• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, January 31, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Xhufi replikë me Ndrecën: Enveri të paktën s’e shiti Shqipërinë te serbët e grekët si Mid’hat Frashëri

by Java News
23/11/2018 18:39
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Sjellja e eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe, vendosja e tyre pranë varreve të Frashërllinjve dhe Konicës e më së shumti ceremonia dhe vetë fjalimi i Kryeministrit Edi Rama, nuk mund të mos i trazonte ujërat mes shqiptarësh, duke i ndarë në pro dhe kundra. Shkrime, intervista, ku e lartësonin e ulnin figurën e Mid’hat Frashërit.

Disa e quanin atdhetar të madh, të tjerë kolaboracionist. Së fundmi, historiani Pëllumb Xhufi i përgjigjet albanologut Ardian Ndreca për një shkrim të tijin në gazetën “Panorama”, pak ditë më parë. Duke ironizuar me Ndrecën, Xhufi na sjell në vëmendje qëndrimin e Fuqive të Mëdha, të Roosevelt-it dhe Churchill-it ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Stalinit. Por edhe ndaj Luftës Antifashiste në Shqipëri.

Ardian-Ndreca

Por edhe të Forcave Aleate në Shqipëri, që dëshmonin për qëndrimin e forcave si Balli Kombëtar, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Xhufi rendit emrat e atyre që bashkëpunuan me nazistët dhe e shitën vendin te serbët e grekët, mes të cilëve Ahmet Zogu dhe Mid’hat Frashëri.

PËLLUMB XHUFI

NUK E KAM VETËM ME ARDIAN NDRECËN…

Ky do të ishte raundi i dytë e një debati me Ardian Ndrecën, që nisi mbasi ky ngacmoi me një interpretim origjinal që i bëri historisë së Luftës II Botërore, në kontekstin europian dhe në atë shqiptar. Në gazetën “Panorama” të datës 21 nëntor, Ndreca ka mundur t’i zhvillojë më gjerësisht idetë e tij, duke më dhënë edhe mua më shumë lëndë, shumë më tepër se sa “postimi” lakonik i mëparshëm. Do i drejtohem me “ti” për të ruajtur ritmin e bisedës, por kjo s’do të thotë se do dal nga kufijtë e mirësjelljes.

mitat ceremonia

Mund ta bëj pa shumë vështirësi këtë, duke iu kthyer imazhit të dikurshëm për të, si një djalë i kultivuar dhe i edukuar, sido që idepërmbysur, cinik e paksa hileqar. Kam një histori të hershme debatesh me Ndrecën, që ndonjëherë janë zhvilluar nën moton “kush je ti, e kush jam unë”. Kësaj radhe do jem shumë i qetë, do merrem thjesht me idetë e Ndrecës dhe do merrem me to sepse konstatoj se, çuditërisht, ato po qenkan edhe idetë e ndonjë neofiti “socialist” me pushtet, të cilin shumica e shqiptarëve e kanë votuar, në radhë të parë për të rregulluar diçka nga zallamahia që la pas demokratura. Pastaj, edhe për të ruajtur e kultivuar ndonjë vlerë pozitive, të njohur si të tillë brenda e jashtë, siç janë në rastin e debatit tonë patriotizmi e antifashizmi.

Këto, fatmirësisht, janë mishëruar fort edhe në historinë më të re të popullit shqiptar, atë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila paradoksalisht po goditet fort pikërisht sot, para syve vjedhacakë e të pandershëm të qeverisjes “socialiste”. Pra, të më falë Ndreca, kësaj radhe po e përdor vetëm si një leje kalimi për të hyrë në pallatet e pushtetit e për të provokuar në debat ndonjë prej banorëve specialë të tij, në mënyrë që në këtë nëntor të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut ky t’ua thotë shqiptarëve, por t’ua thotë hapur, se ç’mendon për fashizmin e për neofashizmin, që sot është kthyer në një rrezik real për shumë e shumë vende të Europës dhe jo vetëm duke u bërë tema kryesore e debatit politik e intelektual.

