Ndalesa e parë e kryeministrit të vendit Edi Rama pas kthimit nga SHBA ka qenë Kryesia e Kuvendit, pikërisht në zyrën e aleatit të tij Ilir Meta.
Edhe pse kishte bërë një fluturim prej shumë orësh, pas një mungese prej 10 ditësh në Shqipëri, takimi mes Metës dhe Ramës nuk mund të priste deri të hënën dhe as të zhvillohej në një ambient privat, si e shtunë pasdite. Ky takim ka zgjatur rreth 90 minuta, ndërsa palët shmangën çdo koment apo deklaratë rreth përmbajtjes së tij. Por Kryeministri ishte kujdesur që takimi të mos mbetej jashtë vëmendjes mediatike. Kamerat e televizioneve ishin lajmëruar për vajtjen e kreut të qeverisë në zyrën e Ilir Metës, madje dhe në këmbë.
Kamerat e shoqëruan Ramën gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ndërsa në përfundim të takimit, pas një orë e gjysmë, interesi i mediave ishte maksimal për të marrë një koment të Kryeministrit Rama pas këtij takimi. Por, përsëri i qetë dhe i qeshur, përsëri me duar në xhepa, Rama nuk dha asnjë koment.
Mësohet se në këtë takim është diskutuar rreth mundësisë së ndryshimeve në qeveri në javët në vijim, edhe pse kreu i qeverisë është shprehur në intervistat e tij se nuk do të ketë ndryshime në qeveri, raporton Panorama.
Votimi i fundit në Kuvend për përfshirjen me procedurë të përshpejtuar të projektligjit që do të lejonte një hetim ndërkombëtar për “çështjen CEZ” tregoi se brenda koalicionit qeverisës u rivendos një lloj paqeje, pas deklaratave të forta të ditëve të fundit.