështetje për çdo problem. Bashkia e re e Cërrikut do të ketë shumë projekte dhe plane konkrete, dhe padyshim do të jetë një prioritet punësimi i grave dhe vajzave”, theksoi z. Toska.
Ndërkohë, në vijim të takimeve elektorale, kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Bordit të Kullimit, z. Astrit Xhelili, si dhe personalitete të së majtës, zhvilluan një takim me banorët e fshatit Shtëpanjë , në komunën e Gostimës.
Toska inspektoi nga afër kanalin vaditës të Banjës, i lënë në harresë prej vitesh. Gjatë bashkëbisedimit, kandidati i ASHE-së u premtoi banorëve të kësaj zone, se do të ndërhyjë urgjentisht për restaurimin e këtij kanali vaditës, madje dhe para zgjedhjeve të 21 qershorit.
Një tjetër ndalesë e z. Altin Toska dhe ekipit të tij ishte lagjja “ Bakallarë” në komunën e Gostimës, ku premtoi se problemi i vaditjes së tokave bujqësore do të marrë fund, dhe shumë shpejt do të ndërhyjë në furnizimin me ujë nga kanali i Naum Panxhit, si dhe të kanalizimeve të ujërave te bardha dhe të zeza.
Toska garantoi se gjatë katër viteve të drejtimit të Bashkisë së Cërrikut, do të ketë një vëmendje më të madhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore e bujqësore, të cilat sipas tij, do të jenë në listën e planeve konkrete dhe afatgjata të bashkisë së re.









