Në një intervistë për “Tema” ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi ka shprehur konsideratat e tij për reformën në drejtësi, politikën shqiptare dhe zhvillimet në vend. Ai ka vlerësuar kontributin e SHBA dhe BE përmes ambasadorëve dhe ekspertëve të tyre për reformën në drejtësi, deputetët e komisionit parlamentar të reformës si dhe është shprehur kundër draftit të PD, duke vlerësuar se drafti i ekspertëve për reformën në drejtësi i mbështetur dhe nga partnerët ndërkombëtarë do të aprovohet, do apo nuk do Berisha. Ish-kryeministri sipas Brozit ka në dorë gjyqësorin dhe prokurorinë dhe pikërisht për këtë arësye ai nuk është ndëshkuar në këto 25 vite për krimet e tij monstruoze.
Brozi nënvizon se ambasadorët nuk duhet ta tolerojnë Berishën siç kanë bërë gjithë këto vite, pavarësisht se ai kur sheh se nuk realizohen qëllimet e tija sulmon dhe partnerët ndërkombëtarë. Ish-kreu i Kasacionit vlerëson dhe takimin e kryeministrit Edi Rama me kreun e PD Lulzim Basha, nëse qëndron larg pazareve.
Brozi. Meqenë se nesër kryeministri Rama dhe kryetari i PD Basha do të takohen për reformën në drejtësi, cili është opinioni juaj për këtë takim?
Takimet midis kryetarëve të partive, apo edhe takimi i kryeministrit me kryetarin e PD apo të çdo partie tjetër, duhet të jenë një praktikë normale dhe s’ka pse të konsiderohen si akte historike apo heroike, sikurse ndodh në Shqipëri. Uroj dhe dua të besoj se ky takim nuk do të jetë i ngjashëm me pazaret PD-PS të 2008-ës që i sollën aq dëme demokracisë në Shqipëri, por do të jetë një takim konstruktiv në interes të Shqipërisë dhe jo partive politike. As kryeministri Rama, as Basha, dhe askush tjetër nuk mund dhe as duhet të lejohen të cënojnë draftin e reformës të përgatitur nga OPDAT, EURALIUS dhe ekspertët shqiptarë, të cilët duhen falenderuar për seriozitetin dhe profesionalizmin që kanë dëshmuar në hartimin e kësaj reforme.
Si duhet të veprojë mazhoranca nëse PD dhe Berisha vijojnë të kundërshtojnë reformën në drejtësi, pasi kanë paraqitur një draft të ri që ndryshon tërësisht arkitekturën e ligjit?
Ky projekt Anti-Reformë i PD që nxirrret nga skutat e zyrës së Saliut në kohën që drafti ka përfunduar dhe është gati për t’iu paraqitur Parlamentit për votim është tentativa tjetër e Berishës për ta sabotuar reformën. Drafti i PD-së në fakt synon t’i mbajë gjyqësorin e prokurorinë nën pushtetin e politikës duke e ndarë atë midis partive ose duke e lënë në gjendjen që është sot. Pra ky i ashtuquajtur draft është i papranueshme dhe minon vetë thelbin e Reformës së Drejtësisë . Besoj se qeveria Amerikane, BE, OPDAT, EURALIUS dhe mazhoranca nuk do bien ne kurthin e mjeshtrit të djallëzive Sal Berisha.
Çfarë duhet bërë me këto dy drafte? Zgjidhja është e lehtë: PD ta mbajë draftin e saj aty ku e mori, pra në sirtaret e zyrës së Berishës, ndërsa në Parlament të paraqitet për votim pa asnjë vonesë të mëtejshme, brenda këtyre dy javëve, drafti i Refomës i përfunduar nga ekpertët dhe miratuar nga Komisioni Parlamentar i Reformës. Deputetët e opozitës dhe mazhorancës le të shprehin me votë qëndrimin e tyre real ndaj kësaj reforme dhe shqiptarët e ndërkombëtarët të mbajnë shënim jo për kuriozitet, por për veprime të mëtejshme, emrin e secilit deputet që do votojë kundër (apo abstenojë a mungojë në votim). Mendoj se do të ishte edhe në interesin e saj që PD të bëhej serioze dhe konstruktive në gjithë procesin e Reformës së Drejtësisë dhe në të gjitha reformat e tjera që janë bërë e do të bëhen. Do ishte në të mirë të PD dhe Shqipërisë që PD të çlirohej nga kthetrat e interesave personale të Saliut.
