Presidenti kroat Zoran Milanoviç anuloi samitin e Ballkanit Perëndimor të parashikuar për t’u zhvilluar në muajin maj për shkak të deklaratave të bëra nga homologu i tij serb, Vuçiç për të cilat tha se kërcënojnë stabilitetin rajonal. Samitet vjetore të Brdo-Brijunit bashkojnë presidentët e Kroacisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Nisma rajonale u prezantua nga dy anëtarët e Bashkimit Evropian, Kroacia dhe Sllovenia, në vitin 2013, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit midis vendeve të Evropës Juglindore dhe përshpejtimin e integrimit të tyre në BE, por Milanoviç tha përmes një deklarate se Presidenti serb nuk mund të vizitonte Kroacinë dhe e anuloi takimin.
“Veprimet politike të Vuçiçit në ditët dhe javët e fundit minojnë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore”,- thuhet në atë deklaratë. “Në rrethana të tilla, nuk ekzistojnë kushte dhe as nuk është e mundur që Vuçiç të vizitojë Kroacinë”, vijon njoftimi i publikuar në faqen e presidentit korat.
Pa dhënë detaje se cilave deklarata të homologut të tij serb iu referua, Milanoviç shtoi se samiti i ardhshëm do të mbahet kur të plotësohen kushtet dhe pas konsultimeve me homologen e tij sllovene, Natasha Pirc Musar. I menjëhershëm ishte reagimi i Vuçiçit , i cili u shpreh se e mbështet plotësisht vendimin e Zoran Milanoviçit.
“Ai ka plotësisht të drejtë, unë nuk i përkas atij vendi”, deklaroi ai, duke shtuar se presidenti kroat nuk kishte pse ta anulonte takimin, por mund të ftonte miqtë e tij. I pyetur nëse vendimi është për shkak të komenteve të tij mbi aleancën ushtarake mes Prishtinës, Zagrebit dhe Tiranës, Vuçiç tha se ata nuk ndihen rehat për këtë. Presidenti serb ka akuzuar vazhdimisht tre vendet, të cilat nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi për mbrojtje dhe siguri në mars 2025, për krijimin e një “aleance ushtarake” kundër Serbisë.











