• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, January 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Zbulohen letrat e Mehmet Shehut për oficerin e Sigurimit dhe ambasadorin shqiptar në Suedi dy javë para vetëvrasjes: Të lutem si vëlla, kujdesu për…

by S T
21/02/2025 21:43
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981!

Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota, me faksimilet përkatëse.

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive në hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit, grupit të tij të shoqërimit dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje e, deri korrespodenca me letra të Mehmet Shehut dhe Fiqretes (shkruara me dorën e tyre), për djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, deri në ditët e para të dhjetorit 1981.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankën e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë këtyre ngjarjeve, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

(Vijon nga numrat e kaluar)

LETRA E KRYEMINISTRIT MEHMET SHEHU, ME SHKRIMIN E TIJ, DËRGUAR MË 3 DHJETOR 1981, AMBASADORIT SHQIPTAR NË SUEDI, DHIMTËR LAMANI, QË TË KUJDESEJ PËR DJALIN E TIJ, SKËNDER SHEHUN, (APO SIÇ NJIHEJ NDRYSHE ME EMRIN E RREMË, “ARIAN BOGOVA”) PËR T’U KTHYER NË SHQIPËRI.

“I dashur Taqi

Vendosa që Ariani të kthehet në Tiranë dhe studimet e mëtejshme që i kanë mbetur pa mbaruar aty, t’i vazhdojë në formë tjetër; me korrespodencë. Do kthehet aty në Stokholm, nga koha në kohë, për të dhënë provimet që i kanë mbetur akoma, për konsultime, për paraqitjen e temave shkencore, etj.

Në letrën që i kam shkruar Arianit, i kam thënë që të mbaroj edhe këtë provim që ka në duar dhe të kthehet në Tiranë, duke i kërkuar profesorit dhe Institutit, që t’i japin (Arianit), që më tej, kursin e studimeve pasuniversitare që i kanë mbetur akoma të pambaruara, t’i vazhdojë me ndërprerje (me korrespodencë) dhe të vij aty (në Stokholm), nga koha në kohë, sa për të dhënë provimet, etj., kurse programet dhe literaturën e nevojshme, t’i marrë me vete.

Rëndësi ka që të na jepet mundësia për të vazhduar me korrespodencë, s’ka gajle se suedezët, edhe mund ta presin bursën, sepse e kanë dhënë për katër vjet pa ndërprerje. Dhe në qoftë se Ariani, nuk arrin dot që ta rregullojë dot vetë drejtpërdrejt këtë gjë me profesorin dhe Institutin suedez, ai do të kthehet në Tiranë, sapo të mbarojë provimet që ka në dorë dhe çështjen e vazhdimit të studimeve me korrespodencë, vazhdoni ta ndiqni ju vetë, mundësisht dhe personalisht, gjer sa të rregullohet dhe pastaj më njoftoni mua me letër, nëpërmjet Ministrisë (shokut Nesti).

Arianit i kam shkruar gjatë mbi arsyet pse duhet të kthehet dhe i kam thënë që për çështjen e rregullimit të studimeve me korrespodencë, të kam shkrojtur edhe ty dhe Ganiut shkurtimisht, se këtë çështje do ta ndiqni ju të ambasadës, po qe se nuk rregullohet dot sa të jetë ai aty, domethënë se kohë që do japë provimin që ka nëpër duar. Dhe Ariani i ka mundësitë që ta vazhdoj kursin me korrespodencë. Justifikimi që do të jepni para profesorit (profesorëve) dhe Institutit, do të jetë: “Kthehet për nevoja kuadri, në lidhje me realizimin e detyrave të mëdha të pesëvjeçarit”.

Ti e kupton vetë se Arianit mund të mos i vijë mirë, pa i pasur mbaruar akoma pa ndërprerje mësimet aty gjer në fund, siç i kishte nisur, por interesi i Partisë e kërkon që ai të kthehet, siç i kam shkruar. Prandaj, ai edhe mund ta kuptojë drejt problemin, por megjithëkëtë, mund të bjerë edhe në gjendje dëshpërimi. Për këtë arsye, ju lutem i qëndroni afër, inkurajoheni, mos e lini vetëm e në dëshpërim. Ai perspektivën e ka të hapur, ato që ka përfituar aty gjer më sot, nuk i humbasin, as aty, as këtu.

