Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja në Elbasan, ku dyshohet se mbeti i plagosur me armë zjarri Ardian Çapja. ‘BalkanWeb’ raporton se Çapja ka qenë duke dalë nga banesa e tij, ndërsa dyshohet se disa persona i kanë hyrë nga pas, ku është një servis, dhe e kanë qëlluar në distancë.Po ashtu ka dyshime se autorët, fill pas plagosjes së Çapjas, janë larguar nga vendi i ngjarjes me makinë, dhe më pas i kanë vënë zjarrin në një zonë të pyllëzuar.
Ndërkohë, policia pasi ka shkuar në vendin e ngjarjes ka tentuar që të fikë zjarrin, ndërsa dyshohet se në këto momente ka pasur një shkrepje arme dhe është plagosur një zjarrfikës. Por ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë, nëse zjarrfikësi është plagosur si pasojë e shkrepjes së armës apo është lënduar nga zjarri.
Pritet që policia të sqarojë rrethanat e ngjarjes. Kujtojmë se rreth orës 09:37, në urgjencën e spitalit Elbasan u paraqit Ardian Çapja, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri.