Pas 22 vitesh karrierë si gjyqtar, Alaudin Malaj-kryetar i Gjykatës së Apelit në Tiranë beson se orët e markës “Cartier” nuk janë tregues luksi. Në një intervistë televizive, gjyqtari i kallëzuar për fshehje pasurie dhe pastrim parash tha se të njëjtën gjë mendon edhe për makinat më të vjetra se pesë vjet nga prodhimi.
“Të quash luks një makinë të prodhuar në vitin 2008 është e papranueshme për mua,” tha Malaj në emisionin “Tonight Ilva Tare”.
Malaj vetë zotëron një makinë Benz S350 të blerë në vitin 2011, që i ka kushtuar 63 mijë euro. Megjithatë, makina zë një vend të papërfillshëm në pasurinë e tij, që llogaritet të kapë vlerën e 1.7 milionë eurove të deklaruara.
Më 14 shtator 2015, kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës u padit në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Sipas kallëzimit që BIRN e disponon, Malaj akuzohet se ka krijuar një skemë kompanish në emër të familjarëve të tij, për të mbuluar burimin e paqartë të pasurimit të tij të shpejtë.
Sipas ILDKP, Malaj kishte 60 mijë euro pasuri në vitin 2003, kohë kur zyrtarët publikë u shtrënguan të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre. 11 vjet më vonë, familja e kryetarit të Gjykatës së Apelit llogaritet të ketë 1.7 milionë euro pasuri, e shpërndarë në pasuri të patundshme dhe kompani biznesi.
Duke u bazuar tek deklaratat e tij të pasurisë, ILDKP ka arritur në përfundimin se gjyqtari dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar vit pas viti para dhe aksione biznesi nga prindërit, deklarata që konsiderohen të rreme nga kallëzuesi.
Hetimi administrativ ka zbuluar se Alaudin Malaj dhe bashkëshortja e tij, Edlira kanë përfituar 46 milionë lekë (368 mijë USD) dhe dy apartamente nga prindërit e gjyqtarit.
Ndërkohë, bashkëshortja e gjyqtarit rezulton të ketë qenë aksionere ose administratore në dy kompani ndërtimi të themeluara nga prindërit e tij dhe sot zotëron një kompani farmaceutike në Kosovë.
ILDKP pretendon se përgjatë 11 viteve, Malaj ka bërë 24 deklarime të rreme për të mbuluar burimin e paqartë të pasurisë së tij.
Kallëzimi i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka regjistruar edhe një procedim penal për këtë çështje.
I kontaktuar nga BIRN, Malaj refuzoi të komentonte kallëzimin e ILDKP në emër të tij. Por në intervistën për gazetaren Ilva Tare ai akuzoi Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive se ia kishte publikuar pasurinë në kundërshtim me ligjin, fakt që e ka bërë të ndjehet i shokuar.
“Kam të ardhurat e pagës dhe bordeve, bashkëshortja ka biznesin e noterisë dhe prindërit kanë bizneset e tyre. Njerëzit afër politikës janë mësuar që pa punë të bëjnë miliona, ndaj u bien më qafë gjyqtarëve,” u përgjigj Malaj.
Real-estate, biznes i sigurt
Faksimile e padisë së ILKPDKI ndaj gjyqtarit Alaudin Malaj | Foto nga : BIRN
Alaudin Malaj, gjyqtar karriere në sistemin shqiptar të drejtësisë ka përfunduar studimet në vitin 1993 dhe prej asaj kohe ka kryer detyrën e gjyqtarit të shkallës së parë dhe të Apelit. Ndërkohë që një dekret i presidentit të Republikës për ta emëruar atë në Gjykatën e Lartë u bllokua në parlament.
Në vitin 2006, ai është transferuar nga Apeli i Vlorës në atë të Tiranës dhe në vitin 2012, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e emëroi kryetar të kësaj gjykate.
