Në intervistën e parë televizive në median shqiptare, Ambasadorja e SHBA znj. Yuri Kim iu përgjigj pyetjeve të gazetares Ilva Tare, ekskluzivisht për Euronews Albania. Ambasadorja foli në “Ilva Now’, për disa nga çështjet më të nxehta, si reforma në drejtësi, klimën politike dhe investimet amerikane në vendin tonë. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte e drejtpërdrejtë dhe e vendosur lidhur me qëndrimin e SHBA për reformën në drejtësi, por nuk hezitoi të shprehte dhe qëndrimin e politikës shqiptare për reformën.
Intervista e plotë
Ilva Tare: Kam të ftuar sot ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Zonja Ambasadore, shumë faleminderit që jeni në Euronews Albania, dhe më jep shumë kënaqësi fakti që intervista juaj e parë në vend është në Euronews Albania. Një muaj pasi mbërritët në Shqipëri, vendi hyri në karantinë për shkak të koronavirusit. Si e keni përjetuar punën në kufizime të tilla?
Ambasadorja Kim: Së pari, faleminderit shumë për ftesën. Është vërtet kënaqësi të jem këtu. Kam dëgjuar shumë për ju, sigurisht, reputacionin tuaj, ndaj është mrekulli që jam këtu. Më pëlqen shumë që jam në Shqipëri. Erdha në një kohë kur shumë njerëz thanë, ‘është koha më e keqe’ sepse sapo kishte kaluar tërmeti dhe, pak pasi arrita, ndodhi pandemia e koronavirusit. Por për mua, nga aq sa kam parë, kjo është koha më e mirë, sepse pata mundësinë të shoh se si është vërtet Shqipëria dhe shqiptarët. Dhe ajo që pashë ishte kurajë, këmbëngulje, dhe shpresë dhe më duhet të them, ia kemi dalë goxha mirë në menaxhimin e situatës. Ndaj, jam shumë e kënaqur që jam këtu.
Ilva Tare: Kam vënë re që jeni shumë aktive edhe në mediat sociale. Pse zgjodhët të komunikoni drejtpërdrejt me popullin shqiptar?
Ambasadorja Kim: Sepse dua të di se çfarë mendojnë njerëzit dhe, pavarësisht sa i dua raportet që marr, sado e vlerësoj informacionin që marr nga stafi im, doja të dëgjoja drejtpërdrejt nga njerëzit. E shoh median sociale jo vetëm si mënyra që unë t’iu them njerëzve çfarë mendoj por edhe që njerëzit të më tregojnë mua. Në fakt i lexoj komentet – ndonjëherë është disi toksike, por i lexoj gjithsesi.
Ilva Tare: Si janë komentet e përgjithshme që merrni nga ky komunikim, nga komentet e njerëzve?
Ambasadorja Kim: Shumë pozitive, shumë pozitive. Ajo që kam vënë re këtu është që afeksioni që shqiptarët kanë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe amerikanëve është kaq i mirëfilltë dhe shpresoj që populli shqiptar ta dijë që ndjenja është e ndërsjellë. Po ashtu e shohim Shqipërinë si mike e vërtetë dhe si mike shumë e veçantë.
Ilva Tare: Në fakt, ju e treguat që jeni një vend mik, ndihmuat Shqipërinë gjatë krizës së koronavirusit me nevojat dhe infrastrukturën mjekësore. Sa është sasia totale e ndihmës që keni dhënë dhe a kanë SHBA-të në plan ndihmë të mëtejshme ekonomike?
