Kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i ka dërguar një “Letër adresimi” kreut të Parlamentit Evropian dhe atij të Këshillit të Bashkimit Evropian, duke i njoftuar ata se KE planifikon të krijojë Strategjinë për anëtarësimin e suksesshëm të Serbisë dhe Malit të Zi në BE para fundit të vitit të ardhshëm, për t’i hapur rrugë integrimit të dy vendeve në BE më 2025.
Në njërin prej dhjetë prioriteteve të “Udhërrëfyesit për një BE më të bashkuar, më të fuqishme dhe më demokratike”, Serbia dhe Mali i Zi përmenden si kandidatët kryesorë nga Ballkani Perëndimor për t’iu bashkuar BE’së, të cilëve duhet t’ju krijohet një strategji për anëtarësim të suksesshëm.Siç thuhet aty, “theks i veçantë vihet mbi sundimin e ligjit, mbi të drejtat themelore dhe mbi luftën kundër korrupsionit, si dhe mbi stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, përcjell Express.
Kreu i KE’së, Juncker, në letrën e dërguar, ka paraqitur edhe detajet e aktiviteteve të tjera që Komisioni synon t’i ndërmarrë nëpërmjet politikave legjislative dhe iniciativave të tjera deri në fund të vitit të ardhshëm. (b.an)