Sipas deklaratës së pasurisë, Malaj zotëronte një apartament 106 m2 në Tiranë para vitit 2003, të blerë për 7.8 milionë lekë me paratë e një shtëpie të shitur në Vlorë, me kursimet e tij dhe të bashkëshortes si dhe një hua prej 2 850 000 lekësh prindërit.
ILDKP pretendon në kallëzimin e vet se Malaj ka bërë deklarim të rremë që ka marrë borxh nga prindërit, pasi kjo shumë nuk shfaqet në asnjë prej deklarimeve të tij të më pasme.
Sipas kallëzimit të ILDKP, Malaj ka blerë gjashtë apartamente në Tiranë dhe Durrës përgjatë viteve 2003-2014, ndërsa babai i tij i ka dhuruar bashkëshortes Edlira Malaj dy apartamente të tjera.
Pasuritë e patundshme janë kthyer në një gjenerator të ardhurash për familjen e gjyqtarit Malaj, pasi disa apartamente u dhanë me qira në vlera të konsiderueshme, ndërsa disa të tjera u shitën në vlera shumëfish më të larta se ç’ishin blerë.
Në deklaratën e vitit 2010, Malaj ka deklaruar se kishte blerë një shtëpi 1-katëshe në një kompleks turistik në Golem për 35 mijë USD, banesë në proces legalizimi. Katër vite më vonë, gjyqtari ka deklaruar se e ka shitur këtë shtëpi për 150 mijë euro.
ILDKP pretendon gjithashtu se ka zbuluar një skemë të dyshimtë transfertash edhe me apartamentet që babai i gjyqtarit i ka dhuruar bashkëshortes së tij. Njëri prej tyre është blerë nga Hasan Malaj për 61 mijë euro në vitin 2006 dhe i është dhuruar Edlira Malajt në vitin 2012.
Në vitin 2014, ajo ia shet vëllait për 120 mijë euro apartamentin që i kishte falur vjehrri. Sipas ILDKP, as babai i gjyqtarit dhe as vëllai i bashkëshortes nuk kishin të ardhura që të justifikonin blerjet.
“Këto transaksione, fillimisht blerje dhe më pas dhurim dhe shitje brenda familjes janë veprime tipike të pastrimit të produkteve penale,” thuhet në kallëzimin e ILDKP.
Gjyqtari Alaudin Malaj dhe bashkëshortja e tij duket se i kanë dhënë fund investimit në pasuri të paluajtshme në vitin 2010, kur deklarojnë se blenë shtëpinë ku banojnë edhe sot në rrugën “Sami Frashëri” pranë liqenit Artificial në Tiranë.
Shtëpia-një dubleks i shtrirë në më shumë se 300 metra katrorë, sipas deklaratës së pasurisë së Malajt dhe bashkëshortes së tij është blerë për 21 milionë e 500 mijë lekë, me një çmim prej 442 eurosh për metër katrorë.
ILDKP pretendon në kallëzimin e saj se ky është një tjetër deklarim i rremë dhe për të vërtetuar këtë akuzë ka kryer verifikime pranë kompanisë së ndërtimit TID shpk. Në kallëzim thuhet se çmimi i blerjes në këtë pallat varion nga 800 euro deri në 2000 euro.
Llogaritë e gjyqtarit nuk përkojnë me ato të ekspertëve të Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, të cilët duke marrë për bazë çmimin minimal të vitit 2010 nxjerrin një vlerë prej 54 milionë lekësh të reja (386 160 euro) për apartamentin e Malajt.
“Apartamenti i Malajt duhet të ketë kushtuar minimalisht mbi 34 milionë lekë dhe maksimalisht mbi 70 milionë lekë nga vlera e deklaruar,” thuhet në kallëzim.