Ambasadorja Kim: Po. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh për çështje humanitare, të shëndetit dhe të tjera dhe gjatë 20 viteve të fundit, kemi ofruar mbi 140 miliardë dollarë ndihma në mbarë botën. Vetëm për koronavirusin, në javët e fundit, kemi dhënë 900 milionë dollarë. Nga këto, rreth 1.2 milionë deri tani kanë ardhur në Shqipëri. Do të ketë më shumë dhe shpresoj që njerëzit ta dinë që 1.2 milionët iu shtohen shumë ndihmave të tjera. Gjatë viteve, kemi dhënë rreth 693 milionë dollarë asistencë dhe jemi të kënaqur ta bëjmë këtë sepse siç thoni ju këtu, miku i vërtetë është mik në nevojë. Dhe, ajo që vë re është që nuk është një rrugë me një kalim. Disa nga komentet në median sociale kur i lexoj fokusohen tek ‘Shtetet e Bashkuara gjithmonë i kanë dhënë Shqipërisë’ dhe ‘faleminderit që kujdeseni për ne,’ dhe dua që njerëzit ta dinë që ne ndjejmë se edhe Shqipëria ka ndërmarrë shumë veprime për t’u kujdesur për ne dhe për t’u kujdesur për të tjerët. Dhe, me çështjen e koronavirusit, kur pashë 90 personel mjekësor që shkuan në qendrën e sëmundjes në Itali, m’u duk si një gjest jashtëzakonisht i guximshëm dhe prekës. Ndaj për mua, tani që jam këtu, ndihem pjesërisht shqiptare, ndihem krenare.
Ilva Tare: Ka ndihmë por ka edhe llogaridhënie dhe këtë kanë dashur shqiptarët nga SHBA, kanë pritur nga ju, nga ambasadori amerikan këtu që të thotë të vërtetën për Shqipërinë, për llogaridhënien e qeverive ndaj, më lejoni t’ju pyes për vlerësimin se si është sjellë qeveria për sa i përket masave të marra, faktit që gjendja e fatkeqësisë natyrore u zgjat deri më 23 qershor dhe që kodi penal u ashpërsua për të ndëshkuar personat e infektuar që shkelin vetëizolimin, çka shkaktoi shqetësime për rreth 30 organizata të të drejtave të njeriut. Për ta, ishte diçka joproporcionale dhe shkelje e të drejtave dhe lirive themelore.
Ambasadorja Kim: Mendoj se rezultatet flasin vetë për sa i përket mënyrës se si qeveria e ka trajtuar çështjen e koronavirusit. Do të thosha se qeverisë i takon meritë, por iu takon edhe të tjerëve, përfshi qytetarët shqiptarë. Sepse nuk do të kishte ndodhur nëse shumica dërrmuese e njerëzve nuk do t’iu ishin përmbajtur masave shumë shtrënguese. Prandaj, si rezultat i kontributit të secilit, niveli i infektimeve dhe numri i vdekjeve u mbajt në nivel mjaft të ulët. Për sa i përket llogaridhënies, mendoj se ajo qëndron në zemër të një demokracie dhe sundimit të ligjit dhe keni të drejtë që përqendroheni tek ajo. Nuk është detyrë e Ambasadës së SHBA apo Qeverisë së SHBA që t’ia kërkojë këtë qeverisë shqiptare. Është diçka që duhet ta kërkojë populli shqiptar. Për mua, si përfaqësuese e Qeverisë së SHBA këtu në ambasadë, në çdo çast jam e përgatitur të përgjigjem se si i shpenzojmë dollarët e taksapaguesve amerikanë në ambasadë dhe mendoj se populli shqiptar duhet të ketë të njëjtën pritshmëri nga qeveria e vet. Duhet të kërkoni përgjigje, duhet të bëni pyetje dhe…
Ilva Tare: Problemi është të marrim përgjigje, Zonja Ambasadore dhe…
Ambasadorja Kim: Duhet të ushtroni presion për të …
Ilva Tare: Duhen institucione të forta që punojnë dhe vlerësojnë transparencën.
Ambasadorja Kim: E saktë…
Ilva Tare: Mendoni se është ky rasti në Shqipëri?
Ambasadorja Kim: Mendoj se ka gjithmonë hapësirë për përmirësim dhe mendoj se ka disa hapa pozitive që po merren dhe pritshmëria është që kjo do të vazhdojë dhe sigurisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i mbështesin këto përpjekje.
Ilva Tare: A përbënte ndonjë shqetësim specifik për Ambasadën e SHBA ndryshimi i kodit penal?
