Prej orës 14, afat kur ishte parashikuar dorëzimi te presidenti George Ivanov i argumenteve për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë, udhëheqësi i LSDM-së, Zoran Zaev gjendet në zyrën e kreut të shtetit, i cili gjithsesi pritet ta marrë vendimin në ditët e ardhshme.
Nga burime të MIA-s brenda kabinetit të presidentit Ivanov, mësohet se Zaev ishte nisur t’i parashtronte kreut të shtetit nënshkrimet e 67 deputetëve nga LSDM-ja, BDI-ja, Besa dhe Aleanca e Shqiptarëve, një sinjal ky që nënkupton se udhëheqësi i LSDM-së nuk e ka pranuar “shtrirjen e dorës” nga ana e Gruevskit për të formuar një koalicion të madh, vetëm e vetëm për të kundërshtuar kërkesat e shqiptarëve.
Pas konsultave me krerët e partive politike parlamentare në Maqedoni më 1 shkurt, Ivanov kishte deklaruar se do t’i jepte mandat për formimin e qeverisë, partisë apo koalicionit që do t’i vërtetonte krijimin e shumicës në Kuvend, citohet Koha. (b.an)