Biznes i ri në Kosovë
Alaudin Malaj (majtas) dhe deklarata e tij e pasurisë për vitin 2013
Rrethi i ngushtë familjar i gjyqtarit Alaudin Malaj zotëron katër kompani biznesi; Algan sh.p.k-kompani ndërtimi e themeluar në vitin 1998, Lili sh.p.k për tregtinë e ujit e vitit 2002, Rigels sh.p.k-kompani ndërtimi e themeluar në të njëjtin vit dhe Medbrand KS-kompania më e re e themeluar në tetor të vitit 2014 në Prishtinë. [Kliko këtu për të shkarkuar dokumentin e rregjistrimit]
Në kallëzimin për gjyqtarin Alaudin Malaj, ILDKP dyshon se kompanitë në emër të familjarëve janë përdorur për të shtuar fiktivisht të ardhurat e tij për krijim asetesh, përmes transferimit të kuotave apo bashkimit të llogarive personale me ato të kompanisë.
Algan sh.p.k është biznesi me peshë më të madhe në familjen Malaj, kompani ndërtimi kjo e themeluar nga nëna e gjyqtarit dhe me aksioner vëllanë e tij.
Në 14 vite, kompania ka pasur 221 000 341 lekë fitime sipas ILDKP.
Në vitin 2007, Edlira Malaj-bashkëshorte e gjyqtarit bëhet aksionere e Algan, pasi vjehrra e saj i dhuron 40 për qind të aksioneve me vlerë 3,900,000 lekë. Në cilësinë e aksioneres, Malaj ka përfituar miliona nga dividenti dhe kredi të marra në emër të kompanisë, një pjesë e të cilave janë përdorur për blerjen e shtëpisë dubleks në rrugën “Sami Frashëri”.
Në deklaratën e vitit 2014, Edlira Malaj deklaron se është tërhequr nga kompania “Algan” dhe kuotat e falura në 2007 ia ka shitur vjehrrës për 3 900 000 lekë.
Paralelisht me kompaninë Algan, bashkëshortja e Alaudin Malajt është bërë ortake edhe në kompaninë Rigels sh.p.k, pasi vjehrri i ka dhuruar 90 për qind të aksioneve. Por të ardhurat nga kjo kompani kanë qenë më të vogla për familjen Malaj.
Në janar të vitit 2013, zonja Malaj ka filluar aktivitetin e saj si notere, duke shtuar të ardhurat e familjes me miliona lekë të tjera. Sipas deklarimit të saj, noteria e sapo hapur ka realizuar mbi 25 milionë lekë të ardhura bruto në vitin 2013 dhe 14 milionë të tjera për vitin 2014.
Por ILDKP pretendon se deklarimi është i rremë, pasi të ardhurat dhe fitimi është sipas tij shumë i lartë për një aktivitet të tillë.
Në tetor të vitit 2014, Edlira Malaj ka themeluar në Prishtinë kompaninë Medbrand KS sh.pk, me një kapital fillestar prej 1 mijë eurosh. Sipas Agjencionit për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, aktiviteti i kësaj kompanie me dy punonjës është tregtimi me pakicë i artikujve mjekësorë dhe ortopedikë si dhe tregtia me shumicë e artikujve mjekësore.
Sipas kallëzimit të ILDKP, Malaj i ka transferuar kompanisë së saj në Prishtinë 300 mijë euro; nga të cilat 150 mijë kanë si burim shtëpinë e shitur në Golem, 100 mijë nga apartamenti që i ka shitur të vëllait dhe 50 mijë të tjera nga pakësimi i llogarisë së saj bankare.
ILDKP nuk ka të dhëna se në ç’mënyrë janë investuar 300 mijë eurot në kompaninë Medbrand KS me pronare Edlira Malajn.
Në kallëzimin e firmosur nga Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Ganaj, ILDKP konstaton se gjyqtari Alaudin Malaj ka shtuar 1.6 milionë euro pasuri në një hark kohor prej 11 vjetësh përmes deklaratave që ky institucion i cilëson të rreme.
“Subjekti ka fshehur pasurinë, ka deklarim të rremë të interesave private si dhe ka dyshime për pastrim të produkteve të veprës penale,” thotë ILDKP. BIRN/