Ambasadorja Kim: Nuk do komentoj specifikisht për të, por ajo që do të them është që procesi i arritjes deri tek ligji, mendoj se ishte një model, ku qeveria propozoi diçka, opozita shprehu mendimet e saj, shoqëria civile bëri të qarta shqetësimet e saj, presidenti pati një opinion; parlamenti debatoi, e miratoi, presidenti bëri ndryshime të mëtejshme, dhe më pas u miratua. Për mua, ky është modeli se si duhet të funksionojë procesi legjislativ në një demokraci.
Ilva Tare: Dhe teksa flasim për këtë klimë që përmendët, modelin, aktorët politikë u duk se punuan bashkë gjatë krizës Covid-19 duke shmangur luftën e zakonshme politike edhe në kohë të vështira. A mendoni se është e qëndrueshme një klimë e tillë dhe që udhëheqësit politikë kanë kapacitetin të vendosin interesat e qytetarëve mbi ato të partive politike?
Ambasadorja Kim: Ata kanë treguar me veprimet e veta se është e mundur dhe shpresoj që populli shqiptar do të vazhdojë t’iu kërkojë sjellje më të mirë nga udhëheqësit e tij. kanë treguar se kur një çështje është e rëndësishme, në një kohë si pandemia korona, ata mund ta lënë mënjanë politikën, mund të përqendrohen tek e mira e përgjithshme, dhe në fakt mund të bisedojnë mes tyre në mënyrë të civilizuar dhe të prodhojnë një rezultat domethënës dhe shpresoj se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Kemi çështje të tjera përpara që do të kërkojnë këtë lloj bashkëpunimi dhe udhëheqësie, përfshi reformën zgjedhore, vazhdimin e reformës në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Do të duhet udhëheqësi dhe do të kërkojë nga udhëheqësit që të vendosin se nuk e përballojnë dot që të vazhdojnë lojërat politike si zakonisht.
Ilva Tare: Shpresoj të ndodhë kjo dhe që do të flasim për bashkëpunimin për reformat pak më vonë në këtë intervistë. Organi anti-korrupsion dhe anti-krim i organizuar SPAK u ngrit më në fund, me vonesa të konsiderueshme dhe aktualisht po heton Ministren e Mbrojtjes dhe Ministren e Shëndetësisë për ato që opozita i quan tendera sekretë edhe pse qeveria pretendon se nuk ekzistojnë tendera sekretë. Çfarë mendoni për transparencën e vendimeve të qeverisë në këtë krizë, gjatë Covid19 dhe transparencën mbi shpenzimet publike?
Ambasadorja Kim: Siç e përmenda më parë, qeveritë kanë detyrimin të jenë në gjendje t’iu shpjegojnë taksapaguesve pikërisht se si përdoren taksat e tyre.
Ilva Tare: A mendoni se ky detyrim është përmbushur nga qeveria shqiptare?
Ambasadorja Kim: Këtë e vendos SPAK. Ata do të shohin faktet dhe pres me kënaqësi, ashtu si kushdo tjetër në Shqipëri, se cilat do të jenë rezultatet. Por ekziston një proces dhe është gjëja e duhur që SPAK ta vendosë këtë çështje. Jo unë.
Ilva Tare: Le të flasim…le të mos fshihemi kur kemi elefantin në dhomë, për reformën në drejtësi. Le të flasim për vlerësimin tuaj për statusin e zbatimit të reformës në drejtësi.
Ambasadorja Kim: Reforma në drejtësi është absolutisht e nevojshme dhe mendoj se të gjithë ranë dakord për këtë. Në vitin 2016, kërkesa popullore për reformën në drejtësi ishte aq e madhe sa politikanëve iu desh t’i miratonin ato. Dhe bënë gjënë e duhur. Është për t’u përgëzuar. Reforma në drejtësi ka tri pjesë: duhet kuadri ligjor, ngritja e kapaciteteve institucionale për të, dhe së fundi, çka mund të ndodhë edhe njëkohësisht, duhet të zbatohet ligji dhe institucionet duhet të funksionojnë. Mendoj se njerëzit kanë të drejtë që janë disi të paduruar për këtë. Kemi parë që u bë pjesa e parë. Kemi ligjet e vitit 2016. Kemi pjesën më të madhe të institucioneve të ngritura, përveç Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Kushtetuese, e cila është diçka madhore. I përmend të gjitha këto për të vënë në pah se pavarësisht sa të paduruar jemi, ka pasur edhe përparim real. E them këtë për të treguar se duhet të vazhdoni të jeni të paduruar. Duhet të vazhdoni të nxisni dhe, sa më përket mua, është koha që udhëheqësit të prodhojnë rezultatet. Varet nga ata që të tregojnë vullnet politik për të ngritur gjykatën kushtetuese. Varet nga gjykatësit që të fillojnë të tregojnë se gjykatat po funksionojnë. Dhe mendoj se kemi filluar ta shohim këtë. Javën e kaluar, Gjykata e Lartë nxori disa vendime dhe po fillojmë të shohim pakësimin e çështjeve të mbartura dhe vazhdimin e vetingut. Pra, ka lëvizje, por edhe unë jam me popullin shqiptar: është koha për një shtysë të re për të bërë përparim.
