Prej kohësh grabisnin persona të ndryshëm që i fusnin në kurth përmes 22-vjeçares Kristina Pjetri dhe më pas celularët përfundonin në tregun çam, ndërsa paratë kesh ndaheshin në 4 pjesë.
Elton Leka, 19-vjeçari që bashkë me 3 vëllezërit Bushgjokaj u arrestua pardje nga policia e Tiranës si autorë të provuar të 7 grabitjeve me dhunë ka treguar gjithçka në polici, që nga vjedhjet, rolet në grup, vendin ku zinin pritë dhe përshkrimin për Kristin, vajzën që përdorej si karrem për viktimat, kryesisht djem të rinj.
“BalkanWeb” zbardh të plotë dëshminë e 19-vjeçarit dhënë para grupit hetimor në polici. Madje në përfundim të marrjes në pyetje, Elton Leka ka deklaruar se është i gatshëm të çojë policët edhe tek banesa ku i kishin groposur celularët dhe sendet e tjera.
DËSHMIA
Lidhur me faktin që jeni sot në Kom.Pol.6 Tiranë, dhe jeni shoqëruar për t’u pyetur në lidhje me situatën e sipërpërmendur, çfarë keni për të thënë?
Pyetje: Pra a i kuptuar të drejtat tuaja dhe si doni t’i përgjigjeni pyetjeve?
Përgjigje: Unë të drejtat e mia i kuptova, dhe shpjegimet e mia do i jap në praninë e avokatit të caktuar kryesisht, znj. Klementina Caushaj, me nr licence 3192, anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë Tiranë.
Në lidhje me ngjarjet unë dua t’ju tregoj se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Unë kam qenë i përfshirë edhe vetë në këto ngjarje së bashku me shokët e mi që quhen Fatjon Bushgjoka, Sandri Bushgjoka dhe një vajzë që më duket se është e dashura e Fatjonit. Ka rreth dy javë që jam takuar dhe njohur me këta shtetas që përmenda më sipër, dhe pasi jemi ulur disa herë në kafe në lagje në Kamëz, Fatjoni dha mendimin që të vidhnim telefona, të cilët do ja u merrnim njerëzve që kalonin kryesisht vetëm nëpër orët e mbasdites.
Për këtë arsye kemi lëvizur me një mjet tip “Fiat” i bardhë, i cili ishte marrë në emrin e Fatjon Bushgjokës. Fillimisht kemi qëndruar në zonën e Mëzezit, ku kemi parkuar mjetin “Fiat” dhe më pas prisnim në rrugë të veçanta, jo me shumë lëvizje që të kalonte ndonjë person, dhe sapo shihnim ndonjë person, t’u grabisnim sendet personale dhe telefonin.
***
Njëra ngjarje ka qenë kjo e Mëzezit ku ka kaluar një djalë i imët dhe në këtë moment kam dalë unë së bashku me Fatjonin dhe Aleksandrin dhe këtij personi Sandri i ka kërkuar telefonin duke i thënë “Ma jep pak telefonin tënd sepse më ka mbaruar oferta?”
Në këtë moment që ky person i ka dhënë telefonin Sandrit ai ja mori duke e shtyrë më pas Fatjoni që mos të na ndiqte dhe kështu kemi hipur në makinë dhe jemi larguar për në lagje e më pas ditë tjetër e kemi çuar për ta shitur tek Ttregu Çam që nuk e njohim shitësin por që e kemi shitur për 50 mijë lekë të vjetra që i kemi ndarë me njeri-tjetrin.
Më tej ndoshta nga fundi i marsit kemi qenë po në Mëzez duke ndenjur me makinën e bardhë në rrugën dytësore Tiranë-Vorë dhe rreth orës 7 pasdite aty pranë ka kaluar një djalë i ri në moshë të cilit i ka dalë para kjo vajza që rrinte me ne që ishte e dashura e Fatjonit dhe i ka kërkuar telefonin për të marrë dikë në telefon. Pasi ky djali ja ka dhënë telefonin e tij që më duket ka qenë iPhone ajo është afruar tek makina dhe më tej kanë dalë nga makina Fatjoni dhe Sandri dhe e kanë mbështetur tek makina duke e kontrolluar dhe bashkë me ta kam dalë edhe unë dhe pasi i morën edhe celularin edhe portofolin e kanë shtyrë diku në afërsi të stacionit të Domjes.
