• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, August 29, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Zeitenwende”: një paralajmërim

by Veton Surroi
08/10/2020 10:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Veton Surroi

Mund të jemi duke jetuar një moment kthese, me ndikim të madh edhe për Kosovën, shqiptarët e regjionin:

1.Brenda disa ditëve përputhëse Jurgen Habermas, filozofi e intelektuali publik më me ndikim në Gjermani, botoi një ese mbi shansin e dytë gjerman, ndërsa Konferenca e Munihut e Sigurisë një analizë të thellë mbi rolin e ardhshëm të Gjermanisë. Që të dyja analizat identifikojnë atë që mund të jemi duke jetuar më 2020, e që në gjermanishte quhet “Zeitenwende”, pra një ndryshim i epokave historike në politikë. Për Habermasin, bashkimi i Gjermanisë ishte moment kthese, i cili nxori në pah dyzimin pozitiv të dy proceseve: bashkimi i Gjermanisë ishte i mundshëm me bashkimin e mëtejmë të Evropës dhe anasjelltas, me bashkimin e Gjermanisë rriteshin mundësitë për bashkimin e mëtejmë të Evropës. Tash, 30 vjet më vonë, Habermas nxjerr një shans të ri që del po nga interesat e brendshëm gjermanë. Sipas tij, Gjermania është e detyruar që me partnerët e saj, në radhë të parë Francën, të thellojë nivelin e bashkimit të Evropës në mënyrë që ta shpëtojë rendin e vet liberal-demokratik. Alternativa e bashkimit dhe thellimit të mëtejmë evropian, mendon Habermas, nuk është vetëm rritja e nacionalizmit në Evropë (dhe demokracisë joliberale, siç është rasti me Hungarinë), e me përpjekjet për ta ndalur bashkimin e Evropës dhe për të prishur të arriturat e deritanishme, por edhe rritja e nacionalizmit gjerman brenda vetë Gjermanisë, i cili sot manifestohet me partinë e skajshme të djathtë AfD.

Analiza e Konferencës së Sigurisë së Munihut, ndërkaq, shkon edhe më tutje. Sipas saj, bota në të cilën jetojmë është ndryshe prej asaj kur u bashkua Gjermania. Dy janë ndryshimet thelbësore. Së pari, tërheqja e rolit të SHBA-së nga roli i “hegjemonit dashamir”, i cili kujdeset për sigurinë evropiane dhe ky është një proces i cili do të vazhdojë, pa marrë parasysh kush i fiton zgjedhjet presidenciale amerikane. Së dyti, jetojmë në një botë të fuqive të ndryshme, me daljen në skenë të Kinës, që i bën konkurrencë jo vetëm fuqisë amerikane por edhe sistemit liberal-demokratik si të tillë. Pra, sot për sot, me së paku katër fuqi të një rangu – SHBA, BE, Rusi, Kinë – kemi të bëjmë me një botë shumëpolëshe, e madje edhe me një konkurrencë të ndërsjellë sistemesh qeverisjeje.

Konferenca e Sigurisë së Munihut mendon se tash është momenti kur Gjermania, në partneritet me Francën dhe të tjerët, të fuqizojë Bashkimin Evropian në forcimin e vendimmarrjes së tij dhe të ndërmarrë hapa të mëtejmë të forcimit të sistemit të vet të sigurisë, brenda kontinentit dhe brenda NATO-s.

2.A do të kemi Shtete të Bashkuara të Evropës – sepse kjo është rrjedha logjike e të dy analizave – apo diçka që shkon në atë të një konfederate, e cila përbashkon në dhjetë vjetët e ardhshëm vendimmarrjen për thesarin, politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes?

Kjo është sfida konceptuale e propozuar nga të dyja analizat dhe reflekton në masë të madhe të menduarit, jo vetëm në Berlin, por edhe në Paris, Bruksel dhe jo pak kryeqytete gjithandej kontinentit.

Sado larg të duket prej këtij debati, një lëvizje e këtillë historike do të ketë efekt të vetin të drejtpërdrejtë në Kosovë, ndër shqiptarë dhe në regjion në tërësi.