Ilva Tare: Zonja Ambasadore, si do t’iu përgjigjeshit kritikëve që thonë se SHBA dhe BE nxitën një reformë në drejtësi që është defektoze, që ka probleme, që ka krijuar një situatë të paprecedent në Shqipëri, pa gjykatë të lartë, pa gjykatë kushtetuese dhe në fakt fajësojnë ndërkombëtarët që i nxitën udhëheqësit politikë shqiptarë. Si u përgjigjeni?
Ambasadorja Kim: Do të thosha se diçka si reforma në drejtësi është jashtëzakonisht e vështirë. Është e ndërlikuar dhe është e papërsosur, por nga sa shoh, elementët bazë janë aty dhe varet nga aktorët që të fillojnë ta zbatojnë atë vërtet.
Ilva Tare: Shqiptarët ju shohin si garant sidomos të kësaj reforme. Besojnë se ajo që bëni ju është e duhura. A mund t’iu thoni shqiptarëve se ajo që kemi bërë deri më sot për reformën në drejtësi është më e mira që mund të kishim bërë?
Ambasadorja Kim: Mendoj se askush nuk duhet të pretendojë përsosmëri. Nuk është e mundur. Por ajo që mund t’ju them është që për qeverinë amerikane, reforma në drejtësi në Shqipëri mbetet përparësi dhe, për mua personalisht, mbetet një përparësi dhe kam në plan t’i kushtoj gjithçka mundem për ta bërë realitet. Do të thotë që do të ketë frustrim, e pres këtë të ndodhë, sepse ka disa që nuk duan që të ndodhë. Ka edhe çështje kapacitetesh. Por ajo që mund të them është se do të bëj përpjekjet e mia më të mira; kushdo rreth meje do të bëjë më të mirën dhe tani është në dorën e udhëheqësve politikë që të tregojnë seriozitetin e tyre për ta bërë këtë realitet.
Ilva Tare: Do të përpiqem edhe pse e di që diplomatikisht nuk mund të përgjigjeni, por a e dini se kush nuk e do?
Ambasadorja Kim: Mendoj se ka shumë që nuk e duan.
Ilva Tare: Dhe vazhdoni të punoni me ta?
Ambasadorja Kim: Mendoj se ka shumë që nuk e duan. Unë punoj me një gamë të gjerë njerëzish dhe do të vazhdoj ta bëj këtë.
Ilva Tare: Ambasadore, në prill u takuat me Kreun e KED dhe Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, për të cilin presidenti i ka kërkuar KLGJ-së ta shkarkojë sepse i ka skaduar mandati që në vitin 2014. KLGJ ka kërkuar opinionin e OPDAT dhe EURALIUS përpara se të vendosë. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?
Ambasadorja Kim: Mendoj se gjykatat duhet të shfrytëzojnë të gjitha burimet që kanë në dispozicion, përfshi këshillat teknike, por në fund duhet të ndjekin ligjin dhe duhet të jenë në gjendje të tregojnë se janë të aftë të marrin vendime mbi një bazë që demonstron pavarësi dhe integritet. Ata nuk duhet të lejojnë asnjë faktor të jashtëm që të ndërhyjë në procesin vendimmarrës. Sigurisht, siç e thashë më parë, cilido është i lirë të shprehë mendimin e vet; unë mund ta shpreh, ti mund ta shprehësh, cilido mundet. Por në fund të ditës, vlera e një gjykate në këtë kuadër të reformës në drejtësi është që ato të funksionojnë me pavarësi dhe integritet.