mitat + abaz kupi

Në pritje të kësaj “come-out” të shumëshpresuar të eminencave gri të oborrit po bëj sikur vazhdoj debatin me Ndrecën. Për ata që nuk e kanë ndjekur atë nga fillimi, po përpiqem të përmbledh çështjet kryesore. Duke iu referuar konsideratave të shprehura nga unë mbi sakrificën sublime të mbi 20 milionë ushtarëve e civilëve sovjetikë në mbrojtje të atdheut të vet dhe të mbarë Europës nga murtaja naziste, sakrificë që e përqesh me një cinizëm kriminal, ky Ndreca na jep kumtin e mëposhtëm: “Teza jeme asht se Lufta II Botërore asht luftë kundër totalitarizmit dhe gjetja në nji front e Stalinit, Churchill-it dhe Roosevelt-it kundër Hitlerit, asht aksidentale, pse ata nuk e kanë luftue nazizmin tue u nisë prej bindjesh të njëjta. Themeli i bindjeve të udhëheqësit britanik dhe atij amerikan ishin liria, ajo e Stalinit ruejtja e pushtetit të tij personal”.

Po e përmbaj trazimin intelektual që më shkakton ajo që autori-plagjiat e quan trimërisht “teza jeme” dhe po i përmbahem strikt përmbajtjes. Meqenëse Ndreca më ka shigjetuar për vdekje si historian me mendime të mykura vetero-komuniste (insinuatë, që për një koincidencë fare të rastit, ma ka bërë edhe ndonjë ministër, apo ministreshë, e kabinetit “socialist”), unë do mundohem të flas sot me gojën e të tjerëve që ndryshe nga unë, i kanë kartat në rregull me Ardian Ndrecën. Po mjaftohem të citoj çka thënë në gusht 1942 lidhur me vendin e rolin e BRSS në luftën e përbashkët kundër Gjermanisë naziste, një protagonist i Luftës II Botërore, pikërisht Presidenti i SHBA, Franklin Roosevelt.

Në letrën e tij për Stalinin, Roosevelt shkruan: “Amerikanët e dinë mirë se me angazhimin dhe me viktimat e saj, Rusia po mban barrën e kësaj lufte dhe ne jemi të mbushur me admirim për qëndresën titanike që ju po tregoni” (Robert E. Sherwood, Roosevelt and Hopkins. An intimate History, New York: Enigma Books, 2001, f.942). Dhe jemi ende në vitin 1942, beteja vendimtare e Stalingradit do të vinte pas disa muajsh. Në këto fjalë të sinqerta të Presidentit amerikan flitet për ngjarje dramatike, e jo për ngjarje “aksidentale”. Flitet për një kacafytje epike për jetë a vdekje, e jo për një “luftë idesh”, siç do të thotë filozofi ynë i historisë.

Në fjalët e Presidentit nuk dallohet bezdia që rrjedh nga buzët e përshpirtshme të Ndrecës kur i duhet të flasë për rolin e peshën e BRSS “komunist” në përballjen epike me murtajën naziste. Ndryshe nga “naivi Roosevelt”, Ndreca ynë gjykon ftohtë e thellë. Amerikanët e anglezët, sipas tij, luftonin për lirinë, kurse sovjetikët luftuan (më kot!) për të mbrojtur pushtetin e përgjakur të Stalinit. E në këtë kuptim, konkludon sovranisht Ndreca, “milionat e rusëve të vramë për Stalinin ishin thjesht shifra…”. Si të tillë nuk e meritojnë mëshirën, apo qoftë edhe ndonjë fjalë të mirë të tij. Por le ta lemë në paqen e vet Roosevelt-in “naiv e të lodhun”, e le të shohim se ç’thotë një tjetër protagonist i Luftës II, që “naiv e i lodhun” nuk qe aspak.

Në fjalimin që mbajti nga Radio-Londra më 22 qershor 1941, një ditë pas shpërthimit të agresionit nazist kundër Bashkimit Sovjetik, Kryeministri britanik, Winston Churchill deklaroi: “Askush nuk ka qenë kundërshtar më konsekuent i komunizmit se unë në këta 25 vjet të fundit. Nuk mohoj asnjë fjalë nga ato që kam thënë deri tani mbi atë çështje. Por gjithçka përhumbet përpara spektaklit që po luhet sot përpara syve tanë. E shkuara, me krimet, çmenduritë e tragjeditë e saj harrohet. Tani unë shoh ushtarët rusë, të pozicionuar fort në kufijtë e tokës mëmë, që mbrojnë fushat e mbjella nga etërit e tyre prej kohësh që s’mbahen mend…