Efekti i parë dhe thelbësor do të jetë fakti se fillimi i një procesi shumëvjeçar i thellimit të vendimmarrjes brenda BE-së do të ndërpresë dinamikën domethënëse integrimi të Ballkanit Perëndimor në të. Dhe, kjo do të thotë se brenda një periudhe dhjetë apo pesëmbëdhjetëvjeçare nuk do të ketë pranim të anëtarëve të rinj në BE. E kjo do të thotë se politika e jashtme e BE-së nuk mund të llogarisë në anëtarësim (“anëtarësim të shpejtë”, “garanci anëtarësimi”, “shirit të shpejtë anëtarësimi” apo sido që të quhen premtimet që diplomatët ua japin shteteve ballkanike) si mjet për të nxitur zgjidhjen e problemeve të hapura shtetndërtimi në relacionin Kosovë-Serbi, brenda Bosnjë-Hercegovinës apo të reformave në Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

3.Në mungesë të një politike (“të shpejtë”) integruese efekti i dytë në regjionin e Ballkanit Perëndimor do të jetë ai i vazhdimit të konkurrencës së përkatësive identitare. Në regjion tashmë kemi një koktej të të katër poleve që janë në konkurrencë globale (plus Turqia si fuqi e mesme). Pra, kemi SHBA-në, BE-në, Rusinë dhe Kinën. Që të katër aktorët kanë demonstruar ambicie të veta kompetitive dhe kjo nuk befason kur është fjala për Kinën e Rusinë, por ka qenë befasi me mungesën e qartësisë në politika transatlantike; siç u pa me takimin Kosovë-Serbi në Washington, veprimi i presidentit Trump nuk ishte pjesë e një politike të dakorduar transatlantike.

Në këso kushte konkurrenca e katër poleve që tani ka krijuar dhe mund të thellojë vijat identitare. Kosova dhe Shqipëria kanë pasur identifikimin tradicional me SHBA-në dhe BE-në, por tashmë ky identitet transatlantik nuk është më i njëjtë. Për më tepër, identiteti shtetëror i Kosovës mohohet nga ndërhyrja e Rusisë nëpërmjet veprimeve të Serbisë. Mali i Zi ka përjetuar që të identifikohet me SHBA-në dhe BE-në në formën e vet tradicionale transatlantike për të parë se si ndërhyrja e drejtpërdrejtë ruse, përfshirë edhe nëpërmjet Kishës ortodokse serbe, po e ndan identitetin shtetëror në dysh.

Një shtet tjetër i ndarë në dysh, Bosnja e Hercegovina, sheh se si zhvillohet gara mes Rusisë e BE-së, madje edhe Turqisë, në vijat e fërkimeve etnike boshnjako-serbe. Shembulli më i ndritur, Maqedonia e Veriut, është gjithnjë në konsolidim e sipër të identitetit të vet perëndimor në një regjion pasigurie. Ndërkaq, Serbia e presidentit Vuçiç është në avantazh dhe ka arritur me mjeshtri të identifikohet me të katër polet: është derë hyrjeje për Kinën në regjion, është shtizë ruse që pengon konsolidimin e NATO-s, pra ambicieve të deridjeshme amerikane, është identifikuar si partner thelbësor evropian për stabilitet në marrëdhëniet me Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, dhe në muajt e fundit është shndërruar në partner amerikan në sytë e presidentit Trump.

4.Dhe efekti i tretë do të jetë krijimi i një distance më të madhe kohore mes dy Evropave, asaj që, sipas modelit gjerman, do të thellojë vendimmarrjen në BE dhe ne të tjerëve që jetojmë në Ballkanin Perëndimor e që jemi shndërruar në terren për garën identitare. Përzgjedhja e thjeshtë nuk mjafton: në Shqipëri u brohorit “edhe ne si gjithë Evropa”, por kjo nuk është realitet. Në Kosovë është dyfish më e madhe përqindja e njerëzve që duan që shteti të jetë në BE, por Kosova formalisht as që ka kapacitet negocimi për anëtarësim.

Nga Berlini, ku po paralajmërohet “Zeitenwende”, momenti i kthesës, para disa vjetësh ka dalë ideja e Procesit të Berlinit nga i cili pak a shumë pastaj ka dalë ideja që nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor replikojnë atë që bënë shtetet e Vishegradit dhe krijojnë hapësirën e “katër lirive evropiane” do të futen më shpejt në BE.