Ilva Tare: Pra pavarësisht nga opinion i OPDAT apo EURALIUS, është përgjegjësia e KLGJ që të marrë një vendim?
Ambasadorja Kim: Absolutisht.
Ilva Tare: Sepse mund ta thonë si alibi se kjo është ajo që duan ndërkombëtarët…
Ambasadorja Kim: Është koha për t’u ngritur në lartësinë e detyrës. Të ngrihen në këmbët e tyre. T’i tregoni popullit shqiptar se mund të funksiononi. Është koha.
Ilva Tare: Cili është vlerësimi juaj për reformat? Ne kemi një listë reformash për të përmbushur, reformën zgjedhore dhe reformat të tjera të rëndësishme, për të nisur zyrtarisht negociatat me BE. Është një proces i pritur shumë gjatë dhe ne kemi bërë pjesën tonë, e cila ka qenë zakonisht problematike, dhe BE ka gjithashtu betejat e saj. Si e shihni procesin e refomës zgjedhore deri tani? Dje, patëm deklarata nga opozita dhe shumica, të cilat u dukën një hap prapa nga qëllimi i miratimit unanim të reformës.
Ambasadorja Kim: Unë mendoj se në vend që të përqëndrohemi në çdo hap, mendoj se duhet të bëjmë pak prapa dhe të shohim panoramën e plotë. Dhe në panoramën e plotë, ajo që unë shoh, është se opozita, qoftë brenda apo jashtë parlamentit, ka pranuar të ulet në tavolinë. Është tashmë përgjegjësia e secilit në tavolinë, qofshin në pakicë apo shumicë, që të dëgjojnë idetë e njëri-tjetrit, të dëgjojnë këshillën e OSBE/ODIHR dhe të dalin me reforma që janë vërtet kuptimplota. Kjo është pikërisht koha që duhet të tregojnë se çfarë kanë. Mendoj se gjatë 6 muajve të ardhshëm, do të ketë disa vendime të rëndësishme që do duhet të merren, disa negociata të rëndësishme që do duhet të mbyllen, përfshirë edhe reformën zgjedhore, dhe unë pres të shoh rezultatet. Por, është diçka e mirë që ata janë ulur në një tavolinë. Dhe mendoj se ndiejnë pak trysninë për të mbërritur në një rezultat kuptimplotë.
Ilva Tare: Duke iu kthyer reformës në drejtësi, doja thjesht të pyesja nëse në takimet që ju keni pasur me aktorë dhe faktorë politikë në Shqipëri, në kapacitetin tuaj si Ambasadore e SHBA a i keni kërkuar të heqin dorë nga dëshira e tyre për të emëruar gjykatës apo prokurorë?
Ambasadorja Kim: Ligji është shumë i qartë, sipas meje, se si reforma në drejtësi duhet të ecë përpara dhe se si gjykatësit duhet të emërohen. Aty ku ka pyetje, mendoj se në mënyrën e duhur referohen tek Komisioni i Venecias dhe, në fund, duhet të referohen në Gjykatën Kushtetuese. Ajo vendos mbi intepretimin e ligjit.
Ilva Tare: …e cila nuk është e mbledhur për momentin…
Ambasadorja Kim: Saktë. Pra, ne duhet ta korrigjojmë këtë gabim. Dhe kur them “ne” kam parasysh të gjithë në Shqipëri, por sidomos udhëheqësit e Shqipërisë. Nuk më takon mua ta rregulloj. Unë mund të flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mund të them se pritshmëria dhe dëshira jonë për miqtë tanë shqiptarë është që Gjykata Kushtetuese të funksionojë por, në fund të fundit, i takon popullit shqiptar të kërkojë nga udhëheqësit e tyre që të veprojnë. Dhe është përgjegjësia e udhëheqësve që t’u kthejnë përgjigje pyetjeve që njerëzit kërkojnë prej tyre.