Po i prenë bursën suedezët dhe po nuk pranuan në asnjë mënyrë ta vazhdojnë (bursën), ta japin në formën që kërkojmë ne, për t’i vazhduar studimet me korrespodencë, nuk ka gajle, sepse kthimi i Arianit aty, nga koha në kohë, për të dhënë provimet, ose për të mbrojtur tema, mund të bëhet edhe në kuadrin e bursave që japim vetë ne, shteti ynë, për studimet pasuniversitare. Dhe s’ka gajle edhe në qoftë se studimet me korrespodencë, do të vazhdojnë, të themi pesë vjet, në vend të katër vjetëve.

Ju lutemi interesohuni dhe kam bindjen se do të interesoheni. Ariani do të kthehet me Ganiun. Bali mund të mos vijë bashkë me ta, por vjen më vonë, duke marrë me vete edhe plaçkat e Arianit, të cilat ai nuk do t’i marrë dot me vetë me vete. Kur të vijë bashkë me Ganiun, që unë parashikoj të jetë në 15 ditorin e parë të janarit, (brenda 15 janar 1982).

Tiranë, më 3.12.1981

Shumë të fala dhe përqafime vëllazërore

Mehmet Shehu”.

Next Post
Dy ditë përpara zgjedhjeve në Gjermani, sondazhet: Rënie per 3 partitë në qeveri

Dy ditë përpara zgjedhjeve në Gjermani, sondazhet: Rënie per 3 partitë në qeveri

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi në rrugën drejt Brukselit/ DW: Bie ndjeshëm mbështetja e serbëve për anëtarësimin në BE

Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi në rrugën drejt Brukselit/ DW: Bie ndjeshëm mbështetja e serbëve për anëtarësimin në BE

January 10, 2026
Anëtarëve të Këshillit të Imunitetit nuk iu dhanë provat për Ballukun/ Kuvendi: Do pyesim SPAK, materiali është sekret hetimor, është në kasafortë

Prokurori i SPAK-ut, Belinda Balluku dhe “gjyqi” në panele i disa gazetarëve!

January 10, 2026
SHBA kap cisternën Olina në Karaibe, anija e pestë e sekuestruar në bllokadën e Venezuelës

SHBA kap cisternën Olina në Karaibe, anija e pestë e sekuestruar në bllokadën e Venezuelës

January 10, 2026
U rrezikohej jeta nga shkarjet e dheut dhe përmbytjet, evakuohen 5 familje në zonën e Pogradecit

U rrezikohej jeta nga shkarjet e dheut dhe përmbytjet, evakuohen 5 familje në zonën e Pogradecit

January 10, 2026
Paralizohet lëvizja në rrugën e Arbrit për shkak të dëborës dhe ngricave, gati 10 km radha e automjeteve

Paralizohet lëvizja në rrugën e Arbrit për shkak të dëborës dhe ngricave, gati 10 km radha e automjeteve

January 10, 2026
Hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit hapin portat, përmbytje në fshatrat e Kurbinit dhe Lezhës

Hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit hapin portat, përmbytje në fshatrat e Kurbinit dhe Lezhës

January 10, 2026
“Tregu u dogj aksidentalisht”, del ekspertiza zyrtare/ Zjarrfikësit: Nuk plotësonte asnjë kriter për të qenë një treg

“Tregu u dogj aksidentalisht”, del ekspertiza zyrtare/ Zjarrfikësit: Nuk plotësonte asnjë kriter për të qenë një treg

January 10, 2026
Vijojnë shkarkimet në Koman dhe Vaun e Dejës/ KESH: Rritet prodhimi ditor në tre HEC-et e Drinit

Vijojnë shkarkimet në Koman dhe Vaun e Dejës/ KESH: Rritet prodhimi ditor në tre HEC-et e Drinit

January 10, 2026
Panik gjatë fluturimit nga Madridi drejt Tel Avivit, rrufeja godet në ajër avionin e ekipit izraelit të basketbollistëve

Panik gjatë fluturimit nga Madridi drejt Tel Avivit, rrufeja godet në ajër avionin e ekipit izraelit të basketbollistëve

January 10, 2026
Vjosa rrezikon sërish të dalë nga shtrati, rritet ndjeshëm niveli i lumit duke shkuar në 6 metra

Vjosa rrezikon sërish të dalë nga shtrati, rritet ndjeshëm niveli i lumit duke shkuar në 6 metra

January 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In