Maxhoranca ka vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim lidhur me nismën për ndryshimet kishtetuese për zgjatjen e afateve të organeve të vettingut.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e përbashkët të Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku opozita nuk mori pjesë.
“Në rendin e ditës është caktimi i relatorit nga opozita, miratimi i ekspertëve dhe ekspertizës dhe caktimi i detyrave nga ekspertët.
Duke qenë se nuk vazhdojmë dot me pikën dy e tre për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës, në këtë mbledhje duke dëshiruar e duke kërkuar patjetër praninë e tyre në mbledhjen e ardhshme për të mirëfunksionuar mbledhja dhe për të ecur para me kalendarin e miratuar në mbledhjen e shkuar”, tha kryetarja e Komisionit Lindita Nikolla.
Më pas, deputetët e maxhorancës votuan që t’i drejtohen për opinion ‘Venecias’ lidhur me propozimin e tyre, ndërsa Fatmir Xhafaj abstenoi.
“Me shumicë miratohet, do i drejtohemi dhe komisionit të Venecias”-, tha Nikolla.
Nuk dihet pse opozita po ndjek një strategji të tillë, por miratimi i ndryshimeve kushtetuese kërkon edhe votën e tyre.
Më herët opozita kishte kërkuar unifikimin e nismave të saj, si vetingu i politikanëve me atë të mazhorancës për vetingun në drejtësi, kërkesë kjo e refuzuar nga socialistët./m.j