Ilva Tare: Zonja Ambasadore, a mendoni se SHBA mbështesin një shumicë apo qeveri të caktuar në mënyrë që të mbrojnë stabilitetin, ashtu siç thonë disa kritikë? A është kështu?
Ambasadorja Kim: Unë mendoj se ne punojmë më çdo qeveri që është në vend, e zgjedhur në mënyrë ligjore, dhe është në vendin e saj në mënyrë legjitime. Kjo është puna jonë, ne nuk diskriminojmë. Por pavarësisht qeverive të zgjedhura, marrëdhënia jonë është me popullin shqiptar, me Shqipërinë si vend, jo me ndonjë parti të veçantë. Unë përpiqem të komunikoj dhe të flas dhe të prek sa më shumë njerëz që të mundem. Ju pyetët më parë përse jam kaq aktive në mediat sociale; është pikërisht për këtë arsye, sepse marrëdhënia është shumë e gjerë dhe marrëdhënia e shkëlqyer që kemi me qeverinë shqiptare është prej elementeve të saj, dhe unë e vlerësoj tërësinë e saj.
Ilva Tare: Dhe që të kthehemi tek reforma zgjedhore, a mendoni se partitë do të respektojnë afatin e 31 majit, për miratimin e saj?
Ambsadorja Kim: Shpresoj! Komuniteti europian do ta shohë këtë çështje me shumë kujdes, si një tregues se sa mirë Shqipëria do jetë në gjendje të përmbushë 15 kërkesat përpara nisjes së negociatave. Mendoj se janë pak nën trysni për të prodhuar rezultat.
Ilva Tare: Ju po ushtroni presion mbi ata?
Ambasadorja Kim: Unë ju kam shprehur atyre shpresën time që ata të bëjnë punën e tyre. Ata ndiejnë trysninë nga qytetarët shqiptarë.
Ilva Tare: Meqë ra fjala, dhe ky është mendimi im personal, unë mendoj se me SHBA, shqiptarët dhe qytetarët shqiptarë kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të shëndetshme, një aleancë që ndonjëherë as nuk justifikohej. Në 30 vitet e fundit, shqiptarët e kanë dashur Amerikën dhe ne gjithmonë e kemi dashur partneritetin strategjik me SHBA por, në njëfarë mënyre, nuk e kemi parë të mishëruar në interes më të madh të shprehur për vendin. Për shembull, investuesit kinezë janë prezentë në vend në sektorë kyç, si nafta apo aeroporti. Investuesit rus po sjellin grurë, megjithëse ka disa kufizime tani, por duket se ata kanë të njëjtën politike si me gazin. Shqipëria duket se nuk është gati të përballet me këtë gjë. Ku janë interesat amerikanë në Shqipëri? Kur do të shohim kapital amerikan në këtë vend?
Ambasadorja Kim: Nuk jam dakord me ju.
Ilva Tare: Mire.
Ambasadorja Kim: Ka shumë fakte aty lu ju nuk shihni fakte, unë shoh fakte të forcës së marrëdhënies midis SHBA dhe Shqipërisë. Edhe përpara se të arrija këtu, unë thashe që tri prioritetet e mia kur të vija në Shqipëri do të ishin forcimi i marrëdhënies sonë të mbrojtjes, që Shqipëria të bëhet një aleate më e fortë në NATO; së dyti, që ne do të punonim për të mbështetur zhvillimin e Shqipërisë si një vend demokratik – sundimin e ligjit, luftën ndaj korrupsionit, reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe të gjitha këto çështje; dhe së fundmi, të kërkoja për mundësi zgjerimi për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis SHBA dhe Shqipërisë. Këto tri gjëra janë të lidhura. Ato janë të lidhura sepse kërkojnë transparencë dhe zbatim të ligjit. Prandaj, ajo që dua të nënvizoj me udhëhqësit këtu, me ata që bëjnë rregullat, qofshin politikanë apo anëtarë të sistemit të drejtësisë, është se vendimet e biznesit do të merren bazuar në gjëra si, a do të zbatohen kontratat. Pse do ti vija unë paratë e mia