Kemi të njëjtin objektiv e të njëjtin qëllim imediat: të asgjësojmë Hitlerin e çdo gjurmë të regjimit nazist. Asgjë nuk do na largojë nga ky qëllim, absolutisht asgjë. Kurrë nuk do të ulemi e të negociojmë me Hitlerin e klikën e tij. Do e luftojmë në tokë, do e luftojmë në det e do e luftojmë në ajër …Çdo njëri apo çdo shtet që do luftojë kundër nazizmit, do ketë ndihmën tonë. Çdo njeri e çdo shtet që do marshojë tok me të, do të jetë armiku ynë. Kjo është politika jonë dhe kjo është deklarata jonë. Për rrjedhojë, do t’i japim gjithë ndihmën e mundur Rusisë dhe popullit rus…

Kjo nuk është një luftë klasash, është një luftë për ekzistencë… Invadimi i Rusisë është vetëm preludi i invadimit të vetë ishujve britanikë… Rreziku që kërcënon sot rusët, na kërcënon edhe ne, kërcënon edhe Shtetet e Bashkuara. Kauza e çdo rusi që lufton për vatrën e tij e për atdheun e tij është kauza e njerëzve të lirë dhe e popujve të lirë në çdo kënd të rruzullit…” (Winston Churchill, La Seconda Guerra Mondiale, BUR, vëll. I, Milano 2001, f. 622-624). Churchill-in nuk e kam dashur për disa bëma të tij që lidhen me Shqipërinë, e posaçërisht me të ashtuquajturin “Vorio-Epir” gjatë e pas Luftës II Botërore. Por nuk mund të mos bashkohem me të në këtë deklaratë që del jashtë qenies së tij liberale e antikomuniste, e që vlerëson saktë, sipas momentit historik, të mirën e të keqen.

Dhe e keqja në vitin 1941 për antikomunistin e regjur ishte Hitleri dhe nazizmi dhe jo komunizmi e Stalini, që Ndreca ynë me një spërdredhje raciste, nga ato që hedh edhe kur flet për relatat ndërshqiptare, e quan “despot aziatik”. Ky, ashtu si vetë Roosevelt-i e Churchill-i, e kishte kuptuar se lufta që Hitleri i kishte shpallur mbarë botës, nuk ishte një luftë “ideologjike”, por një luftë shfarosëse.

Ndaj, kur u njoh me direktivën e lëshuar nga Hitleri në prag të sulmit kundër Bashkimit Sovjetik, sipas së cilës të gjithë robërit sovjetikë duhet të ekzekutoheshin në vend, Stalini lëshoi vetëm një koment të shkurtër: “Hitleri do një luftë shfarosëse? Do ta ketë”! (Robert E. Sherwood, Roosevelt and Hopkins. An intimate History, New York: Enigma Books, 2001, f. 620). Të më falë delikati z. Ndreca, por ashtu si në rastin e parë, kur shpreha simpatinë për deklaratat luftarake të Roosevelt-it e të Curchill-it, edhe tani nuk mund të fsheh simpatinë për këto fjalë të ashpra të “despotit aziatik”, thënë në kohën e duhur dhe drejtuar personit të duhur.

E di që bindjet e tij prej antikomunisti militant do ta shtyjnë Ndrecën të më sulmojë përsëri, ndaj nxitoj t’i kujtoj se po flasim për vitin e largët 1941. Në histori datat kanë rëndësi, përndryshe rrezikon të etiketosh “komunist” edhe Churchill-in, edhe Roosevelt-in, gjë që në mënyrë implicite, Ndreca e bën pa e menduar gjatë. E pra, kjo konjukturë e jashtëzakonshme ndërkombëtare e krijuar në vitet e Luftës II Botërore, u përthye besnikërisht edhe në Shqipërinë tonë të vogël. “Shtetet dhe individët që do rreshtohen në krahun tonë kundër nazifashistëve do të jenë aleatët tanë, ata që do rreshtohen kundër nesh, do të jenë armiqtë tanë”.

Kështu kishte deklaruar në 22 qershor 1941 Winston Churchill-i, i cili ndonjë vit më vonë, më 4 nëntor 1943 iu përgjigj me këto fjalë në Dhomën e Komuneve pyetjes së deputetit Norman Hulbert, nëse atë kohë edhe në Shqipëri luftohej kundër gjermanëve: “Po, zotëri”, u përgjigj Churchilli, “mijëra partizanë shqiptarë po luftojnë në male për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre. Ne dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të lirë nga zgjedha e Fuqive të Boshtit dhe me një pavarësi të rivendosur”. Nga ana e vet, më 7 prill 1944, Departamenti Amerikan i Shtetit kujtonte: “Më 7 prill 1939, të premten e zezë, forcat fashiste shpërthyen kundër Shqipërisë një agresion të turpshëm e të papritur dhe Musolini deklaroi përfshirjen e saj në të ashtuquajturën “Perandori fashiste”.

