Radioja zyrtare e SHBA “Zëri i Amerikës”, komentoi dje fjalimin më të fundit të ambasadorit Donald Lu, në të cilin ai përmendi emra konkretë personash të akuzuar për krime e trafiqe. Ja si i komenton VOA fjalët e Lu:
“Shembujt e marë nga ambasadori amerikan janë një kritikë e fortë jo vetëm për autoritetet gjyqësore. Për rastin e Arben Frrokut pati akuza drejtuar dhe policisë, se lejoi largimin e tij për shkak të lidhjeve me shumicën në pushtet. Vëllai i tij Mark Frroku ishte deputet në parlament, si aleat i së majtës. Më vonë dhe ai u arrestua pasi akuzohet për vrasje nga autoritetet belge. Po ashtu dhe emri i Emiljano Shullazit, një personazh i njohur i botës së krimit, është lakuar disa herë për lidhje me krahë të ndryshëm të politikës shqiptare. Së fundmi, opozita ka akuzuar në mënyrë të përsëritur ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për kontakte me Shullazin,” raporton “Zëri i Amerikës”.