në një kontratë nëse nuk do isha e sigurtë nëse gjykatat janë të drejta, nëse nuk do isha e sigurtë që procesi i aplikimit nuk është transparent, nëse nuk jam i sigurtë që dikush nuk do favorizojë një kompani tjetër? Pra, duhet transparencë, duhet proces, dhe duhen garanci për zbatimin e ligjit. Pasi të kemi këto hallka, mendoj se do të kemi shumë interes. Ndërkohë, do doja të nënvizoja se Dhoma Amerikane e Tregtisë është shumë aktive në Shqipëri, dhe tani më shuë se kurrë. Ju mund ta keni parë kompaninë amerikane Coca-Cola që kontribuoi për luftën ndaj COVID. Pra, mendoj se kompanitë ameirkane, prania amerikane këtu është aq e përhapur, sa është pothuajse si ajri dhe nuk e vëmë re, por është këtu dhe ajo që unë shoh është se përgjatë 100 viteve të fundit, në çaste kritike, populli shqiptar dhe populli amerikan kanë zgjedhur gjithmonë njëri-tjetrin. 100 vjet më parë, kur Fuqitë e Mëdha donin ta ndanin dhe zhduknin Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara e dëgjuan Shqipërinë dhe thanë jo, Shqipëria ka të drejtë të ekzistojë. 90 vjet më vonë, ne ishim sërish aty kur Shqipëria dhe populli shqiptar ishin nën sulm, kur ju hodhët poshtë komunizmin, ne ishim aty për t’ju mbështetur, dhe sërish e sërish. Mendoj se së bashku, kemi një marrëdhënie të gjatë dhe të mrekullueshme adhurimi, ndihme dhe interesi reciprok. Ju pyetët për të tjerët që po përpiqen të futen në lojë. Unë nuk mendoj se ka nevojë t’u jap shqiptarëve leksione mbi të tjerët. Ju e dini historinë nga vetë përvoja juaj. Dhe pritshmëria ime është se SHBA dhe Shqipëria do të vazhdojnë të zgjedhin njëra-tjetrën sepse kemi shumë për të fituar dhe shumë për të bërë së bashku.
Ilva Tare: Pra, është në dorën tonë tani që të përmirësojmë klimën për investime dhe më pas, kapitali amerikan do të vijë?
Ambasadorja Kim: Po.
Ilva Tare; Cilët janë sektorët në të cilët investuesit amerikanë do të ishin më shumë të interesuar në Shqipëri?
Ambasadorja Kim: Mendoj se infrastuktura dhe energjia kanë gjithmonë interes. Ato do të mbeten mallra konsumi. Mendoj se koronavirusi do të prekë tregtinë për shumë vended he shumë rajone në mbarë botë por ka mundësi këtu dhe unë shpresoj se korniza ligjore dhe funksionimi do të jenë në gjendje të tillë që do t’u tregojnë investuesve amerikanë se Shqipëria është një bast i mirë.
Ilva Tare: Ne përmendëm shoqërinë civile por është edhe një tjetër shtyllë e demokracisë – media. Cfarë prisni ju nga media? Çfarë prisni që ato të përmirësojnë?
Ambasdorja Kim: Mendoj se media duhet të ofrojë informacion të vërtetë, që është i mirëkërkuar, dhe të ofrojë të dyja anët e një historie, në mënyrë që njerëzit të vendosin vetë mbi atë që mendojnë. Dhe shpresoj që gazetaria në Shqipëri të kthehet në shtyllën e fortë që ajo është në çdo demokraci. Shpesh gazetarët ngrejnë pyetje që i bëjnë njerëzit të ndihen jo rrehat, ashtu si ju sot, por kjo është puna juaj dhe unë e respektoj atë. Ju keni rolin tuaj, unë kam rolin tim dhe mendoj se të dy janë role të rëndësishëm dhe, nëse nuk japim më të mirën tonë, i gjithë ky projekt vuan pasojat, prandaj unë kam vetëm respekt për gazetarët shqiptarë. Kam takuar shumë prej tyre dhe pres të takoj edhe shumë të tjerë.
Ilva Tare: Ambasadore Kim, ishte një privilegj që fola me ju. Faleminderit për këtë intervistë.
Ambasadore Kim: Faleminderit shumë!