Reforma në drejtësi po has një rezistencë të jashtëzakonshme nga ana e opozitës dhe ish-kreut të qeverisë shqiptare. Cili mendoni se është shkaku i kësaj rezistence të fortë?
Berisha ka të gjitha arësyet personale dhe të klanit të tij të zhytur në krime e korrupsion që jo vetëm ta kundërshtojë e sabotojë Reformën në Drejtësi, por edhe të tmerrohet nga frika se kjo refomë mund të bëhet edhe pa të dhe se kjo reformë mund të krijojë kushtet që ai të vihet para përgjegjësisë ligjore si çdo qytetar tjetër. E vërteta është se si në pushtet, ashtu edhe në opozitë, Saliu në fakt e sundon Gjyqësorin, Prokurorinë, SHISH, Presidentin dhe madje edhe një pjesë të administratës shtetërore. Prandaj edhe pse ka 25 vite që zhytet në oqeanin e krimeve më monstruoze, ai ka qenë dhe mbetet i PANDESHKUESHEM para drejtësisë .
Ky është edhe një krim i rëndë i Prokurorisë, krim që nuk mund të tolerohet më tej. Ata prokurorë që po garantojnë pandëshkueshmërinë e Berishës, duhet të përgjigjen pa vonesa të mëtejshme paradrejtësisë.
Reforma në Drejtësi synon të shkëpusë prokurorinë dhe gjykatat nga ndikimet dhe kontrolli i politikanëve, t’i bëjë prokurorët e gjyqtarët të pavarur nga politika por të përgjegjshëm para Kushtetutës dhe ligjit. Saliu nuk mund as ta imagjinojë që ai të humbasë kontrollin dhe pushtetin që ka sot mbi prokurorinë e gjykatat dhe që ai të jetë i barabartë dhe të përgjigjet para ligjit si çdo qytetar tjetër. Prandaj ai do bëjë gjithçka mundet që kjo të mos ndodhë sepse ai e di se mbart mbi vete një mal me krime.
Eshtë e dhimbshme dhe fatkeqësi për Shqipërinë që opozita e ka identifikuar veten me Saliun dhe duket sikur është e vendosur të pësojë edhe fatin e tij. Si mundet që edhe kur Berisha përjashtohet nga Parlamenti për disa ditë për dhunim të rëndë të etikës dhe rregullave të Parlamentit, edhe deputetët e PD-së (nuk e di nëse edhe deputetët e tjerë të opozitës kanë bërë të njejtën gjë ) përjashtojnë veten nga Parlamenti po për aq ditë ? Kjo është TURP për këta deputetë të cilët le t’i pyesim: Po në se Berisha do të dënohej nga gjykata, a do shkonin këta deputetë të vuajnë dënimin e Berishës së bashku me Saliun? Do të jetë në interes të
Shqipërisë dhe të vetë deputetëve të opozitës të mos vazhdojnë edhe më tej të heqin dorë nga integriteti i tyre personal duke u vënë nën komandën e Berishës në çdo veprim e votim të tyre. Qytetarët që votuan opozitën e duan Refomën në Drejtësi po aq sa e duan edhe të gjithë qytetarët e tjerë , prandaj ata kërkojnë dhe presin që deputetët e tyre të votojnë pro këtë reformë sa më shpejt dhe të mos e mbajnë Shqipërinë dhe Reformën peng të interesave personale të Saliut a kujtdo qofte. Eshtë e turpshme që edhe disa deputetë opozitarë jo të PD të pranojnë të jenë nën diktatin e Saliut dhe të nëpërkëmben e përdoren aq keqas prej tij.