Të gjitha këto veprime dhe sende që kemi vjedhur nga njerëzit ditët e para i kemi shitur dhe lekët që kanë pasur nëpër portofola i kemi ndarë në 4 pjesë mes nesh.
Më tej dua tju tregoj edhe faktin për natën e mbrëmshme ku kemi vepruar në dy raste ku kemi grabitur dy persona, një në zonën e autostradës dhe njërin diku pas Casa Italias në zonën e “Pallateve Fratari”.Kemi qenë bashkë me Fatjonin dhe Aleksandrin dhe këtë vajzën bionde që i thërrisnin Kristi tek pallatet Fratari dhe diku në Mëzez afër një karburanti e fillimisht kemi vjedhur një person këtu në rrugën dytësore dhe kështu me të njëjtën mënyrë Kristi i kërkoi telefonin e tij për të bërë një telefonatë dhe pasi ky djali ja dha telefonin e tij që ishte iPhone 6 ose 7 ndoshta dhe më tej kur Kristi së bashku me këtë djalin po afroheshin për tek makina atëherë kemi dalë edhe ne dhe më tej Fatjoni me Sandrin kanë zbritur nga makina dhe i bënë kontrollin ku i morën edhe sende të tjera personale si portofolin dhe një varëse sermi më duket dhe xhupin që mbante veshur.
Para se të grabisnim këtë person në afërsi të Casa Italias nga pas në rrugë me ndriçim të pakët dhe i kemi marrë këto gjëra ndodhte rreth 1 orë para kemi grabitur edhe një person në këtë vend që ju thoni diku në afërsi të një Karburanti pranë rrugës dytësore Vorë-Tiranë, të cilit në të njëjtën mënyrë i kemi marrë një telefon të zi iPhone 6 plus ndoshta.
Mirëpo pasi na ndodhi ngjarja tek pallatet Fratari pas Casa Italias, pasi kemi bërë grabitjen e atij djalit që ju përshkrova më sipër, pak metra më poshtë kur ne po iknim në drejtim të rreth rrotullimit nga Astiri më duket na ka dalë para një makinë policie e cila na preu rrugën dhe pas devijimit të makinës nga ana e Fatjonit i cili ka qenë në timon, ne u larguam dhe menjëherë kemi shkuar në një banesë të braktisur në Kamëz dhe kemi fshehur sendet që grabitëm mbrëmë këtyre dy personave.
Unë jam i gatshëm t’ju çoj edhe tek kjo banesë ku i kemi groposur këto celularë dhe sende të tjerë unë dhe Sandri sepse në fillim kemi shkuar diku në zonën e tregut “5 Maji” ku kemi lënë makinën në një vend atje dhe më tej unë me Sandrin kam marrë taksi dhe erdhëm në Kamëz ku groposëm gjërat që vodhëm tek kjo shtëpia që do ju çoj ti gjeni dhe Fatjoni më tej ka ardhur me taksi tjetër bashkë me të dashurën Kristin.
Dua t’ju them se unë nuk jam marrë më parë me vjedhje por kur Fatjoni ka dalë nga burgu jam takuar me të dhe më vëllain e tij në lagje dhe pastaj pa dashur u bëra pjesë e planeve të tyre sepse fillimisht dilnim për kafe me makinën që Fatjoni kishte marrë me qira tek “Fiati” më duket. Unë u bëra pjesë herën e parë dhe më tej për shkak të presioneve nuk mund të largohesha më dhe kështu kam qenë pjesë në këto vjedhje që ju kemi bërë njerëzve që kalonin vetëm sidomos në zona pak të banuara por që unë nuk kam gjuajtur asnjë prej tyre.
***
Dua t’ju them gjithashtu se mbrëmjen e djeshme duke qenë se patëm edhe këtë rastin që për pak na kapën makina e policisë në zonën e pasme të Casa Italia-s diku në Astir kur futesh atëherë nuk kemi numëruar dot se sa lekë kanë pasur në portofol këta persona sepse vëllezërit Bushgjoka nuk i kanë numëruar në syrin tim.
Pyetje: Mund të na saktësoni me përshkrimin tuaj dhe për aq sa ju e njihni të dashurën e shokut tuaj Fatjonit?
