Qytetarët që kërkojnë të rivlerësojnë shtëpitë apo tokat e tyre me taksën 2 për qind, nga sot mund të paraqiten në zyrat e hipotekave për plotësimin e formularit. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, nënshkruan dje udhëzimin e përbashkët që i hap rrugë procesit të rivlerësimit me taksën 2 për qind.
Ministri Manjani kërkoi botimin e menjëhershëm të aktit dhe në këtë mënyrë ky udhëzim dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare, duke bërë të mundur kështu zbatimin në praktikë të ligjit për procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.
Nga dita e sotme është i zbatueshëm për çdo Zyrë Vendore të Regjistrimit të Pasurive, të cilat janë institucionet që do të shqyrtojnë të gjitha kërkesat dhe aplikimet për rivlerësimin e pasurive. Udhëzimi parashikon rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme për 3 kategori, nga shtëpitë dhe pronat e qytetarëve, shtëpitë e legalizuara që janë në proces regjistrimi në hipoteka, dhe ndërtesat e pronat për biznesin.
Afati i zbatimit të ligjit do të jetë deri më 28 shkurt. Udhëzimi përcakton se nga e drejta e rivlerësimit me tatimin 2 për qind përfitojnë të gjithë qytetarët që kanë në pronësi apartament apo prona dhe e kanë të regjistruar atë, përfshirë edhe rastet kur për këto pasuri është bërë më parë rivlerësim i saj. Në raste se një qytetar ka në pronësi më shumë se një apartament apo pronë, procedura e rivlerësimit do të jetë individuale për secilën pasuri.
Udhëzimi përcakton përfshirjen në procesin e rivlerësimit edhe të shtëpive që kanë përfituar lejen e legalizimit, por që janë në proces regjistrimi deri më 28 shkurt në hipoteka. Udhëzimi përcakton që nga ulja e taksës për rivlerësimin e shtëpive dhe pronave do të përfitojë edhe biznesi. Për këtë kategori, taksa që do të paguhet nga diferenca e çmimit të pronës të rivlerësuar më çmimin e mëparshëm do të jetë 3 për qind.
RIVLERËSIMI I PASURISË SË PALUAJTSHME PËR INDIVIDËT
1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe e kanë të regjistruar ose e fitojnë të drejtën e pronësisë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 28 Shkurt, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut, si dhe të përmbushin detyrimet e parashikuara sipas ligjit. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa.
2. Nga e drejta e rivlerësimit përfitojnë të gjithë individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe e kanë të regjistruar atë, përfshirë edhe rastet kur për pasurinë e paluajtshme është bërë më parë rivlerësim i saj.
3. Individi paraqitet për rivlerësim të pasurisë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin “Kërkesë për rivlerësim” sipas shtojcës nr.1 bashkëlidhur këtij udhëzimi. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse.
3.1 Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë. Baza e tatueshme në këtë rast llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.
3.2 Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë zyra vendore e regjistrimit të pasurisë, rivlerësimi bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe përcaktimeve të udhëzimit nr.9, datë 26.02.2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”, i ndryshuar. Në këtë rast, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.
4. Individi apo përfaqësuesi i tij me prokurë, i cili paraqitet me dokument identifikimi pranë ZVRPP-së, pajiset me dy kopje të formularit “Kërkesë për rivlerësim” nga punonjësi i ZVRPP-së.
4.1 Individi apo përfaqësuesi i tij me prokurë plotëson 2 pikat e para të formularit. Punonjësi i ZVRPP-së shqyrton të dhënat e plotë- suara në formular dhe dokumentacionin bashkëlidhur (kopje te dokumentit të pronësisë), nënshkruan formularin e kërkesës për rivlerësim dhe një kopje ia jep individit ose përfaqësuesit të tij.
4.2 Punonjësi i zyrës vendore të regjistrimit të pasurive plotëson pikën 3 të formularit me vlerën e pasurisë sipas aktit të regjistrimit ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e regjistrimit të pasurisë në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë. Punonjësi i ZVRPP-së llogarit tatimin që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, i cili është në masën 2% të bazës së tatueshme, duke plotësuar pikën 4 të formularit “Kërkesë për rivlerësim”.
