BalkanWeb mëson se në disa momente ka pasur tension mes të arrestuarve ndaj Nuredin Dumanit.
Ky i fundit nuk ishte i shoqëruar bashkë me të pandehurit e tjerë, ndërsa masa e sigurisë iu komunikua që prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës në ambientet e spitalit.
Ndërkohë, nga 13 të arrestuarit e tjerë që kanë dalë përballë gjykatës dhe kanë dëgjuar akuzat e ngritura nga SPAK me dëshmitar kryesor Nuredin Dumanin, ka pasur reagim të fortë nga një prej të arrestuarve, Besjan Xhixha, 31 vjeç.
Dëshmia e Besjan Xhixhës në gjyq:
“Nuredin Dumani ka kryer 12 vrasje. Pas çdo vrasje, na ka thënë se nuk më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madhe më ka thënë që ka lidhje me prokurorin Altin Dumani. E ka njeriun e vetë dhe ndihej i mbrojtur. Dumani është strehuar më shumë sesa një vit e gjysmë në shtëpinë time dhe e njoh dhëmbë e dhëmballë, madje një dhemb prej floriri e kemi vendosur tek një i afërmi im, nëse doni shkoni e verifikoni. Dumani duhet të flasë për të gjitha krimet që ka kryer, nëse me të vërtetë është i penduar.” BW