Kështu, ritualisht dalin ide të mira që kanë funksionuar në vende të tjera. Vetëm nuk pranon kush se po përpiqet të bëhet diçka që nuk është bërë ende: të bëhet pajtimi ende pa përfunduar konflikti, të bëhet pajtimi mes Çekisë e Sllovakisë ende pa e njohur ato njëra-tjetrën, apo të bëhet pajtimi mes Hungarisë e Sllovakisë ndërkohë që Hungaria ia kërkon një pjesë të territorit kësaj të fundit.

5.Në shtetet e Ballkanit Perëndimor ky është një paralajmërim i mirë për të bërë një analizë të thelluar, për diçka që do të marrë dhjetëvjetëshat e ardhshëm politikë. Herën e fundit kur në Berlin u shqiptua “Zeitenwende” ra Muri.

Next Post
COVID-19/ 4.7 milionë raste infeksioni në botë dhe 315 mijë viktima

Mbi 36 mln të infektuar me COVID në botë/ Rekord shifrash në Gjermani dhe Ukrainë, Franca urdhëron kufizime të reja

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Monstra që pasi u vriste familjen fëmijëve të Srebrenicës u shpërndante çokollata

Funerali i “Kasapit të Bosnjës” Mlladiç me shpenzime publike dhe nderime shtetërore nga Serbia, Kroacia reagon ashpër

August 29, 2026
BE na pranon, por ende jo anëtarët/ Mbyllja e negociatave: Komisioni pro Shqipërisë, fjalën e fundit e kanë shtetet anëtare

Drafti për “faturën” e BE-së, Qeveria nis përgatitjen e kuadrit ligjor! Nga TVSH te plastika, si do të financohet kontributi pas anëtarësimit

August 29, 2026
‘Plumbi i Artë’/ Rrëfimi i Dumanit, ‘RENEA’ dhe policia ‘zbarkojnë’ në Elbasan: Vihen në kërkim të të arratisurve

“Fshihet në një pallat në qytet”- RENEA zbarkon me urgjencë drejt Korçës, operacion për kapjen e një të dënuari me 18 vjet burg për vrasje!

August 29, 2026
I shpallur në kërkim nga SPAK, arrestohet Ergys Agasi. Shoqërohej nga ish-zyrtari i përjashtuar nga Policia

Ish-zyrtari i policisë Uljan Shpataraku del sot në GJKKO për masën e sigurisë, u kap me biznesmenin Ergys Agasi në makinë! Ja akuzat ndaj tij

August 29, 2026
Flakët vijojnë të djegin pyjet e Bulqizës, në Vajkal situatë kritike prej dy ditësh! Zjarri i afrohet banesave, luftë nga toka dhe ajri

Flakët vijojnë të djegin pyjet e Bulqizës, në Vajkal situatë kritike prej dy ditësh! Zjarri i afrohet banesave, luftë nga toka dhe ajri

August 29, 2026
“Transaksion historik”- Trump njofton marrëveshjen me Venezuelën, SHBA do kontrollojë 65 miliardë fuçi nafte: Dyfishon rezervat tona!

“Transaksion historik”- Trump njofton marrëveshjen me Venezuelën, SHBA do kontrollojë 65 miliardë fuçi nafte: Dyfishon rezervat tona!

August 29, 2026
Një ditë para takimit me ministrat e drejtuesit politikë, Rama mbledh qeverinë

Rama mbledh sot të deleguarit e PS dhe deputetët e Tiranës, në fokus Bashkia, “Besa”, “Prania Besnike” dhe puna në terren

August 29, 2026
ANALIZA E REL/ A mund t’ua ndalojë BE-ja hyrjen në Shengen ish-ushtarëve rusë?

Rusia mobilizon 600 mijë ushtarë, Kievi: Moska kërkon trupa të rinj pas humbjeve në front

August 28, 2026
10 ditë peng në Spanjë, si shqiptari rrëmbeu shoferin e kamionit pasi u zhdukën 30 milionë euro kokainë

10 ditë peng në Spanjë, si shqiptari rrëmbeu shoferin e kamionit pasi u zhdukën 30 milionë euro kokainë

August 28, 2026
Vandalizëm në resortin e Trumpit, 7 të akuzuar në “lidhje me terrorizmin”

Vandalizëm në resortin e Trumpit, 7 të akuzuar në “lidhje me terrorizmin”

August 28, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com