Katër janë personat të cilët dyshohen se mbrëmjen e së martës hapën zjarr në drejtim të një lokali në Dobraç të Shkodrës. Këtë të mërkurë, autoritetet policore njoftuan se kanë mundur të identifikojnë personat në fjalë, të cilët janë shpallur tashmë në kërkim. Ata janë Rivaldo Planaj, Orlando Planaj, Bardhok Planaj dhe Mirsad Shpellzaj.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00. Autorët e dyshuar qëlluan me armë në drejtim të lokalit në pronësi të Alfred Pjetrit, efektiv i forcave “Shqiponja”. Në vendin e ngjarjes u gjetën 33 gëzhoja.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati të lënduar, ndërsa motivet mbeten ende të paqarta. Megjithatë, burime për tvklan.al thonë se efektivi i policisë ditët e fundit, teksa ndodhej në shërbim, kishte ndaluar Rivaldo Planajn. Ky i fundit tentoi të mos i bindej policisë dhe debatoi me efektivin Pjetri, i cili i sekuestroi makinën.
Autoritetet policore thonë se po punojnë për kapjen e 4 personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë.
/a.r