Rënia e Musolinit dhe lirimi nga zgjedha fashiste megjithatë nuk sollën lirinë. Me pushtimin nazist, populli shqiptar nuk e braktisi luftën për shpartallimin e pushtuesit e rifitimin e lirisë së vet, luftë e nisur katër vjet më parë, atë të premte të zezë. Siç dihet mirë, qeveria e SHBA-ve asnjë herë nuk e njohu aneksimin fashist të Shqipërisë. Sot ajo inkurajon popullin shqiptar të bashkojë përpjekjet e tij kundër armikut nazist, për të rifituar sa më shpejt lirinë, që ai popull me aq zjarr e dëshiron”. Këto vlerësime që dy qendrat më të mëdha, Londra e Washingtoni, mbanin ndaj qëndresës partizane në Shqipëri, mbështeteshin sigurisht nga raporte të pafundme nga terreni të dërguara nga misionet anglo-amerikane.

Prej tyre, rezulton ndarja në dy kampe e shqiptarëve: në ata që ishin rreshtuar me armë kundër invadorit, e këta ishin luftëtarët e çetave e të brigadave partizane, nga njëra anë; dhe në ata shqiptarë, që u bënë shtojcë e regjimit të pushtimit dhe që i lyen duart me gjakun e rinisë antifashiste shqiptare. “Ndjenjat e mia sot shkojnë 100% kundër Ballit Kombëtar dhe 100% pro partizanëve, pasi Lëvizja Nacionalçlirimtare po vret gjermanë, ndërsa Balli Kombëtar nuk e bën një gjë të tillë”. Kështu i raportonte më dhjetor 1943 majori amerikan Mc Adoo shefit të tij në Bari, Harry Fultz.

Po atë kohë, pas një takimi me disa krerë, kinse nacionalistë të Dibrës, kapiteni anglez Ridell raportonte si më poshtë: “Ata flasin shumë për patriotizmin, por vështirë të gjesh në sjelljet e tyre praktike qoftë edhe gjurmën më të vogël të patriotizmit”. Në 15 shkurt 1944, pas një takimi në Gjirin e Gramatës (Karaburun) me kreun ballist Skënder Muço, majori Quayle raportonte: “Ai u tregua fare i hapur lidhur me politikën e Ballit Kombëtar dhe pranoi se ata ishin rreshtuar në krah të gjermanëve për të shpartalluar ndikimin në rritje të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Më deklaroi se gjermanët një ditë me siguri do largohen nga Shqipëria, por kush do t’i dëbojë komunistët”? (Roderick Bailey, The wildest Province. SOE in the Land of the Eagle, London, 2008, f. 191, 216). Këto, pra, ishin standardet që Aleatët e mëdhenj vendosën gjatë Luftës II Botërore. Këto ishin edhe rreshtimet e forcave shqiptare në raport me këto standarde.

Por, Ardian Ndreca insiston në të tijën. Me një qasje a posteriori (bythazi) të historisë, ai arsyeton se meqë lufta partizane solli në pushtet komunistët dhe Enver Hoxhën, ajo duhet bërë hasha dhe në vend të saj, sot në kohë të demokracisë e të “Rilindjes”, duhet të vëmë në piedestal antikomunistët, kushdo qofshin ata. Besoj se nuk skandalizoj kënd, nëse them se mes shumë të këqijave, komunistët dhe Enveri kanë bërë edhe ndonjë të mirë për këtë vend. Mbi të gjitha, pasi e çliruan Shqipërinë, nuk rendën ta shesin atë te serbët e te grekët, siç bënë Kol Bib Mirakaj, Gjon Marka Gjoni, Mustafa Kruja, Xhafer Deva, Ahmet Zogu dhe vetë Mid’hat Frashëri.

Të gjithë këta, pas luftës e pas prishjes së Enverit me Titon, rihodhën në qarkullim e punuan për zbatimin e skemave antishqiptare të shteteve federale jugosllavo-shqiptare apo greko-shqiptare. Por kjo është një temë për më vonë. Me logjikën e mbrapshtë të gjykimit të gjërave a posteriori, duke i shkëputur nga koha kur kanë ndodhur, duhet hedhur poshtë edhe Revolucioni francez i “Lirive e të Drejtave të Njeriut”, i cili, siç dihet, përfundoi në Perandorinë e Napoleonit. Me këtë logjikë, i duhet besuar, madje edhe i duhet kërkuar falje Kol Bib Mirakajt, kryetar i Partisë Fashiste Shqiptare qysh nga 7 prilli 1939, komandant i Milicisë Fashiste e ministër i Brendshëm, urdhërues i qindra vrasjeve në dëm të të rinjve antifashistë, nga Shkodra deri në Korçë.

