Zbardhet vendimi për Fullanin: Nuk kishte elemente të shpërdorimit të detyrës
Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin e shpallur një ditë më parë, në të cilin ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani mori pafajësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Gjyqtari Artan Gjermeni shprehet mbi argumentat që e bindën atë të rrëzojë veprimet hetimore të prokurorisë, e cila nga ana e saj do kundërshtojë në gjykatën e Apelit.
Duke radhitur veprimet hetimore gjyqtari Gjermeni shprehet në vendimin prej 16 faqesh se veprimet e të pandehurit Ardian Fullani nuk plotësojnë elementët që kërkon legjislacioni penal për t’i cilësuar ato si elemente të shpërdorimit të detyrës.
Në referim të provave, qëndrimi i prokurorisë se guvarnatori nuk ka propozuar zv. guvernatorin e dytë, ligji thotë se atë e zgjedh, e emeron Këshilli Mbikqyrës i bankës. Në asnjë dispozitë nuk përcaktohet afat shprehet gjykata për bërjen e propozimit i cili është diskrecion i guvernatorit , propozim i cili nuk sjell asnjë pasojë në rast aq më tepër që këto detyra të zv.guvernatorit të dytë janë plotësuar nga zv.guvarnatori i parë.
Kjo mungesë nuk ka shkaktuar probleme dhe mangësi në funksionimin e Bankës së Shqipërisë shprehet më tej gjykata. Aq më tepër që sipas gjykatës mungesa e zv.guvernatorit për politikat e administrimit, procedurat e përdorimit dhe mjeteve financiare, janë kompetencë e Këshillit Mbikqyrës.
Në lidhje me episodin e dytë të mos propozimit të nismave jurdike , edhe kjo e drejtë i takon Këshillit Mbikqyrës e për këtë mos veprim nuk mund të konsiderohet që Fullani ishte në kundërshtim me ligjin. Ndryshe nga sa pretendon prokuroria për departamentin e emisionit ku ndodhi edhe vjedhja e 713 milionë lekëve, gjykata shprehet se aktet për funksionimin e tij ekzistojnë sipas datave përkatëse
Gjykata vëren se fakti që nga ana e prokurorisë nuk është arritur të identifikohet se ku konsiston mosveprimi i të pandehurit Ardian Fullani, se cila është masa që duhet të ishte marrë prej tij dhe që nuk është marrë, nuk mund të përdoret kundër të pandehurit si provë dhe as si argument se i pandehuri nuk ka kryer detyrën në përputhje me ligjin.
Në një proces penal organi i prokurorisë ka barrën e provës dhe detyrimin ligjor për të provuar akuzën, ndërsa i pandehuri gëzon garancinë kushtetuese të prezumimit të pafajësisë, konsaton gjykata.
Edhe për blerjen e ish hotel Dajtit gjykata argumenton se nuk rezulton që nga veprimet e Fullanit t’i jetë shkaktuar dëm shtetit , pasi në rastin konkret nuk kemi tjetërsim të pronës dhe aq pakësim të pasurisë së shtetit. Edhe vlefta e dhënë në formën e çmimit për blerjen e ish hotel Dajtit nuk është dëm thotë gjykata pasi ato në finale janë asete monetare dhe pasuri e patundshme e shtetit./ Top Channel