Unë besoj se opozita ka aq deputetë me integritet dhe me votat e tyre do të mundësohet miratimi i Refomës edhe pa votën e Berishës e ndonjë deputeti tjetër të tij.
Partnerët tanë ndërkombëtarë, kryesisht SHBA dhe BE kanë mbetur në derë të PD, herë te zyra e Berishës herë te zyra e Bashës për t’i bindur ata që të jenë dakord për votimin e kësaj reforme. A po rifaktorizohet ish-kryeministri dhe po defaktorizohet Basha në lidershipin e PD. Cili është dëmi që sjell kjo situatë për opozitën shqiptare?
Nëse ka një shpresë se reforma në drejtësi do të miratohet, kjo i dedikohet edhe mbështetjes, angazhimit dhe investimit të jashtëzakonshëm në këtë reformë të qeverisë Amerikane dhe Bashkimit Europian, të cilët kanë shpenzuar edhe miliona dollarë dhe euro për këtë reformë. Diplomatët dhe partnerët ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka munden për të bindur politikanët shqiptarë, pra edhe Berishën, që të votojnë sa më parë projektin e përgatitur nga OPDAT, EURALIUS dhe ekspertët shqiptarë . Ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE Romana Vlahutin meritojnë përgëzimet dhe falenderimet më të përzemërta për rolin e madh që po luajnë gjatë gjithë procesit të kësaj reforme jetike për Shqipërinë. Besoj se tani komuniteti ndërkombëtar i ka konsumuar të gjitha mjetet diplomatike me Saliun dhe nuk ka më vend dhe as është e nevojshme për të humbur kohë dhe energji duke iu lutur Berishës apo kujtdo tjetri. Çdo lutje e më tejshme ndaj Berishës e rrezikon dhe nuk e ndihmon reformën dhe mbase dekurajon edhe ata deputetë të opozitës që besoj se e duan dhe do ta votojnë Reformën edhe sepse nuk kanë arësyet e Berishës për të mos e votuar draftin e përgatitur nga OPDAT, EURALIUS dhe ekspertët shqiptarë. Pra tani Projekt-Reforma duhet t’i paraqitet Parlamentit për votim dhe secili deputet me votën e tij të dëshmojë se nuk ka apo ka frikë nga refoma dhe se është apo jo për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Bazuar në përvojën tuaj, mendonise ka ngjashmëri situata e tanishme kundër SHBA dhe BE për reformën me kohën e fillimviteve ’90 kur Berisha përplasej me SHBA për demokracinë?
Në fakt Berisha si kur ishte President, ashtu edhe si kryeministër apo edhe opozitar, ka dëshmuar më akte konkrete se ka qenë e mbetet kundër parimeve të demokracisë perendimore, kundër shtetit ligjor, kundër pavarësisë së gjykatave dhe institucioneve të tjera, kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme, kundër lirisë së fjalës, lirisë së shtypit dhe shprehjes së mendimit. Në thelb Saliu ka qenë e mbetet kundër një Shqipërie Europiane, prandaj ai edhe nxitoi qysh në vitin 1992, pra në vitin e tij të parë si President, të bënte aleanca të dyshimta dhe të mbështeste e favorizonte edhe disa terroristë dhe ekstremistë të ardhur nga vende të largëta.
E megjithatë gjatë këtyre 25 viteve, jo rrallë Saliu është përkëdhelur nga Parlamentarë Europiane, nga BE dhe SHBA sepse me dinakërinë dhe demagogjinë e tij të perfeksionuar, ai ka arritur edhe t’i mashtrojë e keqpërdorë ato në interes të pushtetit të tij personal. Por sa herë SHBA dhe BE thonin apo vepronin jo ashtu sikurse i interesonte Berishës, ai nuk ka hezituar edhe të veprojë kundër tyre, madje edhe t’i akuzojë e denigrojë ato. Edhe kundërshtimi e sabotimi që Saliu po i bën reformës në drejtë si janë në fakt edhe vazhdimësi e qëndrimeve Anti-Amerikane, Anti-Europiane dhe Anti-Shqiptare të Berishës.Tema