Ky Kola, në kujtimet e tij të shkruara në kulmin e “Luftës së Ftohtë”, e justifikon të kaluarën e tij fashiste me ndjenjat e veta të pashuara antikomuniste. “E kisha kuptuar që në fillim”, thotë vizionari Miraka, “se komunizmi, dhe jo fashizmi, ishte rreziku më i madh për Shqipërinë, ndaj u bëra fashist”! Le ta besojë kush të dojë këtë përrallë, të denjë për të gudulisur ndjenjat e holla antikomuniste të Ardian Ndrecës dhe të të ngjashmëve të tij në pallatet e pushtetit.

Next Post
Bashkia e Tiranës hap aplikimet për 500 kredi të buta, ja kush përfiton

Banorët e Unazës së Madhe vërshojnë në Bashki për të përfituar bonusin e qirasë

Comments 1

  1. E.v says:
    2 years ago

    Rrenacak komunist xhufi,eshtrat e sami frasherit jane ne stamboll,prane tij prehet i biri rahmetli Ali Sami Yen,ish krijuesi i klubit dhe te Stadium te hershem te Gallata Saray .Prane tyre prehet Emine hanem bashkeshortja e tij ne nje varr me mbishkrime osmane dhe ne te prehet nje bebe gjithashtu, sic i thone bebes osmanische.
    2.Perse i vrau Enveri camet?
    A
    B
    C

    Reply

Leave a Reply to E.v Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

I doli emri në dosjen Epstein, Miroslav Lajçak jep dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit sllovak

I doli emri në dosjen Epstein, Miroslav Lajçak jep dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit sllovak

January 31, 2026
Restaurimi i afreskut në Bazilikën e vjetër në Romë shkakton debat, një nga engjëjt i “ngjan” Giorgia Melonit

Restaurimi i afreskut në Bazilikën e vjetër në Romë shkakton debat, një nga engjëjt i “ngjan” Giorgia Melonit

January 31, 2026
Droni tradhtoi organizatën shqiptaro-greke, zbulohet rrjeti i trafikut të drogës në Kampusin Universitar të Athinës

Droni tradhtoi organizatën shqiptaro-greke, zbulohet rrjeti i trafikut të drogës në Kampusin Universitar të Athinës

January 31, 2026
Kur debati publik shndërrohet në urrejtje: përballë agresionit ideologjik dhe intimidimit

Kur debati publik shndërrohet në urrejtje: përballë agresionit ideologjik dhe intimidimit

January 31, 2026
Shiste kokainë në qendrat tregtare, arrestohet shqiptari! Gjykata e dënon në kohë rekord

Shiste kokainë në qendrat tregtare, arrestohet shqiptari! Gjykata e dënon në kohë rekord

January 31, 2026
Dyshohet se kanosi 2 persona, në kërkim i riu në Shijak. Policia i gjen municion luftarak në banesë

Dyshohet se kanosi 2 persona, në kërkim i riu në Shijak. Policia i gjen municion luftarak në banesë

January 31, 2026
Shkak një defekt i rëndë në linjat e tensionit të lartë, Ukraina dhe Moldavia goditen nga ndërprerje të energjisë

Shkak një defekt i rëndë në linjat e tensionit të lartë, Ukraina dhe Moldavia goditen nga ndërprerje të energjisë

January 31, 2026
Dhunuan një çift 55-vjeçarësh dhe i dëmtuan automjetin, procedohet 44-vjeçari, 2 të tjerë në kërkim

Dhunuan një çift 55-vjeçarësh dhe i dëmtuan automjetin, procedohet 44-vjeçari, 2 të tjerë në kërkim

January 31, 2026
Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare, aktori i njohur Fitim Makashi

Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare, aktori i njohur Fitim Makashi

January 31, 2026
Nderimi i Lasgush Poradecit në Vjenë, e bija denoncon përjashtimin nga ceremonia zyrtare

Nderimi i Lasgush Poradecit në Vjenë, e bija denoncon përjashtimin nga ceremonia zyrtare

January 31, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In