Përgjigje: Kjo vajza që dilte dhe ju kërkonte telefonat njerëzve di që quhet Kristi sepse kështu i thërrisnin, ishte rreth 20 vjeçe, bionde, sytë e kaltër me trup mesatar por që unë nuk e di se ku rri apo banon sepse kur më merrnin mua apo takoheshim unë e kam gjetur gjithmonë në makinën “Fiat” që përdorte Fatjoni.
Pyetje: Si planifikonit rastet që keni bërë këto vjedhje me dhunë kishit role të ndara nga dikush?
Përgjigje: Fatjoni ka qenë ai që na thoshte se çfarë duhet të bënim dhe planifikimi ka qenë thjesht që do shkonin me makinë e do parkonim në ndonjë rrugë që kalojnë pak njerëz siç është zona e Mëzezit ku ka biznese më shumë dhe më tej Kristi kishte këtë detyrën që të afronte njerëzit duke ju kërkuar telefonat dhe më pas i afronte këta persona tek makina ku rrinim unë me Fatjonin dhe me Aleksandrin dhe aty dilnim ne dhe ju merrnim gjërat e tjera e më pas Fatjoni me vëllain e tij i shtynin ose i gjuanin kur ata tentonin të na kërkonin gjërat, sendet e tyre si celular, portofol.
Unë kur kemi pasur rastin e parë të vjedhjes jam gjendur i papërgatitur dhe pasi e kemi kryer ju jam betuar që mos ta bënin më, por të nesërmen Fatjoni bashkë me vëllain dhe këtë vajzën kanë ardhur më kanë marrë sërish dhe kështu dukej sikur unë i tradhtoja sepse edhe isha i frikësuar dhe jam ende i frikësuar për çfarë mund të ndodhë tashmë që unë kam deklaruar këto që ju kam thënë më sipër. Unë e di që ju keni dhe pamje filmike dhe njerëzit që i kemi grabitur na kanë njohur sepse kemi vepruar pas asnjë gjë apo mbulim nëpër fytyra dhe kështu që nuk kisha për çfarë të fshihesha më as unë dhe aq më pak shokët.
Pyetje: A ka pasur tjetër person pjesë e grupit tuaj apo që ka dijeni për veprat që ju keni bërë në bashkëpunim me Fatjon, Aleksandër Bushgjokën dhe vajzën me emrin Kristi?
Përgjigje: Përveç ne të katërve nuk ka dijeni tjetër njeri. Mua ditën e sotme më ka takuar në afërsi të shtëpisë sime njëri prej vëllezërve tjetër të Fatjonit dhe Sandrit, i cili quhet Ndue Bushgjoka dhe më tha se i kishte thënë Fatjoni që të më takonte mua t’i jepja çelësin e makinës “Fiat” që kishim lënë tek tregu “5 Maji” që ta çonte më pas atje ku Fatjoni e kishte marrë me qira.
Kështu kemi shkuar bashkë me Nduen tek makina që ai ta merrte por kaq ka pasur dijeni Ndue sepse s’ka fare dijeni se çfarë kanë bërë vëllezërit e tij apo edhe unë bashkë me ta. Ai thjesht do çonte makinën tek dyqani ku e kishte marrë Fatjoni siç edhe ai i kishte thënë në telefon. Por nuk shkuam dot tek makina në afërsi të tregut “5 maji” pasi na ka kapur policia dhe më tej jemi shoqëruar në Komisariatin e Policisë 6 në Tiranë.
Pyetje: Mund të na thoni ku i keni shitur celularët e parë që ju keni vjedhur ditët e para që thatë se i keni shitur tek tregu Çam?
Përgjigje: Nuk e kujtoj dot fiks por është në një rrugë përballë postës shqiptare dhe është shitës një djalë i ri me syze që ka një kioskë të vogël.
Pyetje: Keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Nuk kam asgjë më tepër për të shtuar. Detaje më të hollësishme ndoshta nuk kujtoj t’jua sqaroj por kjo ka qenë mekanizmi i ngjarjeve që kemi bërë unë së bashku me vëllezërit Bushgjoka dhe vajzën me emrin Kristi. Gjithë më sipër janë thëniet e mia, të vërteta dhe të thëna nën përgjegjësinë time dhe firmos pa vërejtje.