Pas reagimit të Ambasadës së SHBA-së dhe kryeministrit Rama, edhe Ambasada Gjermane në Tiranë ka postuar një deklaratë në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ku ambasadori gjerman i shpreh urime Klodian Brahos.
Ambasadori Bergner thotë se mirënjohja i shkon edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për procesin transparent të zgjedhjes dhe për të gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, të cilat çdo ditë kontribuojnë për shtetin e së drejtës.
“Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të cilin ne e mbështesim. Për punën e rëndësishme të SPAK-ut mbeten thelbësore integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës.”
“I uroj shumë sukses Klodian Brahos dhe të gjithë punonjëseve e punonjësve të SPAK-ut në detyrën e tyre ambicioze, si dhe një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Mirënjohja ime sot shkon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin transparent të zgjedhjes dhe për të gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, të cilat çdo ditë kontribuojnë për shtetin e së drejtës”, thuhet në reagimin e Ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner.











