Për të hequr damkën e nongratas,Berisha po përpiqet të kopjojë Trump duke prezantuar një pr/ligj që bie kryekëput ndesh me atë që ka firmosur nga vetë Berisha në 2010.
Sipas asaj që pasqyrohet në nismën ligjore synohet të përcaktohet në mënyrë të qartë dhe të pandryshueshme gjinia biologjike e individëve që nga lindja, duke e sanksionuar këtë në ligjin për gjendjen civile.
Karaj thotë se kjo nismë është nul dhe gënjeshtër e Berishës pasi Shqipëria me ligj njeh vetëm dy gjini.
Pse kjo nismë e Berishës tani?
Xheni Karaj: Qëndrimi është bërë publik që në 2010. Ne mbajmë mend që në mbledhjen e këshillit të minitrasve tha se unë do të jem kryeministri i parë shqiptar që kurorëzojë legalizimin e çiftit të parë homoseksual. Deklarata bëri bujë në të gjithë botën. Në 2010 ishte Berisha që firmosi ligjin kundër diskriminimit që për herë të parë në historinë e Republikës së Shqipërisë njohu dhe identietin gjinor, pra të qenit transgjinor si nocion i rëndësishëm ligjor.
Nisma që u prezantua dy ditët e fundit bie kryekëput ndesh me atë që ka firmosur nga vetë Berisha në 2010. Për më tepër është një nismë që nuk qëndron juridikisht. Sepse ne në Shqipëri kemi ligjin e gjëndjes civile që njeh vetëm 2 gjini. Pra, kjo nismë ligjore është rrenë e madhe pas të cilës Berisha kapet për të imituar Trump.
Është imitacion i shëmtuar, sepse nuk qëndron. Në realitetin shqiptar njihen dy gjini. Kjo nismë është nul, gënjeshtër e Berishës për të gënjyer popullin shqiptar dhe larguar vëmendjen nga hallet që ka populli shqiptar.
Në vend që PD të vijë me një program që tregon si do të zgjidhë problemet reale të shqiptarëve, vjen me këto nisma që janë absurd i madh juridic
Në takimin që keni pasur me Berishën në atë kohë çfarë ju ka thënë?
Xheni Karaj: Në takim ka qenë shumë i hapur. Ka thënë që do të jem mbështetës për cështje që kanë lidhje me të drejtat e njeriut dhe komunitetin tuaj. Unë prisja që Berisha të mbante premtimin. Se ne e dimë që meshkujt veriorë e mbajnë fjalën, dhe pas 10 vitesh me partneren time Berisha do mbante premtimin e 2010 e do na martonte e nuk do të kthehej prapa në kohë. Por unë e kuptoj që është në një pozicion të vështirë e do të heqë “nongratën” se nuk kalon dot përtej Atlantikut dhe do të mbrojë veten e familjen e vet, por nuk është kjo zgjidhja.
Kjo e kthen në një figurë qesharake më shumë sesa konservatore. Nuk mund të importojmë diskutime të Amerikës në një realtet që është tërësisht i ndryshëm.
Po krijohen probleme nga hiçi vetëm që të përfitojë personalisht Berisha për t’iu hequr non grata e mbrojtur nga drejtësia veten dhe familjen e tij duke i kërkuar lëmoshë Trump.
A ka ndikuar narrative e Trump?
Xheni Karaj: Narrativa që është krijuar dhe lufta që i ka shpallur Trump komunitetit LGBT ndihet në të gjithë botën. Shumë aktivistë po organizohen ta përballin përmes proceseve ligjorë. Aktivistët transgjinorë po ankimojnë në gjykatë urdhrat ekzekutivë të Trump.
Komuniteti në Shqipëri është gati të përballet me nisma politike fantazëm. Ne nuk do të qëndrojmë të heshtur. Do i përballim ligjërisht dhe advokuar në nivel ndërkombëtar. Kjo nismë ligjore që ka paraqitur Berisha bie ndesh me çdo konventë që vetë qeveria e tij ka firmosur. Ne jemi të përgatitur e nuk do të qëndrojmë të heshtur ndaj këtyre narrativave. Por është turp i madh për shoqërinë që të ngrihen këto narrative polarizimi, se komuniteti LGBT është kërcënim për familjen, kur në fund të fundit jemi pjesë e familjeve shqiptare.
Unë me partneren time kam 10 vite që ndërtoj me përkushtim e sakrifica familjen time. Po pse duhet të quhem unë kërcënim e perceptohem si e tillë vetëm se politikanë që kanë deficite morale, hiqen si konservatorë më katolikë se Papa.











