Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 6 dhjetor 2025, te rrethrrotullimi i zonës së Freskut, ku një 26-vjeçar u plagos rëndë me sende të forta.
Nga hetimet rezultoi se tre persona ishin të përfshirë në këtë ngjarje: dy që porositën sulmin dhe një që e kreu atë.
Autori i plagosjes, 49-vjeçari H. M., është arrestuar, ndërsa po punohet për kapjen e dy personave të tjerë, 36-vjeçarit Gj. N. dhe 30-vjeçarit Xh. U. Të tre kanë precedentë penalë për krime kundër personit, ndërsa i arrestuari ka edhe precedent për armëmbajtje pa leje.
Një tjetër person, 33-vjeçari T. D., po procedohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka shoqëruar autorin e krimit dhe nuk ka dhënë informacion për ngjarjen në polici.
Materialet e hetimit i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.