4.3 Pas plotësimit të Formularit “Kërkesë për Rivlerësim” nga ZVRPP-ja sipas pikës 4.2, individi ose përfaqësuesi i tij me prokurë aplikon për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme dhe pajiset me dokumentin e nevojshëm për pagesën e tatimit. Në këtë rast individi paguan në bankë tatimin 2% dhe tarifën e shërbimit, të cilat i bashkëlidhen formularit të aplikimit.
4.4 Pas kryerjes së pagesës së tatimit dhe tarifës së shërbimit, ZVRPP-ja bën ndryshimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë;
5. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të ligjit Nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.
6. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.
RIVLERËSIMI I PASURIVE SË PALUAJTSHME NË PROCES REGJISTRIMI
Të drejtën për rivlerësim për pasuritë e paluajtshme e kanë gjithashtu individët dhe personat juridikë, të cilët kanë pasuri në proces regjistrimi sipas ligjit Nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” të ndryshuar, pasuri për të cilat individët ose personat juridikë kanë aplikuar apo do të aplikojnë për regjistrimin e tyre brenda datës 28 shkurt 2017. Zyra vendore e Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme evidenton të gjitha veprimet sipas kësaj pike.
1. Procedura e rivlerësimit të pasurive së paluajtshme në proces regjistrimi dhe e pagesës së tatimit për individët kryhet si më poshtë:
1.1 Individi paraqitet për rivlerësim të pasurisë pranë Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive, ku është në proces regjistrimi pasuria për të cilën do të kryhet rivlerësimi, duke plotësuar “Kërkesën për rivlerësim”, sipas shtojcës nr.3 bashkëlidhur këtij udhëzimi. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ZVRPP-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse.
1.2 Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit të aplikimit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë. Në këtë rast, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit nga vlerësuesi (eksperti), vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal dhe vlerës së pasurisë së aktit përkatës që evidenton pasurinë e paluajtshme.
1.3 Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Zyra vendore e Regjistrimit të Pasurisë, kjo do të bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe sipas përcaktimeve të udhëzimit nr. 9, datë 26.02.2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme”, i ndryshuar. Në këtë rast, baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së rivlerësimit me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë së aktit përkatës që evidenton pasurinë e paluajtshme.
1.4 Individi apo përfaqësuesi i tij me prokurë, i cili paraqitet me dokument identifikimi pranë ZVRPP-së, pajiset me dy kopje formulari “Kërkesë për rivlerësim” nga punonjësi i ZVRPP-së dhe plotëson 2 pikat e para të formularit. Punonjësi i ZVRPP-së shqyrton të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentacionin bashkëlidhur, nënshkruan formularin e kërkesës për rivlerësim dhe një kopje të tij ia jep individit ose përfaqësuesit të tij.
1.5 Punonjësi i Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive plotëson pikën 3 të formularit me vlerën e pasurisë sipas aktit përkatës, i cili evidenton pasurinë e paluajtshme, llogarit tatimin që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, i cili është në masën 2% të bazës së tatueshme, duke plotësuar pikën 4 të formularit “Kërkesë për rivlerësim”.
1.6 Si moment për llogaritjen e bazës së tatueshme për pasuritë të cilat janë në proces regjistrimi do të konsiderohet data e aplikimit për regjistrim në ZVRPP.
1.7 Pas plotësimit të formularit “Kërkesë për Rivlerësim” nga ZVRPP-ja sipas pikës 1.5 më sipër, individi ose përfaqësuesi i tij me prokurë aplikon për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme dhe pajiset me dokumentin e nevojshëm për pagesën e tatimit. Individi, pas aplikimit, paguan në bankë tatimin 2% dhe tarifën e shërbimit, të cilat i bashkëlidhen formularit të aplikimit.
1.8 Pas kryerjes së pagesës së tatimit dhe tarifës së shërbimit, ZVRPP-ja bën ndryshimet përkatëse në regjistrin e veçantë të pasurisë së paluajtshme në proces regjistrimi. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit për rivlerësimin e pasurisë./panorama/a.k