Në Shqipëri ministri i Drejtësisë Nasip Naco ka dhënë sot pasdite dorëheqjen.
Rreth vendimit të tij të papritur, nuk ka një njoftim zyrtar, ndërkohë që mësohet se ai ka patur një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili ka biseduar me pas dhe me kryetarin e parlamentit Ilir Meta.
Zoti Meta është kryetari i Lëvizjes socialiste për integrim, dhe zoti Naco ishte një ndër 5 ministrat e kësaj force politike, aleatja kryesore e socialistëve të zotit Rama.
Javët e fundit zoti Meta kishte folur disa herë për nevojën e “impulseve të reja në qeverisje” duke mohuar publikisht se dicka e tillë lidhej domosdoshmërisht me ndryshime të kabinetit të zotit Rama.
Ky i fundit nga ana tjetër, ka hedhur poshtë, po në mënyrë të përsëritur, cdo hipotezë mbi lëvizje të mundshme në përbërjen e ekipit të tij qeverisës.
Lëvizja e sotme e zotit Naco, mund të interpretohet dhe si një “diversion” i LSI-së për të nxitur pikërisht ndryshime në qeveri.
Por me shumë gjasë, kryeministri pritet t’i qëndrojë besnik pozicionit të tij dhe t’i kërkojë partnerit të tij politik, vetëm emrin e ministrit të ardhshëm të Drejtësisë.
Kjo është dorëheqja e dytë në kabinetin e zotit Rama që prej ardhjes së tij në pushtet në shtator të 2013. Vitin e kaluar, u tërhoq ministri i atëhershëm për Marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi, Ai ishte përfaqësues i partisë socialiste dhe u zëvendësua menjëherë nga socialistja tjetër, Ermonela Felaj./ VOA